Ndeshja mes ekipeve kombëtare të futbollit të Shqipërisë dhe Serbisë në “Arenën Kombëtare” në Tiranë u zhvillua në 90 minuta dramatike, me shumë emocione, një përballje sportive ku konotacioni politik ishte prezent me një hije të rëndë.
Profesor Artan Shyti, i ftuar në “5 pyetjet” me Ilir Babaramon në Report Tv, u shpreh i zgënjyer me performancën e Kombëtares, duke theksuar se lojtarët tanë kishin potencialin dhe mundësinë për të korrur fitoren.
“Ishte mundësi për ta fituar. Na duhej në shumë plane fitorja, për ca pikë të rëndësishme që mund të na shërbenin kundër Serbisë që janë kundërshtarët tanë në grup. S’më pëlqeu sepse mund të ishte menaxhuar më mirë ekipi. Nuk ishin këto mundësitë tona maksimale. Pastaj le të themi që nota pozitive është organizimi. Për mua disa lojtarë ishin më të emocionuar seç duhej, ishte e kuptueshme. Kisha pritshmëri më të larta në planin personal sportiv. Ky është emisioni i vetëm që bëhet pas ndeshjes, sot është më objektive për t’u diskutuar. Rezultati nuk ishte ai që donim ne, mund ta kishim fituar. Pjesa tjetër – spektatorët, organizatorët, forcat e rendit – ishte një plus për Shqipërinë se kjo ndeshje ishte përtej sportit”,- tha Shyti.
Nga ana tjetër, komentatori Dritan Shakohoxha shprehu keqardhjen e tij ndaj tifozerisë në stadium, duke thënë se shumicën e kohës mbizotëroi një heshtje totale, “si në vaki”.
“Stadiumi ishte si vaki, një heshtje totale. S’e kam parë aq pak entuziazëm, me aq pak thirrje për Shqipërinë. Ishin sporadike. Tifozëria në stadium, me gjithë respektin që kam për të gjithë ata që kishin harxhuar lekë për të ardhur, nuk ishte lojtari i 12-të. Unë e pashë pjesën e parë në stadium dhe ishte një heshtje totale në pjesën më të madhe të kohës, dhe pjesën tjetër te dy kullat ku ishin tifozët kuqezi. Nuk kishin ardhur tifozët”,- tha Shakohoxha.
Gazetarja Esmeralda Mulaj tha se për të rezultati ishte i pranueshëm, si dhe justifkoi humbjen e penalltisë nga Rei Manaj, duke kujtuar peshën emocionale dhe historike që e shoqëronte në atë moment.
“Para ndeshjes isha shumë e lumtur që do të merrnim një barazim, edhe pse Serbia është një ekip i fortë, ka lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha. Ndërsa lojtarët e Shqipërisë nuk do të vinin nga stoli në ndeshjen përballë Serbisë, mbase më të përgatitur... Serbia pati dy performanca të mira përballë Zvicrës dhe Austrisë në dy miqësore. Edhe Serbia erdhi me probleme, probleme me trajnerin, probleme me lojtarë. Kur erdhi ajo penalltia, të gjithë thamë se ishte shansi jonë për ta fituar. Duhen kuptuar edhe emocionet, ajo peshë emocionale që e shoqëronte, gjithë historia... Edhe futbollistët janë njerëz.
I dhanë pak freski futja e Dakut dhe Barjamit. Nëse Daku do të futej pak më shpejt, do të kishte bërë diçka më shumë”,- tha Mulaj.
Trajneri Ismet Munishi, përmes një lidhje Skype nga Kosova, tha se formacioni i Kombëtares mund të ishte ndërtuar më mirë.
“Ndeshjen e kishim përgatitur shumë mirë. Mbase është dashur të bëhet pak edhe pressing, por këtë radhë Silvinjo kishte shkuar më shumë që të mos ta humbiste ndeshjen. U ndërtua me tre qendërmbrojtës, ne kishim lojtarë më shumë në mesfushë dhe nuk i dhamë shumë hapësira Serbisë. Ndoshta formacioni mund të ishte pak më i mirë. Ne e pamë që dalloi performanca kur u fut Daku në lojë,-tha Munishi.
Gazetari Andi Kapxhiu analizoi në “5 pyetjet” me Ilir Babaramon në Report Tv, aktivizimin e futbollistëve të Kombëtares tonë, në klubet e huaja të futbollit ku ata luajnë përkatësisht.
“Titullarët që luanin thuajse gjatë gjithë kohës Berat Gjimshiti, pak a shumë Ardian Ismajli që ka qenë i dëmtuar, Tomas Strakosha ka luajtuar, Hysa pak minuta, Mario Mitaj vinte nga një dëmtim. Po të marrësh dhe informacionit shumë pak minuta kanë në ekipet e tyre. Edhe Manaj këtë sezon shumë i dëmtuar. Ai viitn e kaluar ka bërë një edicion më të mirë, me Andorën luajti dhe shënoi 2 gola”,- tha Kapxhiu ndër të tjera.
Kapxhiu pohoi se në ndërtimin e formacionit të Kombëtares mund të ndikojnë edhe faktorë të tjerë, që nuk lidhen drejtpërdrejt me aspektin sportiv.
"Edhe menaxherët e futbollit dhe gjithçka tjetër mund të ndikojnë, kjo nuk diskutohet. Ajo që ne dhe kolegët bëjmë është se pyesim drejtpërdrejt dhe kolegët tanë dhe Silvinjon. Jasir Asani ka qenë i pazëvendësueshëm, në dy ndeshjet e fundit nuk ka marrë minuta. E ka shpjeguar me mënyrën e tij duke thënë se në sulm kemi shumë lojtarë, shumë alternativa. Ai është një lojtar teknik, më pëlqen, por për këtë ndeshje menduam këtë. Zgjedhjet kanë qenë nga më të çuditshmet. Sokol Cikalleshi u la jashtë Europianit, ndërkohë që ishte sulmuesi kryesor gjatë fushatës kualifikuese. Apo për Ernest Muçin, për të cilin Silvinjo thotë se më pëlqen shumë, po aq minuta merr. Personalisht mua më ka pëlqyer Silvinjo i fushatës kualifikuese, në Europian mua nuk më pëlqeu",- tha Kapxhiu.
I ftuar në “5 pyetjet” me Ilir Babaramon në Report Tv, komentatori Dritan Shakohoxha theksoi se tifozeria shqiptare klasifikohet ndër më të paqtat në Europë, por solli me batutë thirrjen më të famshme të tifozëve kuq e zi në ndeshjet e Shqipërisë me Serbinë.
“Unë e kam parë duke ardhur autobusi i serbëve në stadium dhe ishte i shoqëruar me rreth 5 makina policie dhe ishin një grup tifozësh, mund të ishin nja 300, dhe ishte shumë e bukur. Vetëm një gjë aspironin tifozët shqiptarë, atë që aspirojnë në çdo stadium,. Nuk thonë tifozët shqiptarë vritini serbët, ata thonë motrën tëndë e kam me qejf”,,- tha Shakohoxha.
Komente
