Sheshi 'Skënderbej'

Shqipëria, si anarki liberale dhe paterica e Tony Blair?!

30 Gusht 2022, 22:46| Përditesimi: 30 Gusht 2022, 22:47

  • Share

Shqipëria duhet të kishte pasur ndonjëherë në histori ndonjë lloj qasje liberale për të përcaktuar nëse ka arritur ndonjëherë në një stad lirie dhe zhvillimi të tregut të lirë apo për të ditur se në çfarë shkalle e përfaqëson tashmë lirinë individi i saj. Për hir të së vërtetës, në mënyrën sesi është organizuar shteti modern shqiptar pas vitit 1920, kur për herë të parë institucionalisht ngriti strukturat, kemi më shumë një kaos dhe përpjekje të improvizuar për administrim të shtetit të varfër, sesa ndonjë ide politike-ekonomike të qartë. 100 vjet më vonë, paradoksi është se më 2022 shteti ynë vazhdon të jetë i ngërthyer me probleme: pa një model ekonomik të përcaktuar, pa një platformë sociale dhe me module zhvillimi, që në fakt nuk shkojnë me programet e partive, ku ende liria i individit dhe tregu i lirë janë të ndërvarura shumë nga kaotizmi i pushtetit.

U duk se kryeministri Rama do i shkonte më afër liberalizmit. Ajo që Rama në fillimet e veta të aksionit politik e përshtati me Rrugën e Tretë apo Social-liberalizmin, ishte një lloj E Majte e frymëzuar nga aksioni i Laburistëve të Tony Blair. Dhe, sërish Toni Bler, pikërisht një organizëm i tij do ta këshillojë kryeministrin tonë në dekadën e tretë të shekullit XXI. Fillimet e Ramës mëtonin të ishin brenda ideologjizimit brenda të Majtës në formë kanonike, por që në momentin kur do të merrej me look-un e partisë me simbolikën e saj tregonte se liberalizmi i ri shqiptar, që donte ai të përfaqësonte, ishte një përshtatje pa sens e asaj që pritet në kapitalizëm nga një shtet i tillë si yni. Jo thjesht politika fiskale, zgjedhjet, tregu por tashmë edhe struktura e njerëzve që e mbështet është jashtë të Majtës. Në fakt, administrata e Ramës falë mbajtjes dhe kontrollit së të gjitha institucioneve është drejt një forme krejt të munguar të liberalizmit. Për të mos thënë një liberalizëm krejt kaotik. “Si mundet që ne ta bllokojmë qeverinë që kemi krijuar nga të transformuarit në një Frankenshtajn që do të shkatërrojë pikërisht lirinë që ne duam që ajo të na mbrojë? Liria është një bimë e rrallë dhe delikate. Mendja jonë na e thotë dhe historia na e konfirmon se kërcënimi më i madh ndaj lirisë është përqendrimi i pushtetit. Qeveria është e nevojshme për të mbrojtur lirinë tonë, është një instrument përmes të cilit ne mund të ushtrojmë lirinë tonë; megjithatë përmes përqendrimit të pushtetit në duar politikanësh, ajo është gjithashtu një kërcënim ndaj lirisë”, shkruan Milton Friedman tek “Kapitalizmi dhe liria”.

Në fakt, citimi i drejtohet SHBA-së, një vendi ku liberalizmi është kanonik dhe ka kaluar sfida të jashtëzakonshme në kapitalizëm. Po Shqipëria? E vështirë të thuhet në këtë moment kur borxhi real përtej shifrave zyrtare ka shkuar në nivele të papërballueshme, “ku vetëm për vitin 2022, stoku i Borxhit Publik është planifikuar të jetë rreth 1,40 biliard Lekë, me një rritje prej 78.6 miliardë Lekë apo 6% krahasuar me stokun e borxhit publik, planifikuar për vitin 2021. Kjo nënkupton një kosto për frymë rreth 496,040 Lekë apo mbi 4000 euro për person. Krahasuar me vitin 2017, një qytetar Shqiptar parashikohet të paguajë rreth 117,343 Lekë më shumë, me një rritje të kostos për frymë prej 31%, për këtë pesëvjeçar”, citojmë llogaritjen e kostos në një shkrim të politologut Ilir Kalemaj.

Sikur të mos mjaftojë kjo, investimet publike reale nuk është se kanë peshë apo impakt në jetën e publikut, që po kërkon ikjen me ritme marramendëse. Dhe, paçka faktit se ikja tashmë është një trend ballkanik për Shqipërinë po rezulton gati kolapsues. Nga ana tjetër, të shikosh fushatën që po bën Mbretëria e Bashkuar të kap tmerri për masën e madhe të shqiptarëve që duan të ikin me çdo kusht dhe mënyrën e egër sesi po kthehen bashkë-vendasit tanë. Pamundësia e një të ardhme, mungesa e rregullave në Tregun e Lirë, Liria e duhur e Individit, siguria në vend dhe përqendrimi i pushtetit, si edhe mungesa e alternativave i ka bërë shqiptarët që gati në çdo fashë shoqërore të kërkojnë me ngut ikjen. Gjuha e përdorur jo thjesht për problemin e Butrintit, por ngurtësia për të përballur ligjërisht çështjen e inceneratorëve është më shumë se shqetësuese dhe mos gjetja e një logjike të duhur për ta justifikuar ka treguar se arroganca e qeverisë e ka të centralizuar gjithçka. Mbase nuk është për të folur për PPP-të që kanë mbartur shumë presione apo edhe kauza të tjera, që e ngritën dikur shumë PS-në.

