Kronikë

Shqipëria, në gjurmë të kriminelëve! 28 ekstradime në 6 muaj, numri më i lartë nga Greqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

29 Qershor, 11:16| Përditesimi: 29 Qershor, 11:26

  • Share

Autorët e krimeve brenda kufijve, prej vitesh kanë tendencë të fshihen jashtë, duke u shpëtuar prangave të policisë për një kohë të gjatë. Vrasje, porosi atentatesh dhe trafik droge, janë vetëm disa prej akuzave të cilave shqiptarët mundën t’u shpëtojnë duke u arratisur.

Vit pas viti ata e kanë zgjeruar rrezen e vendeve ku fshihen, duke e bërë të vështirë gjetjen dhe më pas dakordësinë me vendet e tjera për ekstradimin e tyre. 

Të akuzuarit për korrupsion, “vatër” për t’u fshehur kanë gjetur edhe në Zvicër apo Austri, duke shfrytëzuar edhe kërkesat për azil. Më i famshmi prej të gjithëve, ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj, i cili prej 2 vitesh qëndron në zonën e Luganos në Zvicër. 

Megjithatë, për shumë të tjerë prangat me partnerët ndërkombëtarë dhe ekstradimet nuk kanë munguar, në pjesën më të madhe të tyre për rastet e krimit të organizuar.


“Në 6 muajt e parë të vitit 2025, në vendin tonë u ekstraduan në total 28 persona të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare, ose në masë siguri “arrest më burg” në mungesë. Bashkëpunimi me INTERPOL solli nga janari në qershor emra të njohur të botës së krimit, të cilët po përballen pas vitesh me drejtësinë.”, thotë gazetari Sokol Dema. 

Një prej ekstradimeve me të bujshme të këtij viti është ai i Dritan Rexhepit nga Turqia më 8 janar. I kërkuar nga SPAK si porositës i marrjes peng, vrasjes dhe më pas zhdukjes së trupit të Jan Prengës, Dritan Rexhepi kërkohej edhe nga vende të tjera, në akuzë për trafik kokaine, kryesisht nga Amerika Latine drejt Evropës. Arrestimi i tij në Stamboll ishte surprizë për autoritetet ekuadoriane, të cilat e kërkonin që pas arratisjes atje. 

Nga të gjitha ekstradimet e këtyre muajve, pjesa më e madhe e tyre janë nga Greqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht nga 6. Të gjashtë të ardhurit nga tashmë ‘ish parajsa’ e kriminelëve Dubai i përkisnin të gjithë grupeve kriminale të Elbasanit. 

Vendi i tretë është Italia me 5, ndjekur nga Spanja dhe Gjermania me nga 3 të ekstraduar dhe nga 1, Kroacia, Holanda, Turqia, Zimbabve dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga përtej oqeanit u ekstradua ish-oficeri i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës, Fatbardh Lala, nën akuzë për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. 

Nga Zimbabve u ekstradua Loran Dusha, ish-administrator i Inceneratorit të Fierit, i dënuar një herë nga Shkalla e Parë në GJKKO, por me vendim të Apelit, çështja ndaj tij dhe gjithë të akuzuarve të tjerë do të rigjykohet. Në mesin e të ekstraduarve nga Italia është italiani Davide Pecorelli, i cili inskenoi vdekjen e tij në malet e Pukës për shkaqe borxhesh në janar 2021.

Aktualisht, në vende të ndryshme të botës ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh dhe jo vetëm, të arrestuar, dhe që presin vendimet për ekstradim.

Ndër betejat më kryesore që autoritetet tona po bëjnë është ajo me Mbretërinë e Bashkuar për ekstradimin e 5 të akuzuarve për vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin, më 19 prill 2023. Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harry Simpson, Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt, prej muajsh vijojnë tentativat për të kundërshtuar ekstradimin në Lezhë, ndërsa vendimi final i gjykatave britanike pritet në muajt në vijim.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?