Shqipëria shpalli 'non grata' diplomatin, Rusia zyrtare: Do kundërpërgjigjemi! Ambasada: Nuk na kanë informuar për shkeljen e masave anti-COVID

22 Janar 2021, 10:38| Përditesimi: 22 Janar 2021, 17:03

  • Share

Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar pas vendimit të Qeverisë shqiptare të për të shpallur non diplomatin rus, Alexey Krivosheev për shkelje të masave anti-COVID. 

Sipas mediave ndërkombëtare zv.ministri i jashtë rus, Alexandër Grushko ka deklaruar  Rusia do t'i përgjigjet Shqipërisë për dëbimin e diplomatit. 

"Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje," tha Grushko.

Qeveria Shqiptare njoftoi dje shpalljen person të padëshirueshëm të diplomatit rus Alexey Krivosheev, me argumentin se ky i fundit ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha masat anti-COVID. Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme, thuhet se në drejtim të Krivosheev ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme dhe pavarësisht paralajmërimeve të bëra, diplomati nuk ka reflektuar, madje ka vijuar me sjelljen e tij neglizhuese. Një gjë e tillë, sipas ministrisë ka nisur që në prill të 2020, në muajin e parë të pandemisë, si edhe ka vijuar edhe në fillim të këtij viti, pavarësisht paralajmërimeve të shumta që kishte marrë.

Për këtë arsye, qeveria shqiptare urdhëron Krivosheev të largohet nga Shqipëria brenda 72 orëve, duke kërkuar mirëkuptimin e palës ruse lidhur me këtë vendim.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka mësuar se Krivosheev ka thyer disa herë orën policore. Ai ka pasur përplasje me policinë ku ka thënë se ka status diplomati dhe nuk mund të gjobitet.

Ora 14:59
Dëbimi i diplomatit, reagon Ambasada Ruse në Tiranë: Nuk na kanë dhënë prova për shkeljen e masave antiCOVID! Ishte i infektuar, qëndroi 2 javë në izolim

Pas vendimit të dëbimit të diplomatit rus Aleksej Krivoshejev, ka reaguar Ambasada Ruse në Tiranë. Përmes një postimi në rrjete sociale, ambasada shkruan se nuk është paralajmëruar më parë nga ana e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë se diplomati ka shkelur masat antiCOVID. Gjithashtu ato i konsiderojnë akuzat të pavërteta dhe të sajuara dhe se ministria nuk ka sjellë prova për shkeljen e këtyre masave.

Sipas tyre, Krivoshejev ka qenë i infektuar me COVID në fillim të nëntorit 2020 dhe ka qëndruar i vetëizoluar në banesë sëbashku me familjen e tij duke respektuar masat.

Njoftimi i plotë:

E konsiderojmë të paargumentuar vendimin e autoriteteve shqiptare për dëbimin e diplomatit rus. Gjithashtu, jemi të befasuar nga përmbajtja e deklaratës përkatëse për shtyp të MEPJ-së së Shqipërisë.

Përkundër pretendimeve të Ministrisë, emri i Aleksej Krivoshejev nuk është përmendur asnjëherë gjatë kontakteve midis Ambasadës Ruse dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Për herë të parë dhe të fundit, ai është përmendur në Notën Verbale të  MPJ-së me dt. 20.01.2021, sipas së cilës z. Krivoshejev është shpallur “persona non grata”. Në të njëjtën kohë, asnjë provë e shkeljes prej tij të masave anti-kovid, të vendosura në Shqipëri, nuk është sjellë.

Më herët, në korrik të vitit 2020, në një takim midis Ambasadorit dhe Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, G. Cakaj, u ngrit çështja e pretendimeve, meqë ra fjala, gjithashtu, mjaft të diskutueshme, për sjelljen e një diplomati tjetër. Pikërisht atëherë z. Ambasador premtoi të merrej me këtë çështje, premtim, i cili u përmbush. Vërejtje në adresë të këtij punonjësi nuk pati dhe ai u largua me sukses nga vendi pas disa muajsh, duke përfunduar shërbimin e tij.

Sa i përket z. Krivoshejev, pasi u diagnostikua me COVID-19 në fillim të muajit nëntor 2020, në përputhje me protokollin mjekësor, ai ka qendruar në vetëizolim për dy javë me anëtarët e familjes së tij, duke respektuar rreptësisht karantinën e pëcaktuar, dhe ka dalë në punë vetëm pasi ka kaluar dy teste negative. Kontakte të jashtme, përveç vizitës në institucionet mjekësore për të kryer testet përkatëse, ai nuk ka patur.

Ne besojmë se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe të sajuara. Në sfondin e kësaj ngjarjeje, sigurimet e palës shqiptare në lidhje me përpjekjet e saj në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona ngjallin dyshime.

Gjithashtu, drejtojmë vëmendjen tuaj te fakti se, në përputhje me praktikën diplomatike ndërkombëtare, emrat e punonjësve të misioneve diplomatike të shpallur “persona non grata” nuk i komunikohen publikut. Kjo është, ndër të tjera, një nga detyrimet e vendit pritës, me qëllim ruajtjen e sigurisë personale të diplomatëve dhe anëtarëve të familjes së tyre. Publikimi i emrave mund të ndodhë, vetëm pasi punonjësi është larguar nga vendi pritës.

Ora 13:20
U shpall 'non grata', Report Tv mëson se ç'ndodhi me diplomatin rus! Është përplasur me policinë: Nuk më gjobisni dot

1611265067_rusia.jpg

Shpallja 'non grata' e diplomatit rus Alexey Krivosheev ka shkaktuar reagime të shumta në Rusi. Por çfarë ka ndodhur me diplomatin?

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka mësuar se Krivosheev ka thyer disa herë orën policore.

Ai ka pasur përplasje me policinë ku ka thënë se ka status diplomati dhe nuk mund të gjobitet.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alb: 22/01/2021 11:09

    Ca do bente edvini ta helmonte me novichok max kete ben e shpall non grata se nuk vuri masken ti harroj pushimet ne golem ai rusi.

    Përgjigju
    • Arben: 22/01/2021 20:19

      Ju te FSB(sherbimi i jashtem i spiunazhit rus) lerini komentet me emra fallco dilni hapur mjaft na shkruajtet nga NISHI i Serbise

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?