Policia e Shtetit dhe autoritetet italiane nisin përgatitjet për fushatën ajrore të monitorimit për vitin 2025, në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi sot një takim me një Delegacion të Lartë të Ministrisë së Brendshme të Italisë, që kryesohej nga Komandanti i Repartit të Tretë të Operacioneve të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza, Gjeneral Brigade Luigi Vinciguerra, Drejtori i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë, Gjeneral Brigade Giampiero Ianni, Eksperti i Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, Salvatore Gava, përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse Interforze në Shqipëri, z. Ferdinando Rucco, Komandanti i Guardia di Finanza në Durrës, Nënkolonel Francesco Della Corte, Eksperti i Guardia di Finanza, Nënkolonel Giampiero Carrieri dhe përfaqësues të Konsorciumit Universitar Benecon.
Takimi kishte në fokus koordinimin për fushatën e monitorimit ajror të territorit për vitin 2025, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. U diskutuan masat konkrete për intensifikimin e veprimeve parandaluese dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të mbikëqyrjes.
Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet italiane dhe theksoi se lufta kundër kultivimit të kanabisit mbetet një prioritet absolut.
“Monitorimi ajror, inteligjenca policore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë çelësi i suksesit të përbashkët,” u shpreh ai.
Gjeneral Vinciguerra vlerësoi përkushtimin e Policisë së Shtetit dhe theksoi se rezultatet e deritanishme janë fryt i një partneriteti të fortë. Ai siguroi se Policia Italiane dhe Guardia di Finanza do të vijojnë mbështetjen me burime teknike dhe ekspertizë për rritjen e efektivitetit të kontrollit të territorit.
Më pas, delegacioni italian, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, inaguruan laboratorin për përpunimin e të dhënave të monitorimit ajror, i cili është ngritur nga Guardia di Finanza në ambientet e Policisë së Shtetit.
Komente
