Forumi i 4 ligjor BE-Partneriteti Lindor

Kronikë

Shqipëria në forumin e 4 ligjor BE-Partneriteti Lindor, kryeadministratorja e AAPSK: Thellojmë bashkëpunimin, përafrim me praktikat më të mira evropiane

29 Maj, 15:46| Përditesimi: 29 Maj, 15:49

  • Share

Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, mori pjesë në Forumin e Katërt Ligjor BE-Partneriteti Lindor, i cili u mbajt në Varshavë, Poloni. Ky forum mblodhi përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet shtetërore, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe organizatat ndërkombëtare për të diskutuar rreth forcimit praktikave më të mira për rikuperimin dhe administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar në vendet e rajonit dhe më gjerë.

Gjatë ndërhyrjes së saj në panel, Xhaja prezantoi përvojën dhe praktikat që AAPSK ka zhvilluar në administrimin efektiv të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në Shqipëri, si një komponent thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo theksoi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Agjencisë në sigurimin e integritetit dhe transparencës së procesit të administrimit të pasurive, duke vënë në dukje progresin e bërë me hartimin e Manualit të Procedurave për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara një dokument kyç që standardizon hapat institucionalë dhe garanton një trajtim të barabartë dhe ligjor për çdo kategori pasurie të administruar nga AAPSK.

“Nëpërmjet këtij manuali, ne krijojmë një kornizë të qartë për administrimin e pasurive, që përfshin procedura të hollësishme për marrjen në administrim, ruajtjen, përdorimin e përkohshëm, apo shitjen e pasurive në përputhje me vendimet e organeve kompetente. Ky është një hap vendimtar drejt rritjes së profesionalizimit dhe harmonizimit të praktikave tona me standardet e Bashkimit Evropian', tha ajo. 

Në vijim, ajo u ndal edhe në sfidat që lidhen me menaxhimin e pasurive komplekse si biznese aktive apo pasuri me vlerë të lartë dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e drejtësisë, policinë, tatimet dhe njësitë hetimore financiare për një proces efikas dhe të paanshëm.

Kryeadministratorja e AAPSK vuri gjithashtu në dukje rëndësinë e ndarjes së përvojave midis vendeve pjesëmarrëse dhe nevojën për të thelluar më tej bashkëpunimin rajonal, me qëllim ngritjen e kapaciteteve teknike dhe institucionale në këtë fushë.

Pjesëmarrja e AAPSK në këtë forum nënvizon angazhimin e Shqipërisë për të qenë pjesë aktive e përpjekjeve ndërkombëtare në luftën kundër pasurive të paligjshme dhe për të avancuar në përmbushjen e prioriteteve të integrimit evropian, përmes forcimit të shtetit të së drejtës dhe përmirësimit të mekanizmave të luftës kundër krimit të organizuar.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?