Zerqani, mbushur me histori e legjenda është krahina më piktoreske e Bulqizës. Parku natyror "Zabeli e Vakëfit", pylli me gështenja, gurrat e livadhet ofrojnë një bukuri të pa matë. Me një sipërfaqe prej 8 mije hektarësh, ky fshat ndodhet 17 kilometra nga qyteti i Bulqizës dhe 7 kilometra nga rruga nacionale Tiranë – Peshkopi.
Sapo kemi lënë rrugën nacionale marrin kthesën për në Zerqan! Të vret syrin kjo tabelë e rrënuar, e pandryshuar prej dekadash, me emërtimin e vjetër të komunave. Ndërsa rruga deri në qendër të fshatit është e asfaltuar dhe e mirëmbajtur.
Banorët na drejtojnë fillimisht tek shtëpia dhe teqeja e Mustafa Shehut, i cili ka qenë fetar dhe atdhetar që luftoi në vitet 1835-1844 kundër turqve. Na mirëpret nipi, Naim Shehu, i cili na rrëfen historinë e familjes.
"Kjo familje ka tradita patriotike, si me marrjen pjesë në luhtë të Sheh Mustafës, i cili organizoi luftën e Drinit".- rrëfeu ai.
Vendimi për restaurimin e këtij objekti, monument kulture i kategorisë parë është marrë në qershor nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë, por ende s'kanë mbërritur grupet e punës. Ne ndërkohë vizitojmë ambientet e brendshme.
"Kjo është dhoma ku priteshin miqtë, njerëzit e nderuar", tha ai.
Zerqani njihet dhe për "Zabelin Vakëf", park natyror me pemë të larta dhe burime ujore, që banorët e kanë ruajtur ndër vite me fanatizëm, duke e konsideruar vend të shenjtë!
"Është vend i shenjtë, që ruhet me fanatizëm nga banorët e fshatit", tha Mehdi Sinani.
Por si në gjithë fshatrat e vendit, Zerqani vitet e fundit është 'tkurrur' si pasojë e emigrimit.
'Ju bëj thirrje të rinjve të vijnë e të investojnë në vendlindje', tha kryeplaku Muhamed Sula.
Me tradita, histori dhe resurse natyrore, turizmi nuk ka njohur zhvillimin e merituar në Zerqan, megjithatë mbetet një ftesë e hapur për të gjithë eksploruesit e maleve dhe jo vetëm. Mund të qëndroni në hotelet dhe bujtinat e Peshkopisë apo Bulqizës dhe ta përfshini Zerqanin në axhendën tuaj të udhëtimeve.
"Është një vend fantastik ku kalohet mirë me familjen dhe shoqërinë, ka natyrë dhe monumente kulture", tha gazetari Sami Curri. "Gurrat dhe zabeli i Zerqanit ju ofrojnë një ngjitje të bukur, prandaj duhet ta vizitoni Zerqanin", shton gazetari Geri Emiri.