Shqipëria vlerësohet lider në Ballkanin Perëndimor për transformimin digjital

3 Mars 2022, 11:23| Përditesimi: 3 Mars 2022, 11:31

  • Share

Performancë lider, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për transformimin digjital të vendit, në ofrimin e shërbimeve publike e administrative dhe mirëqeverisjen në vend. Shifrat më të larta në shprehjen e kënaqësisë së qytetarëve, pra përdoruesve të shërbimeve digjitale, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ky është vlerësimi që ka marrë Shqipëria bazuar në analizën e bërë mbi performancën për 52 indikatorë në 6 fusha të mirëqeverisjes dhe administrimit publik, në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky raport e vlerësim u transmetua në Ministerialin Rajonal për Mirëqeverisjen dhe Administrimin Publik, të organizuar nga OECD/SIGMA në 22 shkurt të këtij viti, ku morën pjesë përfaqësuesit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët prezantuan progresin lidhur me këtë reformë.

Shqipëria ka zbatuar disa reforma të rëndësishme në shumë fusha të administratës publike vitet e fundit.

Por, në kuadër të ofrimit të shërbimeve publike dhe mirëqeverisjes, arritja më e madhe e Shqipërisë është renditja në vendin e parë për transformimin digjital dhe ofrimin e shërbimeve online. 

Kalimi i shërbimeve publike nga fizikisht në elektronikisht është njëra anë e medaljes, por duket se Shqipëria është vlerësuar edhe për performancën e deritanishme të tyre. Qytetarët duket se janë të kënaqur dhe e kanë përqafuar digjitalizimin. Kështu, përdoruesit e shërbimeve publike administrative në të gjitha vendet e rajonit janë pyetur se sa të kënaqur janë me shërbimet online dhe prakticitetin e tyre dhe Shqipëria ka shënuar shifrat më të larta, krahasuar me vendet e tjera te Ballkanit Perëndimor. Pyetjes se “A është e mundur të shkarkoni elektronikisht dokumente personale si certifikata, vërtetime, etj.”, 56% e të anketuarve në Shqipëri i janë përgjigjur pozitivisht dhe se i përdorin rregullisht shërbime të tilla (më shumë se në çdo vend tjetër të Ballkanit).

95% e shërbimeve administrative janë mundësuar online vitet e fundit. 377 prej tyre janë të nivelit 4, që në gjuhën e shërbimeve digjitale do të thotë se nisin dhe përfundojnë online. Vlera e këtyre shërbimeve elektronike u kuptua sidomos gjatë periudhës së pandemisë, kur kontakti fizik u minimizua në maksimum dhe e-Albania ishte një vend shpëtimi për qindra mijëra qytetarë në nevojë.

Në sistemin shqiptar të shërbimeve publike administrative online ekzistojnë 55 regjistra eletronikë, të cilët ndërveprojnë ndërmjet tyre në kohë reale, duke bërë që 66% e formularëve për aplikime të ndryshme të plotësohen automatikisht në e-Albania, duke shkurtuar kohën për sigurimin e dokumentacionit dhe duke i thjeshtëzuar më tej procedurat.

Revolucioni digjital në Shqipëri do të vazhdojë. Udhërrëfyesi për Reformat e Mirëqeverisjes 2030 do të jetë platforma kryesore që do të orientojë reformën e administratës publike, reformën e financave publike, shërbimeve publike, digjitalizimin, antikorrupsionin dhe reformën e decentralizimit.

Sa të kënaqur janë shqiptarët për shërbimet dixhitale 2017-2021
Sa të kënaqur janë shqiptarët për shërbimet 2017-2021
 

 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?