Ka një qytet në Shqipëri që lindi nga dashuria për bashkëshorten dhe që u shkatërrua nga urrejtja luftërave për territor.
Kjo histori është shkruar në Antigone, qyteti jetëshkurtër që zgjati 150 vjet, emri i të cilit lidhet me gruan e mbretit Pirro.
I themeluar në vitin 295 para erës sonë, Antigoneja u zhbë si qendër e rëndësishme pasi Roma i dënoi ashpër epiriotët që kishin luftuar kundër saj.
Prej asaj kohe, qyteti nuk u rindërtua më kurrë. Vetëm në shekullin VI mbas Krishtit brenda tij u ndërtua një kishë paleokristiane.
Rrënojat e qytetit antik u zbuluan në vitin 1960 nga arkeologu Dhimosten Budina.
Sot Antigone me sipërfaqeje 45 ha dhe territor mbi 90 ha është një destinacion turistik, ndonëse jo shumë i frekuentuar. Kuriozitet për të kanë më shumë turistët e huaj që lexojnë për zonat që do të vizitojnë në Shqipëri.
Këta turistë gjermanë e francezë kanë zgjedhur ta vizitojnë qytetin antik 14 km në lindje të Gjirokastrës por edhe të shijojnë natyrën dhe kulinarinë e zonës.
Ata nuk kanë zbuluar vetëm parkun arkeologjik ndër më të mëdhenjtë në vend, por edhe petullat e zonjës Fatbardha dhe byrekun me spinaq e lakra të egra.
Flamuri ka ngritur të vetmin agroturizëm në Antigone, me mbështetjen e fondeve të qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian. Për të edhe ushqimi në tryezë duhet të jetë tipik shqiptar dhe i shëndetshëm.
Në këtë mënyrë vendasit duan t’u tregojnë turistëve se në qytetin antik sot mbizotëron dashuria për natyrën, historinë e jetën.