Teksa bashkimi rajonal po diskutohet çdo ditë e më shumë, shkëmbimet tregtare mes shteteve kanë ardhur në rritje. Pavarësisht se Serbia dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vendet kryesore me të cilat Shqipëria ka tregtinë më të lartë të mallrave, në 5 vitet e fundit situata ka ndryshuar.
Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 2017 deri në fund të nëntorit të këtij viti Shqipëria ka blerë nga Maqedonia e Veriut mallra me vlerë 48,054 miliardë lekë, ndërkohë që i ka shitur këtij shteti produkte në vlerën e 46,061 miliardë lekë. Pra deficiti tregtar (eksport VS import) 1,993 miliardë lekë. Ushqime, lëndë plastike dhe materiale plastike blejmë shumë nga maqedonasit.
Ndërkohë sa i takon Serbisë, deficiti tregtar është më i thellë pra më shumë importojnë sesa eksportojmë. Vetëm në 11 muajit e këtij viti vendi i ka shitur Serbisë 9.2 miliardë lekë mallra, ndërkohë që 24.6 miliardë lekë është vlera e produkteve që ka blerë prej saj, duke bërë që deficiti të jetë 15.3 miliardë lekë.
Sakaq sa i takon periudhës 5 vjeçare importet nga Serbia arritën në vlerën e 117,412 miliardë lekëve, ndërsa eksportet janë në shifrën e 33,833 miliardë lekëve. Nga viti 2017-2021, deficiti tregtar i mallrave është në vlerën e 83,579 miliardë lekë. Vendi ynë blen më shumë nga ushqime, pije, mineraleve, lëndëve djegëse, energji apo materiale ndërtimi.
Ndërsa me marrëveshjet e arritura nga Open Ballkan mes tre shteteve, synohet pikërisht rritja e tregtisë, jo vetëm për këto produkte por për herë të parë i hapet rruga eksportit të produkteve blegtorale të fermerëve shqiptar.
Ndërkohë vendet me të cilat Shqipëria ka shkëmbimet më të larta tregtare janë Turqi, Kina dhe Italia.
Komente
