Shqipëria merr Presidencën e dytë të Këshillit të Sigurimit, kryesohet nga Xhaçka dhe Rama! Begaj deklaratë në Asamblenë e OKB-së, i pranishëm në diskutim edhe Zelensky

31 Gusht 2023, 11:41| Përditesimi: 1 Shtator 2023, 22:31

  • Share

Për herë të dytë brenda 15 muajsh, Shqipëria do të drejtojë presidencën e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Shqipëria nis nesër Presidencën e saj të dytë në KS. Mbajtja e Presidencës i jep  vendit tonë mundësinë që të përfaqësoje në masë të madhe se cila do të jetë ahxenda dhe cilat do të jenë çështjet që do marrin vëmendjen. Ndryshe nga janari i 2021 ku u ulëm për herë të parë, ne sot po ulemi me një eksperiencë të vyer. Janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence.” – tha Xhaçka.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, njoftoi prioritetet gjatë këtij muaji dhe aktivitetet prioritare që do të kryesohen nga kryeminisitri Edi Rama dhe Ministrja Xhaçka në dy takime të rëndësishme.

“Bëhet fjalë për një përpjekje ambicioze dhe shumë sfiduese për të garantuar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare kudo në botë në kohë krizash, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore.”- vijoi ajo.

Në diskutimin e rëndësishëm të 14 shtatorit pritet të marrë pjesë edhe presidenti Ukrainës Volodimir Zelensky.

“Aktiviteti tjetër shënjues i presidencës tonë, natyrisht do t’i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës. Do të organizojmë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit.

Ndryshe nga viti i kaluar ku fjalën e mbajti kryeministri Edi Rama, më datë 20 shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të mbajë fjalën në emër të Shqipërisë Presidenti Bajram Begaj.

Shqipëria e mori për herë të parë Presidencën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në periudhën 1 qershor – 30 qershor 2022. Vendi ynë u zgjodh anëtarë e përkohshme e institucionit më të rëndësishëm të sigurisë në glob me votë thuajse unanime nga Asambleja e Përgjithshme për një mandat i cili filloi në janarin e vitit 2022 dhe përfundon në fund të 2023.

Nga 1 janari 2022 Shqipëria u ul si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike.

Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.

Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?