Foto ilustruese

Kronikë

Shqipëria sërish numër të lartë për aplikimet për azil të fëmijëve, vendi më i preferuar Franca

27 Korrik 2021, 08:27| Përditesimi: 27 Korrik 2021, 19:17

  • Share

Edhe pse në një vit pandemik, që kufizoi udhëtimet, mbi 2 mijë fëmijë nga Shqipëria aplikuan për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, dhe Zvicër. Të dhënat u publikuan nga Eurostat, në raportin e fundit për aplikimet për azil nga fëmijët (personat nën moshën 18 vjeç).

Aplikimet nga Shqipëria përbënin 12% të totalit nga shtetet Europiane (jo anëtarë të BE-së). Në vend të parë është Turqia (24% të aplikimeve totale nga Europa) dhe Rusia (23%). Të dy këto shtete kanë një popullsi shumë më të lartë se vendi ynë, duke bërë që Shqipëria të jetë rekord për aplikimet për azil të fëmijëve në raport me popullsinë.

Në vend të katërt është Moldavia me 10% dhe më pas renditet Serbia me 8%.

Franca, më e preferuara për fëmijët shqiptarë

Sipas Eurostat, në total kishte 2,125 aplikime nga fëmijët shqiptarë në vendet e BE-së dhe Zvicër në 2020-n (nga të cilët gati 83% ishin nën 14 vjeç). Në krahasim me vitin e mëparshëm aplikimet kanë rënë rreth 3 herë për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Destinacioni kryesor i aplikimeve të fëmijëve është Franca, që njihet si një shtet me praktika më sociale. Në 2020-n, ai përbënte 44% të totalit të aplikimeve, e ndjekur nga Gjermania, 22.6%, Greqia 11.3%, Belgjika 6.8%, Italia (5.8%), Suedia (3.7%).

Në vitin 2019, rreth 10% e aplikimeve nga fëmijët u bënë në Mbretërinë e Bashkuar, por në 2020-n, Eurostat nuk ka raportuar të dhëna për shtetin që ka dalë tashmë nga BE-ja.

Aplikimet e fëmijëve shqiptarë për azil në 2020-n zinin 34.3% të totalit, sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor.

Aplikimet në total

Sipas Eurostat, në vitin 2020, rreth 129.6 mijë fëmijë (persona nën 18 vjeç) paraqitën një kërkesë për herë të parë për azil në BE që korrespondon me 31% të numrit të përgjithshëm të kërkesave për herë të parë të azilit të regjistruar në BE. Midis atyre fëmijëve, 10% ishin të mitur të pashoqëruar që korrespondonin me 3% të numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve për herë të parë.

Në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së, përqindja e fëmijëve në numrin e përgjithshëm të azilkërkuesve për herë të parë ndryshonte në vitin 2020 nga 54% në Gjermani në 6% në Sllovaki, ndërsa pjesa e të miturve të pashoqëruar në numrin e përgjithshëm të azilkërkuesve për herë të parë ishte më e larta në Bullgari (23%) dhe më e ulëta në Spanjë (0,1%). Në Çeki, Estoni, Letoni, Lituani dhe Hungari nuk u regjistrua asnjë aplikim nga të miturit e pashoqëruar nuk u regjistrua në vitin 2020.

Në lidhje me vendin e shtetësisë së aplikantëve të mitur për herë të parë të azilit në vitin 2020, më shumë se gjysma (52%) e fëmijëve kishin një shtetësi të një vendi aziatik, 22% afrikane, 13% nga Amerika dhe 9% kishin një shtetësi europiane nga një vend jo i BE-së. Siria, (me 25% të numrit të përgjithshëm të fëmijëve që kërkojnë azil për herë të parë) ishte shtetësia kryesore e azilkërkuesve të mitur për herë të parë në 2020.

