Lara Colturi ka bërë krenare Shqipërinë, duke u shpallur kampione botë për herë të dytë në disiplina të ndryshme. Këtë të premte 16-vjeçarja me origjinë italiane zuri vendin e parë në garën e Super G për moshën 21-vjeçare. Pistën e Austrisë 16-vjeçarja e përshkroi për kohën 1 minutë, 1 sekond dhe 64 të qintat. Në vendin e dytë, pas Colturit u pozicionua zvicerania Stefani Grab me 65 të qintat më shumë, ndërsa në podium u ngjit edhe italiania Alice Calaba me 72 të qintat më shumë se Colturi.
“Jam ndierë shumë mirë. Është një emocion unik që do e provoj vetëm një herë në jetë të jem kampione për të reja dhe është e mrekullueshme. Prindërit më kanë ndihmuar shumë edhe në detaje gjatë kësaj gare. Për objektivat e radhës do të shohim. Dua që të të ecim hap pas hapi dhe me qetësi,”-u shpreh Lara Colturi, skiatore.
Ky ishte rezultati i dytë jashtëzakonshëm, pasi të enjten Lara u shpall kampione botë në garën e zbritjes së lirë për 18-vjeçare.
“Lara na dha një sadisfaksion të paimagjinueshëm. Për herë të dytë në podium dhe këtë herë Akoma më lart. Lara sot tregoi se është kampione botë dhe se Shqipërinë do ta mbajë shumë lart,”-tha Elvis Toçi, president i federatës së skive.
Lara do të garojë edhe në ‘Giant’ me datë 21 Janar dhe më pas do ti drejtohet Kronplatzit për ndalesën e rradhës në Kupën e Botës për të rritur. Deri më tani Lara ka mundur të marrë në tre raste pikë për Shqipërinë në Botëror.
Kryeministri Edi Rama ka uruar skiatoren Lara Colturi për fitoren në Austri, e cila doli në vendin e parë në garën e Super G për moshën 21-vjeçare.
Rama shkruan se Colturi i solli vendit tonë medaljen e parë të artë në ski.
“Lara Colturi, e cila u natyralizua shqiptare sepse familjarisht është e dashuruar me Shqipërinë, sapo është shpallur KAMPIONE E BOTËS për të reja në Ski. Kur më tregoi me pasion se pse donte të bëhej shqiptare, e mbylli me fjalën, “Dua t’i sjell Shqipërisë medalje të arta” dhe sot Lara i solli vendit tonë medaljen e parë të artë në ski”, shkruan Rama.