Përmbytje në Shkodër

Shqipëria përpara dhe e ardhmja e rrezikshme që i vjen pas

21 Maj 2023, 13:28| Përditesimi: 21 Maj 2023, 13:33

  • Share

Pardje ndodhi sërish. Kryetituj të mediave që jepnin alarmin. Pamje që tregonin tronditjen dhe tmerrin. Sheshe të kthyera në liqene. Shtëpi të rrënuara. Jetë të penguara. Dhjetëra të vdekur. Një makth i kthyer në realitet. Gjashtë muaj shi, që vërshuan brenda një dite e gjysmë duke nxjerrë nga shtrati mbi 20 lumenj, e përmbytën mijëra hektarë në Itali. Përmasat e kësaj fatkeqësie – siç sqarojnë autoritet, por edhe banorët janë të papara në një shekull.

“Fatkeqësia e shekullit” ndodhi vetëm pak milje larg Shqipërisë.

Në një rajon të prirur ndaj tërmeteve shkatërruese, përmbytjeve katastrofike, zjarreve gjithnjë e më të vrullshme dhe rrëshqitjeve të dheut, Shqipëria gjithashtu po vuan më së shumti nga ndryshimet klimatike në Evropë.

Është një histori disavjeçare kjo: çdo vit vazhdojmë të kryesojmë listën e vendeve europiane, si më të prekurit e më të rrezikuarit nga këto ndryshime. Drini na përmbyt çdo dy vjet. Vjosa, virgjëresha jonë e bukur, e lë shtratin çdo pesë vjet, e nuk na kursen në këto vërshime të saj.

Raporti vjetor i rrezikut global nga Bündnis Entëicklung Hilft dhe RUB (2019) e rendit Shqipërinë si vendin e parë në Evropë dhe të 61-tin në mbarë botën për sa i përket rrezikut nga fatkeqësitë. Ndryshime që nuk mund t’i kontrollojmë. Dhe me sa duket, gjithnjë e më shumë, as nuk i menaxhojmë dot.

Shifrat janë tronditëse. Sipas raporteve nga Banka Botërore dhe Fondi Global për Reduktimin dhe Rimëkëmbjen e Fatkeqësive (GFDRR), Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj tërmeteve, përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore.

Baza e të dhënave ndërkombëtare të fatkeqësive (EMDAT) tregon se përmbytjet përbënin shumicën e fatkeqësive natyrore nga viti 1979 deri në vitin 2019, me 38% të të gjitha ngjarjeve, të ndjekura nga tërmetet me 15%.

Shqipëria rrezikohet nga të dyja. Për rrezikun nga zjarret dhe erozioni, ende duhen shtuar disa përqindje. Dhe ndikimi i tyre në të ardhmen e vendit është përcaktues. Veçanërisht në ekonomi.

86% e territorit të vendit është e prirur ndaj ngjarjeve të tilla, të cilat prekin drejtpërdrejt 88.5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Humbjet vjetore për shkak të fatkeqësive arrijnë në afërsisht 2.5% të PBB-së, ekuivalente me rreth 68.7 milionë dollarë çdo vit.

Gjatë dekadave të fundit, Shqipëria ka përjetuar shumë fatkeqësi të mëdha, si përmbytjet, tërmetet dhe ngjarjet ekstreme të motit, që kanë marrë 163 jetë dhe kanë prekur rreth 4 milionë njerëz.

Urgjenca që japin shifrat është shqetësuese dhe bie si kambanë që paralajmëron një rrezik të madh dhe i cili nuk mund të shmanget lehtë.

Në dekadën e fundit, janë investuar mbi 100 milionë dollarë në infrastrukturën e digave, argjinaturave dhe sistemeve të ujitjes, si mbrojtje shtesë kundër përmbytjeve. Rehabilitimi i 14 digave dhe 60 kilometra argjinaturave ka forcuar masat e mbrojtjes nga përmbytjet. Por, përballë forcës së natyrës, a mjafton?

Në vendin tonë, një ndër sfidat kryesore është shërbimi i informacionit klimatik dhe përmirësimi i kapaciteteve të bashkive për të adresuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në nivel lokal. Bashkitë kanë një rol kyç në zbatimin e masave të nevojshme për të përshtatur me këto ndryshime dhe për të minimizuar rreziqet e tyre.

Bashkitë është kryefjala. Bashkitë duhet të kenë burime të mjaftueshme dhe autoritet për të adresuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në zonat e tyre. Ato duhet të jenë në gjendje të marrin vendime dhe të implementojnë masat e nevojshme për të përshtatur infrastrukturën lokale dhe për të mbrojtur komunitetet nga rreziqet klimatike.

Prandaj, është e rëndësishme të thuhet qartë që bashkitë vuajnë nga mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe ekonomike për ta bërë këtë. Pra, për t’u përgatitur që tmerri me të cilin po përballen italianët sot të mos jetë realitet i nesërm i shqiptarëve. Realitet që nuk mund të jetë i largët, po nuk nisëm t’i japim tjetër trajtë.

Për aq kohë shteti është punëdhënësi më i madh në vend, shumë pak politika do të ketë fokus në këtëtogfjalësh të pakuptueshëm nga votuesi, “ndryshimet klimatike”. E aq më pak do të bëjë dicka për t’i parandaluar. Ky togfjalësh sillet ndërmend vetëm kur Drini e Vjosa, marrin përpara hektarë, bagëti, banesa, ura.

Fjalët dhe fjalimet. Diskutimet dhe dokumentet. Strategjitë njëra pas tjetrës. Nuk kanë qenë të mjaftueshme asnjëherë. Tani po bëhet i rrezikshëmmoszbatimi i tyre. As aksionet vullnetare të mirëorganizuara nga vetë shteti, nuk kanë asnjë impakt. Kemi nevojë për veprime konkrete. Fatet e shqiptarëve dhe e ardhmja e vendit varen nga to.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Treni: 24/05/2023 04:39

    Nuk ishte budalla shteti socialist qe mbante ne pune nderrmarrjet e bonifikimit,ujrave,pyjeve,ndertimit etj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?