Momenti i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit

Shqiptarët, 21 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit

14 Gusht 2022, 10:19| Përditesimi: 14 Gusht 2022, 10:22

  • Share

Marrëveshja kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale të Vodnos në Shkup nga presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Ljubço Georgievski, si dhe liderët e atëhershëm të LSDM-ja, Branko Cërvenkovski, për PPD-në, Imer Imeri dhe PDSH-ja, Arben Xhaferi.

Në parimet bazë të dokumentit thuhet se “përdorimi i dhunës për arritjen e qëllimeve politike refuzohet plotësisht dhe pa kushte”.

Kanë kaluar 21 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një dokument ky që për kohën kur u miratua, u konsiderua si ‘zbulim’ që do të rregullonte të gjitha kontradiktat etnike, sociale e politike në shoqëritë multietnike. Askush nuk e kishte menduar se do të duhet kaq kohë  e gjatë të flitet për këtë Marrëveshje, jo vetëm si dokument, por edhe si efekt frustrimi që kishte prodhuar mosimplemntimi i plotë i saj. Dhe tani kur kemi edhe një Marrëveshje tjetër, atë Prespës, analizës i ngelen edhe disa ngjyra për ta bërë më të plotë ylberin që bashkon këto dy ngjarje kapitale për shtetin e brishtë dhe të kërcënuar nga krizat e brendshme dhe të jashtme.

Parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit, sikundër dihet,  ishin 4: Tërësisht dhe pa kusht hidhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë; Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike; Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike. Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht; Zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive.

Mbi Marrëveshjen e Ohrit janë organizuar dhjetëra konferenca e shumë projekte dhe nga individë, institucione e faktorë të ndryshëm janë dhënë vlerësime të ndryshme mbi ecurinë e implementimit të kësaj marrëveshje. Por, emërues i përbashkët i të gjitha këtyre vlerësimeve ka qenë konstatimi se MO ka pësuar ngecje në segmente të caktuara dhe jo rrallë obstruimi i mos implementimit të saj ka ardhur nga vetë politikanët. Askush madje  nuk është i sigurt se sa kjo marrëveshje do të mund të mbuloj të gjitha pikëpyetjet që janë ngritur si gjilpëra mbi fushën me kontraste etnike, sociale e politike të Maqedonisë së Veriut këto 21 vite..

Marrëveshja e Ohrit është një dokument i rëndësishëm që konfirmonte gjetjen e kompromisit politik në fund të një konflikti etnik. Sipas parashikimeve, kjo marrëveshje ka qenë dashur të implementohet deri në fund të vitit 2004, gjegjësisht në fillim të 2005.

Vonesat që sollën mosimplementimin me kohë të kësaj marrëveshjeje kanë mjaftuar të frustrojnë shumë njerëz, por të shfaqin edhe ide e alternativa konkurruese në “tregun” e ideve politike. Ka shumë arsye të kërkohet llogari nga ata që e kanë vonuar procesin e implementimit të MO, qofshin ata në pushtetin aktual, apo pararendës. Emërues i përbashkët i të gjithë vonuesve të këtij procesi ka qenë obstruimi i afateve duke luajtur lojë jo të sinqertë në mes të partnerëve të koalicionit.

Një dilemë konstante që ka shoqëruar debatin ka qenë nëse ofertat e ndryshme politike duhet kuptuar si zëvendësim i Marrëveshjes së Ohrit, apo vazhdim i këtij procesi që do të dinamizonte jetën politike shqiptare këtu. Dhe si derivate logjike të këtij debati ka mundur të përvijohet konstatimi se të trumbetosh gjatë gjithë kohës se Marrëveshja e Ohrit është zeniti i kualitetit dhe kuantitetit të politikbërjes së shqiptarëve, në njërën anë, dhe të refuzosh të bashkëpunosh mbi bazat e një diversiteti normal idesh e strategjish politike, në anën tjetër, fsheh brenda vetes tendencën e ngurtësismit të veprimit politik për qëllime shumë speciale dhe në favor të pazareve jotransparente me faktorët politik maqedonas.

Nëse dikur papirusi përdorej për të ruajtur kohëgjatësinë e epokave, Marrëveshja e Ohrit dëshmoi se nuk arriti dot të fshehë tronditjet politike që u shfaqën herë  pas herë në syprinën e trazuar të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase.

Në shtetet multietnike si Maqedonia e Veriut, asnjë projekt madhor politik nuk mund të implementohet vetëm. Edhe Marrëveshja e Ohrit kaloi nëpër sfidën e rëndë të konsensusit ndëretnik dhe jo rastësisht ajo u bë edhe gurë peshoje për sprovat e mundimshme të qeverive të këtyre 21 vjetëve. Por, në anën tjetër Marrëveshja e Ohrit sikur testonte edhe grafikonin e nacionalizmit maqedonas brenda koalicioneve maqedono-shqiptare dhe fatkeqësisht sa më e obstruuar dilte kjo marrëveshje nga partnerë të caktuar maqedonas, aq më i besueshëm dilte në opinionin publik edhe kryeministri maqedonas.

