Për të dytin vit radhazi, Shqipëria është përmirësuar në Indeksin e Demokracisë, që publikohet nga revista e njohur ‘The Economist’, duke u renditur në vendin e 68, nga ai i 71 që ishte vitin e mëparshëm. Vendi ynë renditet më mirë se Maqedonia e Veriut (73), Mali i Zi (74), Bosnjë Hercegovina (95), ndërsa më mirë në rajon është Serbia, në vendin e 63.
Shqipëria, në vitin 2021, hyri për herë të parë në grupin e dytë të vendeve të ashtuquajtura demokraci me probleme (ku zgjedhjet janë të lira dhe ka të drejta civile, por ka probleme si liria e medias apo ndrydhja e opozitës dhe krizës).
Dy vite më parë, Shqipëria renditej në grupin e tretë të vendeve me demokraci hibride (kombinim i regjimit politik që shpesh krijohet si rezultat i një kalimi jo të plotë nga një regjim autoritar në një regjim demokratik).
Vendi është më dobët në kategorinë e “pjesëmarrjes politike”, që kishte një pikëzim prej 4.44, e njëjtë me vitin e kaluar. Më mirë Shqipëria renditet në kategorinë e “lirive civile”, me 7.06 pikë (ndonëse ky tregues ka qenë me rënie në dy vitet e fundit), e ndjekur nga “procesi zgjedhor dhe pluralizmi” me 7 pikë (njësoj me vitin e kaluar), funksionimi i qeverisë (6.43, nga 5.36 që ishte në renditjen e vitit të kaluar), kultura politike (5.6, në rënie nga 6.25 vitin e kaluar).
Në një shkallë të përgjithshme të vlerësimit nga 1 në 10 pikë, Serbia shënoi 6.36 pikë (+0.14 pikë krahasuar me 2020), e ndjekur nga Shqipëria me 6.11 pikë (+0.03), Maqedonia e Veriut me 6.03 (+0.14) dhe Mali i Zi me 6.02 pikë (+0.25). Bosnja dhe Hercegovina shënoi 5.04 pikë, që është gjithashtu është përmirësuar nga viti 2020 kur shënoi 4.84.
Ky Indeks i Demokracisë mat gjendjen e demokracisë bazuar në procesin zgjedhor dhe pluralizmin, funksionimin e qeverisë, pjesëmarrjen politike, kulturës politike dhe liritë civile. Vendet e vëzhguara më pas klasifikohen në katër kategori: demokraci e plotë, demokraci me probleme, regjim hibrid ose regjim autoritar. Shteti më demokratik në botë është Norvegjia, i ndjekur nga Zelanda e re, Finlanda, Suedia, Islanda.