Juristi Kreshnik Spahiu e cilëson situatën e zjarreve në Shqipëri si tragjike, por të paralajmëruar, pasi pothuajse i gjithë Mesdheu është në flakë.
Në një intervistë në Report Tv, ai u shpreh ditën e sotme se Shqipëria duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të emergjencës, që t’i paraprije përkeqësimit të situatës, duke parë zhvillimet ditët e fundit.
Spahiu shikon një paradoks të mëdh dhe ‘hendek’ mes ligjit dhe zbatueshmërisë së tij për krimin e piromanisë, pasi në dy dekada numërohen vetëm 2 të dënuar për zjarrvënie, edhe ato nga pakujdesia.
“Situatë tragjike, por e paralajmëruar, sepse nuk është e lokalizuar vetëm në Shqipëri. Sipas informacioneve të fundit i gjithë Mesdheu është i përfshirë nga flakët, Spanja, Greqia, Mali i Zi etj., kështu që edhe Shqipëria ishte e përfshirë, pasi edhe teknologjia ta jep informacionin. Situatë që e kap të papërgatitur Shqipërinë edhe për shkak të sezonit turistik, apo krahasuar me vendet e rajonit dhe legjislacionit”, tha Spahiu.
Teksa theksoi se vendet e rajonit janë shumë më para Shqipërisë si në mjete, ashtu dhe në legjislacion dhe buxhet, ai sugjeroi dhjetëfishimin e buxhetit për zjarret.
“Edhe Maqedonia është para nesh, i ka paraprirë me legjislacion dhe me masa konkrete, duke krijuar llogore pyjesh madje, duke ndarë zonat që të mos përhapen flakët, ku këto llogore pastrohen çdo vit dhe monitorohen. Vendet e rajonit janë më të përparuara në këtë aspekt, kemi Kroacinë me flotë Canadair, madje ndihmon edhe vendet e tjerë. Edhe buxheti është shumë i ulët në Shqipëri, shumë simbolike, e papërfillshme, 21 mln euro apo 9 euro për banor. Duhet të dhjetëfishohet ky fond, sepse dëmi këtë vit nga zjarret mund të jetë miliona euro”, vijoi Spahiu.
Por ai vuri në dukje paradoksin mes legjislacionit shqiptar për zjarrvënien dhe mosbatueshmërinë e tij në dënime, ku tha se në dy dekada ka vetëm 2 dënime me burg nga drejtësia, edhe ato për zjarr nga pakujdesia.
“Bëj me dije se që nga 2008 kemi vetëm 2 dënime të lehta për zjarrvënie nga pakujdesia. Pra edhe pse kemi ligj të përparuar, zbatimi i tij është zero. Ka antagonizëm mes dënimeve dhe realitetit, kur thuhet se 90% e zjarreve janë të qëllimshme dhe statistikat e dënimeve tregojnë të kundërtën, ku mund ta zerojmë sepse edhe ato dy dënime që janë dhënë janë nga pakujdesia, pra zjarre pa dashje”, u shpreh Spahiu.
Nëse ligji nuk vepron dhe ndëshkon, i nxit më shumë shkelësit apo inkurajon që të vijojnë në praktikën e tyre të kundravajtjes penale.
Kjo shpjegon edhe faktin se po të udhëtosh me avion dhe të shohësh mbi Shqipëri, sheh vetëm tym dhe zjarre mbi kazanë plehrash, mbetjesh, mbeturinash në ara e pyje. Ai e quan një “papërgjegjshmëri totale si shoqëri”.
Kështu shprehet Kreshnik Spahiu mbi ‘sindromën’ shqiptare apo fenomenin që e cilëson mesjetar.
“Kemi ligje për ambientin dhe mbetjet, madje po të kalosh me avion mbi Shqipëri, shikon vetëm tym, djegie mbetjesh në kazanë e sheshe, bahçe e fusha, sheh vetëm tym dhe zjarr. Por përderisa kemi deri në heqje lirie për ndotje ambienti, deri më sot ligji nuk ka gjetur në asnjë rast zbatim. Mblidhet Parlamenti, bëhet zhurmë deri në BE se kemi bërë ligj për ambientin e mburren, por nga ana tjetër vijon djegia e kazanëve e mbeturinave. Unë mendoj se ka një papërgjegjshmëri totale si shoqëri, që vjen si pasojë e mosrespektimit të ligjit dhe kuadrit ligjor, që në fakt është ligj europian, por që s’ka gjetur në asnjë rast ekzekutim. Djegia e kazanëve, një fenomen shqiptar në fshatra apo periferi qytetesh. Shifrat 90% të zjarrvënieve mendoj se vijnë kryesisht ngaqë nuk zbatohet ligji”, shpjegon ai për Report Tv.
Dhe më tej analizon logjikën e kuadrit penal për këtë rast dhe si favorizon ajo psikologjikisht kundravajtësit apo i ‘trimëron’.
