Punimet për gazsjellësin e Korçës pritet të nisin brenda këtij viti. Pas përfundimit të dy studimeve të fizibilitetit projekti do të prezantohet për publikun në datën 5 mars dhe në muajin prill pritet nënshkrimi i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Azerbajxhanit për ti hapur rrugën fillimit të punimeve.
Lajmi u bë ditur nga kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo I cili takoi ambasadorin e Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Hüseynov dhe përfaqësuesit e kompanisë SOCAR. Ky projekt madhor do të ofrojë një zgjidhje përfundimtare për ngrohjen gjatë dimrit.
“Është një projekt shumë i rëndësishëm për ne, qoftë për familjarët, të cilët do të kenë një alternativë shumë të mirë për ngrohje dhe miqësore me mjedisin, por edhe për bizneset, që do të kenë mundësi të mbulojnë kostot e tyre të proceseve teknologjike që përdorin ngrohjen me një kosto shumë më të ulët sesa kanë pasur mundësinë të kenë deri tani”, tha Sotiraq Filo, kryetar i bashkisë Korçë.
Projekti i gazifikimit do të pilotohet fillimisht në qytetin e Korçës dhe pritet që të përfundojë në vitin 2027 ndërsa synimi është për ta shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
Komente