Një temë që ka preokupuar vëzhgues të ndryshëm politik, ka qenë e ardhmja e raporteve shqiptaro-maqedonase në dritën e zbatimit të MO. Ka disa prej politikanëve shqiptarë, sidomos ata me stazh më të gjatë në pushtet, të cilët mendojnë se MO është përgjigja më e mirë ndaj sfidave që dalin në raportet shqiptaro-maqedonase. Sipas tyre MO është përgjigja më e mirë për të mbyllur disa nga problemet që tangojnë interesat e shqiptarëve.

Por, në anën tjetër, ndryshimet e fundit që ndodhën, që nga emri i shtetit, e deri te realitetet e reja politike e kulturore, e kanë gjetur tepër të papërgatitur shpirtërisht shoqërinë maqedonase. Kjo mospërgatitje po shihet çdo ditë dhe po vërehet në sytë e të gjithëve. Sidomos ka një shqetësim sa i përket implementimit të gjuhës shqipe. Ka plot maqedonas, të cilët nuk po munden ta marrin me mend se në këtë shtet po lind edhe një gjuhë tjetër zyrtare. Dhe nuk është problemi gjithaq te refuzimi i këtij realitetit të ri gjuhësor, sa është te konfuziteti që ata po e krijojnë teksa po ballafaqohen me këtë ‘shok’ kulturologjik të shqiptarëve.

Në kapitullin e Marrëveshjes së Ohrit që flet për IMPLEMENTIMIN DHE MASAT PËR NDËRTIM TË MIRËBESIMIT, është aneksi C, i cili parashihte që “të vazhdojnë përpjekjet në projektet e destinuara për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike”.

Paradoksaliteti i politikës së deritanishme mbështetej në narrativin primitiv për shqiptarët si pakicë kombëtare, ndërkohë që nuk u realizuan parametrat kryesorë nga Marrëveshja e Ohrit që dilnin nga kapitulli ‘IMPLEMENTIMI DHE MASAT PËR NDËRTIM TË MIRËBESIMIT’, ku parashiheshin edhe objektiva konkretë në zhdukjen graduale të stereotipave ndëretnike.

Sikur të realizohej në tërësi ANEKSI C i Marrëveshjes së Ohrit, maqedonasit sot nuk do të përjetonin tërmet emocional kur dëgjojnë fqiun shqiptar të flet në gjuhën shqipe zëshëm, pa pasur nevojë të brengoset se me këtë do të lëndojë ndjenjat e bashkëqytetarëve maqedonas.

Ka disa qasje sa i përket marrëdhënieve në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Njëra qasje mbështetet nga politikanët, të cilët mendojnë se falë kontributit të tyre ka ardhur deri te përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Tjetra, nga sociologët dhe analistët, të cilët nuk e shohin situatën bardh e zi. Ata në njërën anë e shohin me pozitivizëm Marrëveshjen e Ohrit si pikënisje e një bashkëjetese të re në Maqedoni, por në anën tjetër e shikojnë me pesimizëm funksionimin e sistemit, duke aluduar në parimin e Badenderit dhe në principet e demokracisë konsensuale.

Por një qasje që gjithmonë ngel pezull dhe nuk është studiuar gjithaq, është vetë perceptimi i qytetarëve sa i përket evoluimit të raporteve ndëretnike. Sipas anketave të viteve të fundit është vërejtur se Marrëveshja e Ohrit ka ndihmuar në relativizimin e marrëdhënieve të acaruara ndëretnike në mes të dy kombeve më të mëdha: maqedonasit dhe shqiptarët, ndonëse ky nuk ishte faktori kryesor që ka ndikuar në formimin e mendësisë së re dhe as që janë eliminuar plotësisht dallimet.

Këto të drejta që i kanë shqiptarët, do të arriheshin me luftë a me politikë paqësore? Rreth kësaj pyetjeje janë thyer shtizat më së shumti këto vitet e  fundit. Hulumtimet e opinionit publik kanë rezultuar në të dhëna interesante, duke marrë përgjigjen e mbi 50 për qind të shqiptarëve, të cilët e arsyetojnë luftën e armatosur për arritjen e më shumë të drejtave për shqiptarët. Por, kështu nuk mendojnë mbi gjysma e të anketuarve maqedonas, të cilët me pezëm e mllef e kualifikojnë konfliktin si komplot kundër Maqedonisë.

Përpjekja për ta dekompozuar ‘Maqedoninë e Ohrit’ nga qarqe vendimmarrëse politike maqedonase, është kundërtendencë e frymës që ka gjeneruar kjo marrëveshje. Faktorizimi i më shumë atributeve shqiptare në institucionalizimin e jetës politike e shtetërore ka prodhuar jo pak bllokada nga vetë ata që janë të obliguar ta implementojnë Marrëveshjen e Ohrit.

Por faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve do të bëhet vetëm atëherë kur ata do të jenë popull shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Pa këtë komponentë, të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshi edhe Marrëveshjen e Ohrit do ta kenë efektin e terapisë së përkohshme, sepse shqiptarët ende nuk janë “shëruar” nga pasojat e shtetndërtimit të njënashëm, ku atributi i shtetformësisë është zëvendësuar me terma eufemike, siç është 20 përqindshi,  që më tepër janë statitikë e thatë se sa që shprehin nevojat dhe synimet reale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?