“Ka logjikë në kuadrin penal, kur nuk ndëshkon kundravajtjen, apo nuk e dënon atë, ti nuk ke autoritet ndaj saj, pra të gjitha institucionet. Jam për ashpërsimin e Kodit Penal, a duhen dënuar me burg përjetë? Absolutisht që po”, vijon juristi.
Në fund ai këshillon më shumë investime në teknologji me pajisje për të parandaluar zjarret apo sinjalizuar këto vatra të nxehta.
“Por edhe teknologjia ka ecur, por çfarë u bë me dy Satelitët “Albania 1 dhe 2”, që kanë si objektiv kryesor pikërisht monitorimin e territorit për zjarret, a është aplikuar kjo, a është kryer kontrolli për paralajmërimin e zjarreve. Një tjetër favor në kohën e teknologjisë është edhe fakti se ato janë të lira, pra sensorët, satelitët, kamerat, kushtojnë më lirë, pra ta krijon mundësinë që ti t’i kesh dhe të kontrollosh, t’i vësh në punë ato dhe t’i parandalosh zjarret”, përfundoi Spahiu.
Në lidhje me propozimin e kryeministrit Edi Rama për dënime të ashpra për zjarrvënësit, Spahiu u shpreh se ishte në favor dhe e mbështeste, por kujtoi se ligjet nuk zbatohen dhe historiku penal e tregon me shifra.
Për të, edhe dënimi i përjetshëm të vendosej për zjarrvënien si krim i rëndë, por drejtësia duhet të vepronte dhe gjithashtu institucionet e linjës për shkeljet e kësaj natyre ligjore.
Spahiu solli shembuj edhe nga praktikat penale dhe ligjore të vendeve të përparuara perëndimore, ku parashikohet edhe dënim me bugim përjetë për zjarrvënësit, si SHBA-të apo Britania e Madhe.
“E kam dëgjuar m vëmendje propozimin e kryeministrit Rama për pozitën penale dhe ndëshkimet ndaj zjarrvënësve dhe e njoh shumë mirë Kodin Penal. Ne kemi vetëm 2 të dënuar në dy dekada. Ka vende që e kanë për objekt krimin e zjarrvënies, si Gjermania, Britania e Madhe, ose SHBA-të psh., ku ka zjarrvënie masive, që në legjislacionin e tyre parashikojnë burgimin e përjetshëm, njësoj si kriminelët apo autorët e vrasjeve. Ndaj unë mendoj se propozimi i kryeministrit Rama është i drejtë. Duke qenë se Shqipëria e ka më problem zjarrvënien se Britania dhe Gjermania, është normale që ta ketë edhe ndëshkimin penal”, tha ai.
Megjithatë shprehet skeptik për zbatimin e ligjit, sepse mund të ndodhë si me ligjet e tjera që janë bërë për ambientin apo mbetjet si shembull dhe nuk ka të dënuar.
“Por jam skeptik sepse edhe dënim me vdekje po ta vendosësh, nëse ligji nuk zbatohet dhe institucionet janë indiferente, përfshi drejtësinë, atëherë nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se dështojmë. Jam për ashpërsimin e Kodit Penal, a duhen dënuar me burg përjetë? Absolutisht që po”, tha ai.
Në intervistën me lidhje via Skype me Report Tv, juristi Kreshnik Spahiu sugjeroi shpalljen e gjendjes së emergjencës dhe përfshirjen e të gjitha institucioneve në operacion për parandalim dhe shuarje flakësh.
Ai e cilësoi të nevojshme duke parë ehde shkallën dhe numrin e vatrave të zjarrit.
“Do ishte e udhës që Qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës civile dhe gjendjes së jashtëzakonshme në të gjithë vendin duke parë situatën ku ndodhemi. Ka tre nivele të kësaj shkalle emergjence dhe meqë ka vatra në të gjithë vendin situata mund të percipitojë, Qeveria duhet t’i paraprijë me masa dhe infrastrukturë, nuk ka asgjë të keqe po të shpallet”, tha ai.
Më tej shpjegoi se si funksiononte mekanizmi i kësja gjendje, me përfshirjen e të gjitha institucioneve për të parandaluar dhe shuar flakët, që do e ndihmonte së tepërmi zbutjen e situatës së krijuar dhe shmangien jo vetëm të ndonjë tragjedie, por edhe dëmeve.
“Nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme, të gjitha institucionet, ushtria, policia dhe administrata lokale përfshihen në aksion që situata të mos përhapet”, shtoi ai.
Komente

Nuk ekzizton zjarri nga pakujdesia. Kush ndez zjarr e ndez qellimisht. Vetem 3% e zjarreve mund te jene shkaqe natyrore. Te gjithe te tjerat jane dora e kafshes e quajtur njeri. Prandaj nuk eshte aspak anormale qe zjarrvenia ne periudhen e thate e te nxehte te quhet krim mjedisor dhe kunder resurseve te perbashketa dhe te denohet me gjoba e burg sa te harroje edhe familjen. Jemi kafsha me e shpifur e me injorante e pyllit qe djegim vendin ku jetojme. Ato e kane vendin ne burg ne kafaz naten e diten ne diell pa pike uji.
Përgjigju