Shqipëria U-21 zhvilloi dje ndeshjen e pestë kualifikuese në Grupin E kualifikues të Euro 2025 ndaj Rumanisë U-21 në transfertë. Kuqezinjtë u mundën 5-0, në sfidën që u luajt në stadiumin “Superbet Arena” në Bukuresht.
Trajneri Alban Bushi e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Rumanisë: Lilo (GK), Mjaki, Dajko, Bajrami, Buxhelaj, Shabani, Berisha (C), Smajli, Pajaziti, Shpendi, Nikaj.
Ndeshja nuk nisi mirë për kuqezinjtë, pasi u ndëshkuan që në minutën e 7-të nga Munteanu, që realizoi falë një penalltie. Në të 15-ën Shqipëria U-21 pësoi edhe golin e dytë nga Matei Ilie, ndërsa në të 37-ën rumunët trefishuan rezultatin falë golit të Rares Ilie.
Gjatë pjesës së parë trajneri Bushi aktivizoi në fushën e lojës Tim Civenë, ndërsa fraksioni i dytë nisi me tre ndërrime të tjera. Në fushën e lojës hynë Rashica, Pecani dhe Cristian Shpendi.
Megjithatë Rumunët thelluan rezultatin në të 54-ën me golin e Grameni. Në fund ekipi Kombëtar U-21 mbeti edhe me 10 lojtari pasi Cristian Shpendi u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa Rumania realizoi edhe një tjetër gol me Danciun. Pas kësaj disfate, Shqipëria U-21 zbret në vendin e tretë në grupin E, ndërsa më datë 21 nëntor do të luajë takimin e radhës ndaj Malit të Zi në transfertë.