Shqipëria U-17 ka pësuar një tjetër humbje në ndeshjet ndërkombëtare, duke lënë shije të hidhur për trajnerin Andrea Tedesco. Pas sfidës ku kuqezinjtë u mundën 0-4 nga Gjermania për Euro 2025 në Elbasan, tekniku italian tha se skuadra e tij nuk ishte mjaftueshëm cinike përpara portës kundërshtare.
“Humbëm një tjetër ndeshje. Pësuam dy gola në pjesën e parë dhe më pas nuk arritëm të konkretizonim rastet që krijuam. Kishim mundësi për ta hapur ndeshjen, por mungoi finalizimi. Në fund, rezultati nuk na favorizoi”, deklaroi Tedesco.
Trajneri i u ndal edhe te aspekti psikologjik dhe përqendrimi në fushë, duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të çdo rasti të krijuar.
“Qasja ndaj Portugalisë ishte ndryshe nga ajo me Gjermaninë, por në të dyja rastet ne nuk patëm mprehtësinë për të shënuar. Patëm hapësira dhe mundësi, por nuk i shfrytëzuam. Këto janë momente që bëjnë diferencën dhe që na duhen për të ecur përpara”, tha ai.
Tedesco kërkon që mediat dhe mjedisi rreth skuadrës të tregojnë durim me këta të rinj.
“Dy apo tre lojtarë kanë potencialin për të bërë hapa të mëdhenj përpara, nëse vazhdojnë me profesionalizëm. Por në këtë moshë, fokusi duhet të jetë tek rritja, formimi dhe ndërtimi i një profili solid për të ardhmen. Nuk duhet të flasim për rezultate tek U-17, por për progresin që do të shërbejë për ekipet kombëtare të moshave më të mëdha”, përfundoi trajneri kuqezi.
Në dy ndeshje Kombëtarja U-17 ka pësuar tetë gola dhe nuk ka shënuar asnjë, duke pasur përballë emra si Portugalia dhe Gjermania.
Lajmi kryesor:
‘Shqipëri Euro 2025’/ Kombëtarja U-17 merr humbjen e dytë, Gjermania na shënon 4 gola! Tedesco: Duhet të rritemi
S.Dh/ReportTv.al