Emigrantët duhet të deklarojnë online adresën ku banojnë! Lleshaj: Nxitoni të pajiseni me karta identiteti që të merrni shërbime (Procedura)

4 Dhjetor 2020, 15:49| Përditesimi: 4 Dhjetor 2020, 16:35

  • Share

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bëri një inspektim në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile për të parë nga afër demonstrimin e vënies online të shërbimit për vetëdeklarimin e adresës për shtetasit shqiptarë në migracion.

Ministri theksoi se ky shërbim i ri do t’u japë mundësi shtetasve për të përfituar nga shërbimet që ofrohen online dhe për të marrë pjesë në zgjedhje. Me këtë rast Lleshaj nënvizoi gjithashtu që shërbimet online kushtëzohen me pasjen e një karte ID të vlefshme. Shtetasve që u ka skaduar karta, nuk do t’u ofrohen shërbimet e e-Albania, edhe pse kanë tashmë një NID. Këtu ministri shtoi se në zgjedhjet e ardhshme do të bëhet identifikimi biometrik i votuesve, ndaj shtetasit duhet të kujdesen që të kenë një kartë të vlefshme, pa të cilën nuk mund të votojnë.

"Pata mundësinë që të inspektoj dhe të shoh në vend sot, demonstrimin e mënyrës së aplikimit për regjistrim të qytetarëve shqiptarë që banojnë jashtë vendit.

Dihet tashmë që qeveria ka marrë vendimet e duhura për të mundësuar regjistrimin e qytetarëve shqiptarë, që banojnë jashtë Shqipërisë, me qëllim që atyre t’u ofrohet një gamë e tërë shërbimesh, ndër të cilët shërbimi ose pjesëmarrja në zgjedhje është më e rëndësishmja. Tashmë sistemi është bërë funksional dhe radha është e qytetarëve, që banojnë jashtë vendit, të cilët ta shfrytëzojnë sistemin për t’u regjistruar në të, me qëllim që prej këtij sistemi të mund të përfitojnë të gjithë gamën e shërbimeve që ofrohen tashmë onine, ose kryesisht online në Republikën e Shqipërisë.

Dhe për të lehtësuar mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje, në zgjedhjet e ardhshme kur do t’u jepet edhe mundësia e votimit edhe nga vendet ku janë. Jo për zgjedhjet e 2021, por për zgjedhjet vijuese, pas tyre. Nuk janë vetëm zgjedhjet qëllimi i këtij sistemi, por qëllimi janë mundësimi i pjesëmarrjes në të gjitha shërbimet që ofrohen tashmë online, ose kryesisht online. Por e shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje jo vetëm qytetarëve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë, por edhe qytetarëve shqiptarë brenda Shqipërisë, që të kuptojnë mirë se një numër përherë e më i madh shërbimesh në Republikën e Shqipërisë, po ofrohet dhe do të ofrohet vetëm online", tha ai.

Ministri tha se për t'u mundësuar pjesëmarrja dhe përfitimi nga këto shërbime është jetike pajisja me kartën e identitetit.

"Për t’u mundësuar pjesëmarrja dhe përfitimi nga këto shërbime është jetike pajisja me kartën e identitetit. Karta e identitetit është çelësi, që hap dyert për tek shërbimet. Në qoftë se ju mungon çelësi nuk mund t’i merrni shërbimet. Ndaj duhet të nxitoni për t’u pajisur me karta në të gjitha zyrat e aplikimit, të cilat janë shtuar tashmë, edhe si zyra, edhe si poste, dhe kushtet e aplikimit janë më të mirat e mundshme.

Dua t’u bëj të qartë të gjithë qytetarëve se së shpejti përfitimi i shërbimeve online në portalin e-Albania do të kushtëzohet jo vetëm nga pasja e kartës, por do të kushtëzohet me pasjen e një karte të vlefshme. Personat që kanë karta të pavlefshme, pavarësisht se mund të kenë një kartë dhe një numër personal identifikimi, nuk do të mund ta përfitojnë shërbimin.

Pra, mbetet jetike thirrja: Nxitoni për t’u pajisur me kartat e identitetit!, në mënyrë që të përfitoni shërbimet, por në mënyrë që të përfitoni dhe të drejtën për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë në votimet e ardhshme, për arsye se Kodi i ri Elektoral parashikon identifikimin elektronik, identifikimin biometrik. Dhe ky identifikim biometrik nuk mund të kryhet në qoftë se ju nuk keni në dispozicion një kartë të vlefshme identifikimi", shtoi Lleshaj.

Drejtori i Sistemeve Informatike, Vangjush Stavro ka treguar më shumë detjae mbi shërbimin dhe mënyrën se si të dhënat do të shkojnë pranë zyrës së gjendjes civile përkatëse.

"Po tregojmë shërbimin e ri që kemi hedhur online, për deklarimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë. Në fillim shtetasi duhet të identifikohet në e-Albania me kredencialet e tij. Pasi identifikohet, thjeshtë duhet të kërkojë për shërbimin përkatës: “Deklarimi i adresës jashtë vendit”.

Duke vendosur disa fjalë kyçe mund të dalë shërbimi – Deklarimi i adresës; shtypim butin “Përdor” për të shfrytëzuar këtë shërbim; krijojmë një aplikim të ri. Siç do të shihni edhe vetë, shumë thjesht duhet të plotësojë shtetin ku banon, kodin postar, qytetin, rrugën dhe numrin e ndërtesës ku shtetasi banon. Gjithashtu më poshtë mund të vendosë elementë shtesë, në qoftë se është për të gjetur adresën, - janë me zgjedhje shtetet.

Më poshtë mund të zgjidhni edhe anëtarët e familjes, me të cilët ndodhet në adresë, kështu që adresa përditësohet për të gjithë anëtarët e familjes së tij, gjithmonë për ata që ka në certifikatën familjare. Ka edhe një seksion me “shënime” dhe në fund, gjë që është shumë e rëndësishme, duhet të ngarkojë një foto, të një dokumenti, që vërteton adresën, që mund të jetë, psh., fatura e dritave, e ujit ose një kontratë qiraje. Të gjitha këto të dhëna, në momentin që shtetasi shtyp butonin “dërgo” në fund, do të shkojnë pranë zyrës së gjendjes civile përkatëse, ku ky shtetas është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë", tha ai.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Coco Vancouver: 07/12/2020 00:32

    Po per cfare i hyn ne pune shtetit shiptar adresa ime ne Kanada??? Keto nuk ruajne dot te dhenat e shtetasve shqiptar ne Shqipëri! Faleminderit

    Përgjigju
  • Loku: 05/12/2020 02:25

    Keta legena e dine shume mire qe do zbythen dhe po tentojne te bejne kollare me voten e emigranteve

    Përgjigju
  • Katunari: 04/12/2020 17:06

    Kam bo kerkese per pashaporte ne Bruksel prej 3 gushtit i kom pagujte 186 euro dhe pashaporten sma kane dhône akoma. Inshallah po ma japin para zgjedhjeve.

    Përgjigju
    • @katunari: 04/12/2020 21:25

      Prit dhe pak, e sigurtë që në prill 2021 do e marrësh për të votuar.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?