Të apasionuarit pas ngjitjeve në mal mund të shkojnë në Kukës.
Mali i Gjallicës me një lartësi prej 2489 m është destiancioni i duhur.
Ky sport nuk është vetëm për të rinjtë por edhe për ata që e kanë sfiduar prej shumë vitesh Gjallicën e shumë male të tjerë.
75 vjeçari Bislim Cena është një prej tyre.
Dikur me profesion mësues, ai tregon se në malin e Gjallicës, është ngjitur që në moshën 9 vjeçare për të kullotur bagëtitë.
Ndërsa Hasim Cengu 71 vjeç ngjitjen e malit të Gjalicës e bën dy herë në vit me grupe të organizuara. Ai ndihet i fortë fizikisht dhe nuk i ka problem 6 kilometrat rrugë malore. Si drejtues grupi e njeh zonën me detaje, duke shpjeguar çdo shteg, gojëdhënë apo fakte historike, siç janë rrënojat e një kishe të shumë të lashtë në lartësinë e 2250 metrave në Gjalicë.
Bjeshka e Gjalicës mbete atraksioni turistik më i pëlqyeri nga turistët dhe të apasionuarit e ngjitjes së lartësive në Kukës.
Ky mjedis ofron pamje krejtësisht të virgjëra për eksploruesin.
Gjatë sezonit krahas bukurive, luleve shumëngjyrëshe, shtigjeve, lëndinave, pishave e lartësive ofron edhe fruta të egra e bimë mjekësore.
Por këto resurse shpesh herë janë të pa zbuluara apo të pa aksesueshme nga mungesa e guidave dhe infrastrukturës rrugore e akomoduese.