TIRANË- Studiuesve shqiptarë të periudhës Osmane, iu është dashur ndër vite të hulumtojnë në Arkivin Osman të Stambollit. Nga 100 milionë dokumente, Shqipëria zë një hapësirë me afro 180 mijë dosje. Osmanologu Rezart Mezani, ka punuar aty për 6 vite me radhë, duke i përqëndruar studimet në qytetin e Vlorës dhe zhvillimet në të.
“Mundësia për të studiuar në Arkivën e Stambollit për ne ka qenë shumë e rëndësishme, pasi këtu nuk mund t’i gjenim ato dokumente që ka aty. Aty ne kishim akses në të gjitha fushat e mundshme, duke pasur parasysh dhe ndërtimin ose strukturën e Arkivit të Stambollit që ishte më lehtësisht e aksesueshme”, shprehet studiuesi osmanolog Rezart Mezani
Tashmë këto dosje, që përbëjnë afro 1 milionë njësi dokumentare gjenden në arkivin digjital të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
“Është i gjithë dokumentacioni që gjendet në Arkivën Osmane mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët. Tashmë e kemi në tërësinë e vet. Bëhen në tërësi 1 milionë e 355 mijë dokumente të periudhës osmane, me gjithë materialet që kishim më herët”, shprehet Ardit Bido, drejtori i AQSH.
"Dokumentet e marra nën zotërim në trajtë digjitale mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor. Mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës; informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës; evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup; informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe etj dhe dokumente të karakterit religjoz.
Gjithashtu, pjesë e këtyre dokumenteve që i shtohen fondit të materialeve osmane, janë zhvillimet fetare në rajon, si feja Islame, e Krishterë dhe Judaizmi. Në këto dokumente do të gjejmë edhe dinamikat sipas shoqërive përkatëse", ka treguar ai.
Shtrihen nga periudha osmane deri në shpalljen e Pavarësisë, ndërsa gjeografikisht nuk kufizohen vetëm me Shqipërinë.
“Trajtohen aty lëvizjet ekonomike, shoqërore, lëvizjet fetare, lëvizjet nacionale, kryengritjet, problematikat, përplasjet, dinastitë e qyteteve, të gjitha ngjarjet e asaj periudhe”, shprehet më tej Mezani.
Dokumentet janë marrë nga Arkiva e Stambollit vetëm në osmanishte, ndërsa procesi i përkthimit të tyre, veçmas me një grusht osmanologësh që ka vendi duket i largët. Ndërkohë në Arkiv aktualisht ka vetëm një osmanolog dhe pritet të punësohet edhe një i dytë.
“Është një volum shumë i madh dokumentar për tu përpunuar dhe për tu bërë gati për studiuesit. Duke ditur që në Shqipëri janë vetëm 6 a 7 osmanologë, nuk mund të pretendojmë shumë. Dhe në fakt mungesa e osmanologëve është një problem i madh akademik”, shprehet Bido.
Të tjera dokumente gjenden në arkivat turke, ku ka materiale me rëndësi të periudhës së Perandorisë Osmane.
“Janë dy fonde shumë të rëndësishme po ku pala turke është më e kufizuar, bëhet fjalë për Kadastrën turke dhe një census të zhvilluar nga Perandoria Osmane që gjendet në Arkivën e Ministrisë së Brendshme të Turqisë”, rrëfen ai.
Por interesi i Drejtorisë së Arkivave vendase, për të sjellë Shqipërinë e dokumentuar, shkon edhe për arkiva të tjera.
“Është fondi i Konsullatës shqiptare në Bari, Fondi i Shoqërisë “Drita” në Bukuresht. Janë disa dokumente të shpërndara të diasporës shqiptare në Egjypt. Mandej fondi i Jeronim De Radës që është shumë i rëndësishëm. Është një e treta fondit të tij në Bibliotekën e Kozencës dhe 2/3 ndodhen në AQSH, por deri tani nuk ja kemi dalë për të arritur një marrëveshje”, shprehet Bido.