Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e vogël, pasi struktura e familjeve ka ndryshuar ndërkohë që vala e emigrimit duket se nuk do të ndalojë. Vetëm vjet u larguan nga vendi afro 28 mijë shqiptar, ndërkohë që u lindën 23,310 bebe.
Ekspertët ngrenë alarmin për këtë rënie të popullsisë që sipas tyre mund të jetë edhe më e fortë nëse nuk merren masa, ndërsa aktualisht jetojnë në vend 2.3 milionë banorë, nga 2.4 milionë që ishte rezultati në CENSIN e 2023-shit.
“Nëse do të vazhdojmë me këto ritme që kemi nisur ne për 10-vjet do të jemi më pak se 2 milionë banorë. Familjet po krijohen gjithnjë e më pak brenda vendit, pasi familjet e reja po krijohen jashtë Shqipërisë sepse të rinjtë po emigrojnë”, thotë sociologia Entela Binjaku.
Nga ekonomia, punësimi, paga, strehimi, shëndetësia apo arsimi janë arsye që listuan ekspertët në Report TV se pse çiftet e reja kanë vetëm një fëmijë dhe nuk mendojnë për zgjerim të familjes.
“Të rrisësh një fëmijë në Shqipëri kushton sa në një vend të Bashkimit Evropian, ndërkohë që vendet e BE-së kanë mbrojtje më të madhe sociale. Strehimi përshembull është problem, të marrësh një shtëpi me qira është sa paga minimale, çfarë mund të themi për një çift të ri që duhet të punojë dyfish. Pastaj niveli i pagave në Shqipëri nuk është aq i lartë sa të sigurohet edhe strehimi, konsumi dhe më pas lindjen e një fëmije të dytë e të tretë”, thotë ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.
“Shoqëria jonë nuk është më e sigurt. Individi që do të krijojë një familje nuk është më i sigurt. Pasiguritë që janë përpara janë shumë më të mëdha për të bërë një llogari. Mungesa e sigurisë tek çiftet e reja të cilat mund të jenë të nga prona, shëndeti, arsimi, jetesa, ekonomia etj, e bëjnë çiftin që të kenë më pak fëmijë”, shprehet Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare.
Shifrat INSTAT tregojnë se me përjashtim të qarkut të Tiranës, që ka një rritje të lehtë, të gjitha qarqet e tjera të Shqipërisë janë me ulje të popullsisë, ku situata më problematike është në Shkodër dhe Kukës.
“Popullata vijon e të rritet kur ti i jep siguri për pjesën e standardeve, i jep një garanci përshembull që fëmijët të jenë në shkollë nga ora 8-16.00 dhe prindërit të punojnë. Duhet të ketë garanci që edhe nëse do i bjerë një sëmundje të mos shesë shtëpinë për t’ia dalë”, thotë Qiraxhi.
Ulja e lindshmërisë, plakja e popullsisë e shoqëruar edhe me emigrimin ka kosto të mëdha për ekonomisë të cilës i mungojnë punonjës, konsum dhe po ashtu s’ka kontributet e mjaftueshme për skemën e pensioneve.
Komente
