Foto ilustruese

Kronikë

Shqipëria, shteti që shpenzon më shumë për bukë në Europë dhe e ka më të shtrenjtën në raport me të ardhurat

8 Shtator 2021, 07:29| Përditesimi: 8 Shtator 2021, 07:34

  • Share

Shqipëria renditet si vendi në Europë, ku banorët e saj shpenzojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat e tyre.

Sipas tabelave të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB- që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një vit) ishin 4.8%, në vitin 2020, më të lartat në Europë (shiko grafikun: Shpenzimet nominale si përqindje ndaj PBB, bukë dhe drithëra, viti 2020).

Viti pandemik ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve për këtë produkt jetësor, teksa në periudhën 2016-2019, ky tregues ishte ulur në 4.7% të PBB-së.

Shteti i dytë pas nesh është Rumania, me 4% të PBB-së, si shpenzime për bukë dhe drithëra, Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.1% dhe Maqedonia me 3%. Edhe Greqia, ndonëse një vend në Bashkimin Europian, shpenzon 2.7% të GDP-së për bukë dhe drithëra. Serbia, e ka këtë tregues më të ulëtin në rajon, me 2.4% (të dhënat për Kosovën mungojnë).

Mesatarja e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate (përjashtuar Turqinë dhe Kosovën) është 3% e GDP-së, shumë më e lartë se mesatarja prej 1.3% e 27 vendeve të Bashkimit Europian.

Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 220 euro në vit, më të lartat në rajon, së bashku me Malin e Zi (266 euro). Nivelin më të ulët në rajon e ka Maqedonia (157 euro) e më pas Serbia (164 euro). Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre.

Buka më e shtrenjta në Europë sipas fuqisë blerëse

Eurostat raporton se çmimet e bukës e drithërave në Shqipëri ishin sa 70% e mesatares së Bashkimit Europian (treguesi i nivelit të çmimeve, BE-27=100). Por, e matur

sipas metodës së fuqisë blerëse (ku mesatarja e Bashkimit Europian merret si referencë me 1), shqiptarëve u kushton blerja e bukës 87 herë më shtrenjtë se një europiani. (shiko grafikun: Buka dhe drithërat sipas barazisë së fuqisë blerëse, viti 2020).

Shqipëria është shteti që ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me totalin, një tregues ky i nivelit të ulët të të ardhurave, që dikton plotësimin e nevojave bazë, përpara se të fillojë të mendojë për shpenzime më pak bazike e deri të ato që nuk janë të domosdoshme, si psh argëtimi. Të ardhurat mesatare për frymë të shqiptarëve janë sa 31% e mesatarës së Bashkimit Europian, më e ulëta në Europë (pas nesh është Bosnja me 32%)

Sipas tabelave të Eurostat, shpenzimet për ushqime dhe pije alkoolike zënë 38% të totalit për familjet shqiptare, në krahasim me 13% që është mesatarja e 27 vendeve të bashkimit Europian dhe 30.6% që e ka shteti i dytë në listë pas nesh, Maqedonia e Veriut. (Shiko grafikun: Shpenzimet finale për konsum, ushqime dhe pije jo-alkoolike, 2019)

Së fundmi, disa furra në vend kanë rritur çmimin e bukës me 10 lekë, duke e çuar në 80 lekë, me një shtrenjtim rreth 14%.

Anëtarë të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës, Patiçerive dhe Brumrave thonë se së shpejti rritja e çmimit të bukës me 10 lekë do të ndodhë në të gjithë tregun. Arsyeja kryesore e rritjes të çmimit të bukës është rritja e çmimit të mielllit në tregun vendas me 5 lekë/kg që në fillim të muajit gusht./ Monitor

Komento

Komente

  • Iris: 08/09/2021 23:11

    E si te mos jemi te paret! Ne edhe kur shkojme per te ngrene,nuk themi do hame dreke,o darke,ne themi do hame buke,kam marre buke me vete,po bej gati buken,etj;buka eshte sinonim i gjithe vaktit dhe ne shekuj kemi vuajtur per buken e gojes,kemi demonstruar ne emer te saj,kemi mallkuar ne emer te saj(Legjenda e misrit),bile dhe shajme(te ngelte buka ne fyt),ose themi shprehje te tilla si:e vrau me buke ne goje.Ama bejme buken me te mire e me te shijeshme ne te gjithe boten.Nuk eshte cudi, qe pervec arsyeve te tjera, luan rol dhe superkerkesa qe kemi per buke, ne rritjen e cmimit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?