Duke e përshtatur më shumë qasjen britanike, duke i çuar këtë herë socialistët te liberalët bashkëkohorë, njerëzit mundohen të shohin në formën klasike atë që shpesh mëtojnë ideologët e Majtës: Liberalët janë të kujdesshëm kundrejt përpjekjeve konservatore që synojnë për t’i transferuar funksionet e qeverisë tek firmat private si kontraktorët privatë ushtarakë, burgjet private, shkollat ​​private dhe siguruesit privatë shëndetësorë, anipse ky nuk është rasti i Shqipërisë. Aman, shqetësues mbetet përqendrimi i pushtetit dhe mënyra sesi pushteti kërkohet nga opozita për të bërë gati të njëjtën gjë, që akuzon Ramën.

“I angazhuar për të vepruar dhe me besim tek e mira e pushtetit për aq kohë sa pushteti është në dorën e një qeverie në dukje të kontrolluar nga elektorati, Liberali i shekullit të njëzetë favorizon qeverinë e centralizuar…”, thotë Friedman në të njëjtin vend, duke e justifikuar deri diku këtë trend. Në fakt, një parashikim i shumë dekadave të shkuara.

Po Shqipëria e sotme ka një qasje të vagullt me atë që dikur shoqëronte laburistin karizmatik Bler, sot sërish pranë qeverisë Rama dhe i atashuar për të këshilluar. Tony Blair ishte politikani perfekt për një epokë me vëmendje të planit afatshkurtër. Ajo që ai thoshte një ditë nuk kishte asnjë lidhje me atë që do të thoshte të nesërmen: nëse dikush do t’ia vinte në dukje kundërshtinë, ai do të përdorte frazën e tij të preferuar: “Është koha për të vazhduar përpara”, sikur të zbulonte vetë debatin në atë që thoshte, do të shkruajë pak vite më parë Theodore Dalrymple në artikullin:“Delusions of Honesty, Tony Blair’s domestic legacy: corruption and the erosion of liberty”.

Tony Bler do të shndërrohej në një qenie krejt tjetër kur mori pushtetin. Njerëzit që pëlqejnë Formula-1 e dinë mirë sesi bosi i saj Bernie Ecclestone i ofroi Partisë Laburiste një donacion prej 2 milionë dollarësh me kushtin që qeveria të mos i ndalonte reklamat e cigareve në ngjarjet sportive. Qeveria Bler nuk hezitoi. ”Ishte aftësia e tij për të besuar të pavërtetat e tij që u treguan kaq bindëse për të tjerët; kjo ishte ndër pasuritë e tij më të mëdha politike”, shkruan Dalrymple.

Por Blair vazhdoi me rregullsi monotone. Një nga aktet më të famshmet ishte letra që Blair i dërgoi kryeministrit rumun, Adrian Nastase, duke e inkurajuar atë të shiste prodhuesin shtetëror të çelikut Sidex tek industrialisti miliarder Lakshmi Mittal. Kjo do ta ndihmonte aplikimin e Rumanisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, argumentoi Blair, nëse një kompani britanike do të blinte prodhuesin e çelikut. Veçse kompania e Mittal nuk ishte britanike, kurse nga 125.000 punonjësit e saj, vetëm 100 syresh punonin në Britani, për të mos thënë në të vërtetë, edhe vetë Mittal nuk ishte britanik. Megjithatë, ai kishte dhuruar 250,000 dollarë për Laburistët pak më parë, citojmë Theodore Dalrymple (Ibid).

Po pse liberalizimi klasik po humbet forcë? Me sa duket premtimet dhe kanonet e dikurshme për transparencën qeveritare, fjalën e lirë, masat për të mbrojtur të drejtat individuale dhe llogaridhënia publike pothuaj nuk janë ato të premtuarat nga socialistët dhe cilido që merret me laburistët e sotëm. Por, çfarë duhet?! Më shumë sesa paterica e shtrembët e Tony Blair kemi nevojë për një qeveri të përgjegjshme sepse na duhet një arbitër, apo si e thoshte me të drejtë Friedman: “Nevoja për qeveri është nevoja për shkakun se liria absolute është e pamundshme”. (Homos Albanicus)

Komento

Komente

  • Eri: 31/08/2022 09:34

    Jemi ende ne transition qofte ekonomik ashtu edhe te pjekjes intelektuale dhe demokratike. Me duket normale te jemi paterica e Toni Blair dhe kones se tij Rama.

    Përgjigju
  • Tony: 31/08/2022 01:15

    Blair eshte i njohur per dy skandale: u gjend genjeshtar nga gjykatesi hetues ne UK per luften ne Irak ku pa pike turpi deklaroi se intelligenca britanike kishte info per WMD, ne menyre qe te krijonte baze ligjore per Bush te sulmonte; e dyta, kur per shkak te krizes energjitike beri shok Gadafin, madje edhe Luli yne vate e takoi. Sot ai ka nje mision te ri. Ti beje propogande mafiozit Rama dhe te negocioje te drejtat mbi burimet hidrokarbure ne Jon. Ku Rama i ka perzene Gjermanet e Merkel qe e sollen ne pushtet, dhe tashme inka rregullu pipzat me kompanite britanike te cilat kane marre disa kontrata ne Greqi. E ashtuquajtura "falas" e Blair perkthehet ne interesa energjitike. Qe mafiozi yne do ti ndaje ne menyre "strategjike".

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?