Hetimet për zbardhjen e krimeve në vend mund të zvarriten dhe shkak është bërë zhvendosja e një ndër institucioneve më të rëndësishme në ekspertimin e provave në vendngjarje. Prej 17 janarit, punë në Institutin e Policisë Shkencore ka ngecur dhe nuk ka një datë zyrtare se kur do të rifillojë.
Ngërçi është krijuar për shkak të transferimit të zyrave të Institututi nga Garda e Republikës, në drejtim të ish-Policisë Ushtarake në zonën e Saukut. Vendimi për të pezulluar punën për një afat të pacaktuar është marrë me firmën e drejtorit Niko Brahimaj, i cili ka vënë në dijeni edhe prokuroritë e rretheve. Lëvizja e të gjitha materialeve nga njëri ambient në tjetrin pritet të marrë kohë, edhe pse burime pranë këtij institucioni thonë se po punohet me ritme të shpejta.
Ky bllokim i përkohshëm i aktivitetit të punës sjell probleme në kryerjen e ekspertimeve ligjore për çështje penale që janë të regjistruara jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, pasi të gjitha çështjet penale janë të varura direkt me laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore.
Në fokus të punës së Policisë Shkencore janë ekspertime që lidhen me armët e krimit, gëzhoja që gjenden në vendin e ngjarjes, drogë, lëndë shpërthyese, aparate celulare dhe objekte të tjera që kërkojnë një përgjigje ligjore.
Kjo është hera e dytë që Policia Shkencore ndërron zyra, pas atyre që ka psur më herët tek Ministria e Brendshme.