Ekonomi

Shqiptarët çlirohen nga ethet e COVID, më pak kursime! Raporti i BSH: Besimi në ekonomi nisi rritjen nga maji

8 Qershor 2021, 19:53| Përditesimi: 8 Qershor 2021, 20:06

  • Share

Besimi në ekonomi po rritet nga muaji në muaj, duke dëshmuar se ekonomia e vendit po jep rezultatet e para të rimëkëmbjes. Për herë të parë që nga nisja e pandemisë COVID-19, sipas Bankës së Shqipërisë besimi është mbi mesataren historike dhe në maj ky tregues u rrit me 3.3% krahasuar me prillin e po këtij viti.

Jo vetëm bizneset të cilat kanë dhënë sinjale pozitive për gjendjen financiare, punësimin dhe prodhimin, por edhe konsumatorët vlerësojnë se situata e tyre ekonomike është përmirësuar për herë të parë prej nisjes së pandemisë, edhe pse besimi vijon të qëndrojë poshtë nivelit të  2019.

“Besimi konsumator u rrit në muajin maj me +2.6%, i ndikuar nga përmirësimi në të katër pyetjet përbërëse: pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike, pritjet për situatën e tyre financiare në të ardhmen, vlerësimin për blerjet në shuma të mëdha, si dhe pritjet për blerja”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.

Dukuri pozitive është fakti se konsumatorët po largohen nga kursimi që ka arritur në shifra rekord krahasuar me para pandemisë. Në muajin maj qytetarët shfaqen të cliruar nga ethet e pasigurisë nga COVID dhe kanë ulur me 2.5% prirjen e tyre për të kursyer. Ndërsa në muajt e ardhshëm pritet rritje e mëtejshme e konsumit, pasi qytetarët janë përgjigjur se kursimi në vijim do të ulet me 3.1%.

Si pasojë e pandemisë COVID-19, qytetarët zgjodhën të kursenin për shkak të pasigurisë së lartë për të ardhmen. Në muajin prill të këtij viti niveli i depozitave ishte 9,175 miliardë euro nga 8,475 miliardë euro që ishte në prill të vitit 2020 kur vendi ishte në mes të izolimit total, duke u rritur me mbi 700 milionë euro.

Por nga ana tjetër inflacioni mbetet ende në nivel të ulët, duke treguar se ende pasiguria për të konsumuar është e lartë. Sipas të dhënave të INSTAT inflacioni për muajin maj ishte 1.8%, nga 2.1% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?