Kreu i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi sot disa takime me qytetarët e Tiranës, duke nisur nga njësia 8 dhe më pas në zonën e Medresesë, ku bisedoi me banorë dhe sipërmarrës për vizionin dhe zgjidhjet konkrete që ofron programi i Koalicionit për zgjedhjet e 11 majit.
Në njësinë 8, Basha shoqëroi kandidatin për deputet Pëllumb Seferi në një bisedë miqësore me qytetarët, duke theksuar rëndësinë e listave të hapura në këto zgjedhje, ku janë qytetarët ata që do të vendosin se kush i përfaqëson në Parlament.
“Mirëmëngjes nga zemra e Tiranës, me kandidatin tonë Pëllumb Seferi! Ju urojmë një ditë të mbarë!”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Gjatë takimit, ai vuri në dukje se problemi kryesor në Shqipëri nuk është mungesa e mundësive, por mungesa e një qeverisjeje që mendon për qytetarët.
“Ne nuk premtojmë gjëra boshe, por ofrojmë zgjidhje të realizueshme. Ndryshimi nuk është më një slogan, është një mundësi e vërtetë që vjen përmes votës tuaj më 11 maj,”, u shpreh Basha.
Program ekonomik për uljen e taksave dhe mbështetje për biznesin
Më tej, Basha vijoi takimet me qytetarët dhe sipërmarrësit e zonës së Medresesë, ku diskutoi mbi programin ekonomik të Koalicionit Euroatlantik, i cili synon uljen e taksave, eliminimin e korrupsionit dhe fuqizimin e shtresës së mesme.
Ai prezantoi masat kryesore që synojnë lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset:
9% taksë e sheshtë
9% tatim mbi të ardhurat personale mbi minimumin jetik
9% tatim mbi fitimin për biznesin (përjashtohet biznesi i vogël)
0 taksa për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë të reja
Detyrime ndaj pushtetit lokal jo më shumë se 1% e xhiros vjetore
Eliminimi i kontrolleve tatimore për bizneset e vogla
Zbatim i pullës fiskale, duke ofruar shërbimin kur dhe ku e kërkon tatimpaguesi
Rimbursim automatik i TVSH-së
Heqja e privilegjeve fiskale për investitorët strategjikë
Eliminimi i taksës Rama prej 240 lekë/litër, pjesë e çmimit të karburanteve
“Shqipëria ka të gjitha mundësitë për të ofruar mirëqenie për çdo qytetar - mjafton një qeveri që mendon për ta,”, u shpreh Basha.
Ai përsëriti se fushata e Koalicionit Euroatlantik do të jetë derë më derë, pranë njerëzve, për të ofruar ndryshimin e vërtetë që Shqipëria ka nevojë.
“Kjo është një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës. Zgjedhja është në duart e qytetarëve më 11 maj.”
Komente