Pjesa e të miturve të pashoqëruar në numrin e fëmijëve që kërkojnë azil për herë të parë nga kontinenti ishte 15% për Azinë dhe 11% për Afrikën, ndërsa kjo pjesë ishte e barabartë me 2% për Evropën (jo-BE) dhe 1% për Amerikën. Në vitin 2020, vendi kryesor i shtetësisë së aplikantëve të azilit që konsiderohen të mitur të pashoqëruar ishte Afganistani (41% e totalit të BE-së të të gjithë aplikantëve që konsiderohen të mitur të pashoqëruar)./ Monitor

Ora 19:15
Raporti i EUROSTAT për Shqipërinë, Meta: Ndal mpakjes së Shqipërisë dhe shpopullimit të saj nga fëmijët dhe të rinjtë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me raportin më të fundit të EUROSTAT, ku vendi ynë renditej i treti në Europë për aplikimet për azil të fëmijëve. Meta thotë se kjo është një fatekqësi kombëtare dhe se duhet të ndalet zbarzja e Shqipërisë nga fëmijët dhe të rinjtë.

Në fund të shkrimit të tij Meta apelon me forcë domosdoshmërinë për të shumëfishuar përpjekjet e gjithë aktorëve për t’i thënë ndal mpakjes së Shqipërisë dhe shpopullimit të saj nga fëmijët dhe të rinjtë, të cilët meritojnë mundësi dhe hapësira të reja për t'u ndjerë plotësisht të realizuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe.

'Ndal mpakjes së Shqipërisë dhe shpopullimit të saj nga fëmijët dhe të rinjtë!

Zbrazja e Shqipërisë nga fëmijët dhe të rinjtë vijon të jetë një fenomen thellësisht shqetësues, me tendencë të rrezikshme për t’u kthyer në një fatkeqësi kombëtare.

Raporti më i fundit i EUROSTAT, na rendit të tretët në Europë për aplikimet për azil të fëmijëve, që zënë gati 34.3% të totalit të kërkesave nga ve\

ndi ynë, shifër rekord në raport me popullsinë.

Prej kohësh kam dhënë alarmin, referuar edhe konkluzioneve të organizatave të tjera prestigjioze ndërkombëtare, mbi nevojën e marrjes së masave urgjente për përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve dhe rikthimin e shpresës në Shqipëri.

Sepse edhe sipas Bankës Botërore, të paktën 100,000 fëmijë në vendin tonë, nuk e kanë të garantuar një vakt ushqimi në ditë.

Ndërsa referuar indeksit “Jashtë Hijes” të “The Economist Intelligence UNIT”, në analizën e mbi 40 vende të botës, Shqipërisë i jepet zero pikë për mekanizmat jofunksionalë të saj për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale.

Më herët, në raportin e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës është evidentuar se 41% e fëmijëve në vendin tonë, janë viktima të një forme të dhunës në shkolla.

Gjithashtu sipas “Save the Children”, pothuajse 55% e fëmijëve të moshës 12-17 vjeç nuk janë optimistë për gjetjen e një pune pas përfundimit të shkollës dhe si alternativë zgjidhje japin largimin nga Shqipëria.

Raporti “Fëmijët Mbrojnë Fëmijët”, i përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri dhe “Save the Children”, bën të ditur se 86% e fëmijëve në vend thonë se të drejtat e tyre nuk respektohen, ndërkohë që 89 % e fëmijëve të intervistuar deklarojnë se Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm apo aspak për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Sipas GALLUP-it, 79 % e të rinjve në Shqipëri, dëshirojnë të largohen nga vendi, për shkak të varfërisë, papunësisë, përjashtimit social dhe korrupsionit.'- shkruan Meta.

Apeloj me forcë domosdoshmërinë për të shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve për t’i thënë NDAL MPAKJES SË SHQIPËRISË DHE SHPOPULLIMIT TË SAJ NGA FËMIJËT DHE TË RINJTË, të cilët meritojnë mundësi dhe hapësira të reja për t'u ndjerë plotësisht të realizuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe.

Duhet të bëjmë gjithçka, ashtu siç na porosit edhe Papa Françesku, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve.'- shkruan Meta.

/M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?