“Një moment i ri historik për LMV2: Forcat e Armatosura Shqiptare do të pajisen me automjetet tona...”, shkruan ne postimin e saj ne Linkedin, Iveco Defence Vehicles. Njoftimi i saj po ashtu shpjegon se blerja e automjeteve ushtarake do të financohet nga Bashkimi Evropian përmes Fondit Evropian për Paqen, ndërsa zbatimi është marrë përsipër nga Agjencia italiane e Industrive të Mbrojtjes. Shuma e saktë e financimit nuk është bërë publike, sikundër dhe autoritetet shqiptare nuk kanë shpërndarë asnjë njoftim për këtë.
LMV2 përfaqëson gjeneratën e fundit të modelit të suksesshëm LMV, tashmë i përdorur gjerësisht nga ushtritë e NATO-s. Ky version sjell mbrojtje të rritur balistike dhe kundër minave, një motor të fuqishëm 220 kuaj fuqi me transmision automatik me 8 shpejtësi, si dhe sisteme të përmirësuara të amortizatorëve dhe rrotave, për t’iu përshtatur terreneve të vështira.
Kabina modulare ofron konfigurime të shumta, nga transporti i trupave deri te përdorimet si ambulancë ose qendër komandimi. Përveç kësaj, LMV2 është i pajisur me teknologji moderne komunikimi, navigimi dhe menaxhimi të betejës, duke siguruar një kombinim të lëvizshmërisë së lartë dhe mbrojtjes së avancuar.
Ky model, tashmë i testuar në misione ndërkombëtare përfshirë Afganistanin, ka zëvendësuar LMV-në e parë në ushtritë e disa vendeve evropiane si Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia. Përmirësimet e tij garantojnë mbijetesë më të madhe për ekuipazhin dhe përshtatshmëri të lartë ndaj skenarëve të ndryshëm operativë.
Për Shqipërinë, LMV2 përfaqëson një hap cilësor në modernizimin e kapaciteteve ushtarake, veçanërisht krahasuar me flotën aktuale të automjeteve, si Humvee amerikan apo mjetet e pakta MRAP.
Ky zhvillim e vendos vendin në të njëjtin hap me fqinjët, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që tashmë kanë investuar në platforma moderne të ngjashme. Në aspektin strategjik, furnizimi me LMV2 jo vetëm që rrit gatishmërinë dhe aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura, por gjithashtu forcon partneritetin e Shqipërisë me NATO-n, BE-në dhe Italinë, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit.
Komente

Me mire mjetet SHOTA
Përgjigju