Shqiponja e Malit, simboli ynë kombëtar, qëllohet me armë zjarri! Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë: U bë për përfitim financiar, instancat të hetojnë çështjen

18 Shkurt 2021, 16:56| Përditesimi: 18 Shkurt 2021, 17:55

  • Share

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) ka publikuar rastin e plagosjes së një Shqiponje Mali me çifte, që është simboli dhe krenaria jonë shqiptare. Shoqata AOS tregon se Shqiponja e Malit është qëlluar ilegalisht për qëllime të përfitimit financiar dhe kërkojmë urgjentisht nga instancat publike të merren masat për hetim të çështjes, dhe ndjekjen e çështjes deri në fund.

Shkrimi i plote i shoqatës AOS 

Pak ditë më parë, stafi i ADZM Berat informoi mbi gjetjen e një Shqiponje Mali (Aquila chrysaetos)  në Skrapar e cila më pas u përcoll prej tyre në Qendrën e Rehabilitimit të Shpendëve të Egër në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Analiza grafike e kryer nga ADZM Fier, konfirmoi dyshimet se shpendi ishte i plagosur dhe i paaftë për fluturim. Grafia tregoi se trupi i Shqiponjës së Malit ishte i mbushur me saçme ndërsa krahu i djathtë rezulton i thyer. Me shumë mundësi shpendi është qëlluar për tu kapur e përdorur si objekt tregtie. Pra, kemi të bëjmë me një viktimë të pastër të brakonazhit me qëllim tregtinë e paligjshme të kafshëve të egra. Që të dy veprimet janë rreptësishtë të ndaluara dhe duhet të penalizohen.

Shqiponja e Malit, ky simbol kombëtar i Shqipërisë, shpend madhështor i maleve tona, është pikërisht ai që na jep krenarinë dhe identitetin kombëtar shqiptar. Ndaj ky rast i goditjes apo i tregtimit të Shqiponjës së malit  saj nuk është thjesht një vrasje apo tregti tjetër që duhet kaluar në heshtje. Është vrasje dhe përdhosje e simbolit tonë kombëtar shqiptar ndaj dhe duhet që autoritetet përgjegjëse ta marrin rastin tepër seriozisht dhe ta hetojnë sikurse hetohet çdo krim i rëndë.

Ky krim është akoma më i rëndë se çka paraqitet nëse marrim parasysh se në 20 vitet e fundit, popullata e Shqiponjës së Malit ka pësuar rënie drastike. Nëse në fillimin e viteve 2000, BirdLife International raporton50-150 çifte të Shqiponjës së Malit, Atlasi i Shpendëve Folezues të Europës raporton në 2020 për vetëm25-63 çifte folezues.

Pra në 20 vitet e fundit, popullata e Shqiponjës së Malit në Shqipëri vlerësohet të ketë rënë me rreth 50-60%. Një rënie katastrofike dhe tepër shqetësuese për çdo institucion dhe çdo qytetar.

Autoritetet duhet të reagojnë me hetimin dhe ndjekjen e menjëhershme të këtij rasti që ky lajm i trishtë të mos përdoret vetëm për të njollosur Shqipërinë. Por ata duhet të reagojnë dhe për rimëkëmbjen e simbolit tonë kombëtar që po rrezikon të zhduket nga memorja historike. Vite të shumta të përndjekjes, vrasjes, rrëmbimit të të vegjëlve, helmimit dhe përshqetësimit të habitateve folezuese po e zhdukin simbolin tonë. Kjo humbje nuk ka çmim sepse ruajtja e memories historike është më e rëndësishme se çdo gjë.

Nëse nuk veprohet sot, nesër askush nuk do të flasë më për lidhjen simbolike të kombit tonë me Shqiponjën e Malit dhe shqiptarët mund të quhen çdo gjë veç jo bijtë e Shqipes Krenare!

Komento

Komente

  • Turi: 18/02/2021 19:06

    Sa njerez te keq jemi o zot nuk e kuptoj sa vlere kane ato leke te ndyra duke shkaterruar mjedisin qe jetojme , shteti duhet ti ndershkoje keta pisa ordinere

    Përgjigju
  • Trrnaskop Kacija: 18/02/2021 17:57

    Ky eshte brezi qe kemi rritur dhe po edukojme qe per para shesin edhe simbolet kombetare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?