Shqipëria U-19 luajti ndeshjen e dytë ndaj Belgjikës U-19, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2023/2024. Në stadiumin “Elbasan Arena” kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 2-0.
Trajneri Ervin Bulku e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Belgjikës: Klevi Totoshi, Elton Fikaj, Adi Kurti, Arlind Kurti (C), Jordi Jaku, Flavio Sulejmani, Ersi Bode, Ermal Meta, Dean Vranici, Klevis Haxhari, Kledi Marinaj.
Belgët realizuan dy gola të shpejtë në pjesën e parë me protagonist Mathias Fernandez Pardo që shënoi dy herë brenda katër minutave. Në fraksionin e dytë kuqezinjtë u munduan të gjenin rrugën e rrjetës, por pa sukses dhe në fund gjithçka përfundoi 2-0 në favor të miqve.
Ndeshja e fundit kualifikuese e Shqipërisë U-19 do të jetë ndaj Sllovenisë U-19, më datë 21 nëntor në ora 14:00. Ndeshja tjetër e grupit mes Irlandës U-19 dhe Sllovenisë U-19 përfundoi në barazim pa gola 0-0 Sfida u luajt në “Arena Egnatia” dhe të dyja ekipet ndanë nga një pikë.
Në bazë të rregullores së UEFA-s, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round”, së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto kualifikuese. Faza finale e Europianit të moshës U-19 do të zhvillohet në Irlandën e Veriut në verën e vitit 2024.
Më poshtë kalendari dhe renditja e ndeshjeve kualifikuese të Grupit 13 të Europianit U-19:
Datë 15.11.2023
Slloveni– Belgjikë 1-1
Irlandë – Shqipëri 3-1
Datë 18.11.2023
Irlandë – Slloveni 0-0
Belgjikë – Shqipëri 2-0
Datë 21.11.2023
Belgjikë – Irlandë “Arena Egnatia” ora 14:00
Shqipëri – Slloveni “Elbasan Arena” ora 14:00
Renditja:
1. Belgjikë 4 pikë
2. Irlandë 4 pikë
3. Slloveni 2 pikë
4. Shqipëri 0 pikë