'Shqipëria në grup shumë të fortë', Ish-kapiteni i Kombëtares Altin Lala: Duhet shumë fat për vendin e dytë

8 Dhjetor 2020, 13:34| Përditesimi: 9 Dhjetor 2020, 07:10

  • Share

Ish-kapiteni i Kombëtares Altin Lala thotë se Shqipëria u shortua në një grup shumë të fortë për kualifikueset e Botërorit. Në intervistën për Report Tv Lala thotë se objektivi real i skuadrës duhet të jetë vendi i tretë dhe jo i dyti, që të dërgon në ‘play-off-et’ e kualifikimit.

“Ky grup është shumë i fortë. Anglia është favorite, më pas vjen Polonia. Do të ishte sukses i madh nëse do linim pas tre skuadra: Hungarinë, Andorën dhe San Marinon.”

Gjithsesi ish-kapiteni i Kombëtares deklaron se kjo do të jetë një eksperiencë e bukur për futbollistët kuqezinjë, ndërsa nënvizon se për vendin e dytë do të duhet një mrekulli.

“Edhe për djemtë është diçka pozitive të ndeshen me skuadra si Anglia. Siç ka qenë edhe më para. Do jetë një eksperiencë shumë e mirë për djemtë dhe shpresoj ta mbyllim këtë edicion me një vend të tretë, por me shumë fat mund ta rrish vendin e dytë. Ku them fat në këtë rast duhet shumë fat, por futbollit nuk i dihet asnjëherë. Kështu që shpresoj më të mirën për Kombëtaren.”

Të hënën goglat e shortuan Shqipërinë në grupin I me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorën dhe San Marinon. Për në Botërorin e Katarit kualifikohet vetëm skuadra që renditet e para në grup, ndërsa vendi i dytë bën ‘play-off’ me 11 skuadra të tjera për 3 vende në total.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Lista e pasurive imobiliare e Familjes Berisha ju duket?