Tiranë- Të mërkurën e 23 Tetorit, Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do të nis një tur vizitash në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, për të shprehur përkushtimin e saj dhe të komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Takimin e parë zyrtarja e lartë e BE-së e zhvillon me kryeministrin Edi Rama, ndërsa një fjalë përshëndetëse do ta mbaje në Kolegjin Europian të Tiranës, e më pas do te bisedoje me Presidentin Bajram Begaj.
Von Der Leyn do të vijojë turin e saj në Maqedoninë e Veriut, më pas në Bosnjë Herzegovinë, Kosovë, Serbi dhe Mal të zi.
E sapo rizgjedhur për një mandat të ri pesëvjeçar, shefja e KE ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionere, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e bllokut.
Vizita e presidentes Von der Leyen ka në fokus integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europian.
Shqipëria u shkëput nga Maqedonia e Veriut, pasi hapi të martën e 15 Tetorit edhe grup-kapitullin e parë të negociatave që lidhen me drejtësinë, gjyqësorin, funksionimin e institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reformen e administratës publike.
Ky grup-kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave për Shqipërinë.
Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.