Libri bëhet shkas për një takim mes shkrimtares Ornela Vorpsi dhe lexuesve në Shqipëri... Është e para ndër 4 shkrimtarët që Instituti Italian i Kulturës, sjell në Tiranë këtë të mërkurë në ambientet e Europa House në kuadër të nismës “Me fjalë të tjera’... Rrëfen ndjesitë, në këtë rikthim...
“E kam me shumë emocion rikthimin në Shqipëri, sepse nuk e kam një shtëpi timen, duhet të rri në hotel dhe është mjaft delikate për mua. Dhe them këtë rrugë e njoh... Më kujtohet nëna, babai, e kaluara. E qartë që duke ndenjur në një distancë si Parisi ndjehem disi më e mbrojtur dhe duke riardhur këtu sikur më rihapen plagët. Po vij me shumë dëshirë për të takuar rininë, për të folur për atë që ata kanë nevojë, për të ndarë eksperiencat tona. Sepse për mua është një kënaqësi shumë e madhe të takoj shqiptarë të tjerë”, shprehet Ornela Vorpsi, shkrimtare, fotografe e piktore.
Në Tiranën ku pas burgosjes së të atit në diktaturë e më tej divorcit të prindërve, u rrit me gjyshërit, thotë se nuk e ka një shtëpi, veç njerëzve e kujtimeve që mban në zemër.
“Nga burgosja, nga divorci i prindërve të mi. Nga moslejimi për të filluar Liceun Artistik. Nga largimi i të gjithë njerëzve, sepse ne ishim familje të dënuarish politikë dhe të gjithë na distanconin sepse kishin frikë, nga vështirësia për t’u futur vetëm në konkurs në Institutin e Arteve. Nga lënia e Shqipërisë, rruga e emigracionit, të gjitha këto kanë qenë të vështira”, tregon më tej shkrimtarja.
Krahas nxënësve e studentëve entuziastë në bisedën për krijimtarinë e Vorpsit, nga Akademia e Arteve ku studioi të pranishëm janë dhe shumë prej kolegëve të saj, të cilët e kujtojnë Vorpsin për hijeshinë, vargjet që hidhte fshehurazi në ditar, natyrën e saj vetmitare, dhe gjurmët njerëzore që ka lënë në ta... Dikush i kujton talentin si fotografe e piktore. Ndërsa vetë artistja, veçon si figura referencë për të shkrimtaren Mimoza Ahmeti dhe kryeministrin Edi Rama.
“Referencë e shkëlqyer, më duhet ta them sepse shqiptari i ka me vështirësi këto, sidoqoftë Shqipëria e ka zgjedhur Edin dy herë në bashki, tre herë kryeministër. Shqiptarët e zgjodhën, nuk isha unë kur ndodhi, as që e dija kur e njoha. Unë e njoha si një njeri të kultivuar, po ashtu edhe Moza Ahmetin. Kanë qenë njerëz shumë të rëndësishëm në jetën time këtu e 30 vjet përpara, sepse ishin njerëz me shpirt e zemër të dedikuar artit, letërsisë dhe të qenit në mënyrë të bukur në botë dhe kjo për mua është jashtë mase e rëndësishme dhe është edhe sot e kësaj dite”...
Është e vetëdijshme për reagimet ‘e kripura’ që sjellin vlerësime të tilla për figura me peshë politike...
“E di, e jetova këtë kur kryeministri më ftoi të bëja një ekspozitë në COD, e përjetova këtë... Por unë jetoj përtej kësaj, e ndiej veten njeri të lirë dhe i jap vetes të drejtën të them ç’mendoj pa fyer asnjë njeri. Pastaj të tjerët mund të mendojnë ç’të duan. Po fillova të mendoj se ç ’thonë të tjerët, vdiqa vetë”, shton Vorpsi.
E konsideron Shqipërinë si një vend në tranzicion, që ka pësuar ndryshime me peshë, por ndryshe nga vendet ish-komuniste, rrugëtimi i saj diku ngeci. Rregullimi i ekonomisë është me rëndësi, por për Vorpsin prioritet duhet t’i jepet edukimit përmes kulturës dhe mentalitetit.
“Me mentalitetin jemi ende shumë mbrapa. Është ende me urrejtje, intriga, krahasime kush po bëhet më i pasur, kush po bën më tepër. Dhe e shikon dhe nga shkatërrimi i familjeve, vëllezërit kundër vëllezërve, motrat kundër motrave, dhe kjo më duket me të vërtetë shumë e shëmtuar. Shpresoj të kaloj sa më shpejt, sepse besoj që ajo që çon përpara një shoqëri është edukimi dhe kultura”, thotë shkrimtarja.
Në Francë ku jeton, shkrimtarja tregon projektet me të cilat është angazhuar.
“Kam fatin të kemi fituar një bursë mjaft prestigjioze që quhet “Cité des arts”. Them kam fatin, sepse është një konkurs jashtë mase i vështirë nga e gjithë bota dhe janë vetëm 150 vende. Imagjino të gjithë artistët e botës duan të vijnë në Paris. Kështu që kam një studio tani gati luksoze, ku pikturoj, ndërkohë që vazhdoj të punoj me librin. Jeta ime është shtëpia ime, familja ime, vajza, im shoq dhe puna... Kaq më mjaftojnë!”, shton më tej.
Rrëfen se të shkruarit në italisht e frëngjisht për të është një mënyrë për t’u distancuar nga vuajtjet e fëmijërisë. Tanimë librat e saj lexohen në mbi 20 gjuhë të huaja, dhe të tjerë tituj do të përkthehen dhe në shqip. Shqipëria, me të kaluarën e saj komuniste, të pranishme në shkrimtarinë e Vorpsit, duke shmangur aspektin politik e zhbiriluar qenien njerëzore, mund të vijojë të jetë pjesë e subjekteve të saj..
“Pse jo, unë jam një vëzhguese e madhe. Dhe në fakt kështu po e kaloj. Po e vëzhgoj Tiranën... brezin e ri me të gjitha ndryshimet, si observuese shqiptare po që jeto larg”, thotë ajo.