Ekonomi

Bie interesi për euron! Rënia e valutave “tremb” qytetarët, kursime dhe kredi në lekë

12 Mars, 07:32| Përditesimi: 12 Mars, 16:15

  • Share

Më të sigurt në lekë sesa në valutë. Pas zhvlerësimit më shumë se 2-vjeçar të euros dhe dollarit, edhe sjellja e qytetarëve dhe bizneseve ka ndryshuar përballë valutave, duke u fokusuar më shumë tek kredia dhe kursimi në monedhën kombëtare pasi është më e sigurt dhe e mbrojtur nga goditjet e kursit të këmbimit.

Të frikësuar nga një tkurrje më e fortë e valutave, që mund të zhvlerësojë edhe kursimet që qytetarë e biznese i kanë në monedhë të huaj, ata vjet janë orientuar drejt përdorimit më të madh të lekut. Banka e Shqipërisë thotë se vjet është ulur pesha e depozitave dhe e kredive në valutë, në raport me vitet e mëparshme.

“Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2024, bie në sy: pakësimi i kredive në valutë në raport me totalin e kredive; rënia e lehtë e peshës së depozitave në valutë dhe rritja e mëtejshme e depozitave në monedhën vendase me afat mbi një vit”, thuhet në raportin e deeuroizimit.

Referuar raportit në fund të vitit 2024, afro 52.1% e kursimeve të shqiptarëve ose 7 miliardë euro ishin në valutë, dhe pjesa tjetër prej 6.5 miliardë euro ishin në lekë. Në krahasim me vitin 2023 depozitat në valutë është ulur me 2.2%, nga 54.3% që ishte.

I njëjti trend ose largim nga valuta drejt monedhës kombëtare lekë është edhe tek kredia. Afro 45.3% e kredisë së marrë në sektorin bankar nga biznese dhe qytetar është në valutë, dhe pjesa tjetër në lekë. Kurse në vitin 2023 vlera e kredisë së marrë në monedhë të huaj arrinte në 47.1%.

Banka e Shqipërisë përsërit thirrje për qytetarët, bizneset dhe institucionet që brenda vendit çdo pagesë ta bëjnë me monedhën kombëtare, si e vetmja zgjidhje për stabilitet në tregun valutor prej dy vitesh, pasi zhvlerësimi i euros dhe dollarit, ul dhe vlerën e kursimeve kur ato janë në valutë. Euro e mbylli 2024-ën duke u këmbyer me 98 lekë, vlera më e ulët historike nga 104 lekë që ishte në fund të 2023-shit.

 

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?