Nga data 25 qershor deri më 6 korrik do të mbahen në Oran të Algjerisë Lojrat Mesdhetare ku marrin pjesë 26 shtete, mes tyre edhe Shqipëria, që do përfaqësohet nga 29 sportistë në 10 sporte të ndryshme.
“Jam shumë krenare që kam arritur të marrë pjesë në Lojrat Mesdhetare. Kam objektiva shumë të mira për turneun. Shpresoj që konkurenca të jetë e fortë dhe të arrij të tregoj veten. Dua të arrij në gjysmëfinale, finale, por nëqoftëse arrij medalje do jetë shumë e veçantë,”-u shpreh Grejsi Bajri, teniste.
“Objektivi im është të futem në zonën e medaljeve. Jemi përgatitur fort këtë periudhë. Jemi 14 sportistë që garojmë ku 4 prej tyre i shoh si kundërshtar shumë të fortë. 80% janë shanset që të marr medalje,”-deklaroi Indrit Çullhaj, xhudist.
“Do jetë pak më e vështirë sesa europiani për mua sepse do garoj në një peshë që nuk është e imja. Megjithatë do bëj më të mirën sepse do mundohem për një medalje që të dëgjojmë himnin shqiptar në Oran,”-tha Evangjeli Veli, peshëngritëse.
Shqipëria në Lojrat Mesdhetare nuk do përfaqësohet me asnjë sport ekipor si volejbolli dhe basketbolli.
“Këtë vit buxhetet janë vonuar pavarësisht se erdhën. Buxhetet shpërndahen në janar. Mos të vijnë as në prill, as në maj, as në qershor. Federatat nuk kanë mundësi për të planifikuar të çojnë sportistë me aq buxhete sa kanë,”-u shpreh Fidel Ylli, president i KOKSH-it.
Për shkak dëmtimi në Omar nuk do garojnë dy kampionët ndërkombëtar si Briken Calja dhe Izimir Smajlaj, të dy të dëmtuar.