Shqiptarët e Luginës së Preshevës në protestë kundër diskriminimit nga Serbia

23 Shtator, 22:47| Përditesimi: 23 Shtator, 22:50

  • Share

Me moton “për identitet dhe dinjitet” grupe qytetarësh parakaluan të hënën nëpër qendër të qytetit të Preshevës, komunë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, duke i bërë thirrje qeverisë serbe që t’i jap fund diskriminimit të tyre.

Kjo është hera e dytë brenda pak kohe që shqiptarët e Luginës së Preshevës hidhen në protestë me kërkesat si ndalimin e pasivizimit të adresave të tyre, kthimin e gjykatës në komunën e Preshevës, respektimin e marrëveshjeve politike, njohjen e diplomave të të rinjve që përfundojnë studimet në universitetet në Kosovë si dhe angazhim më të madh për integrimin institucional të tyre.

Ardita Behluli nga Këshilli organizativ i protestës tha se parakalimi i sotëm është thirrje për drejtësi, barazi dhe demokraci dhe një të ardhme më të mirë për shqiptarët e Luginës.

“Gjatë ecjes tonë të përbashkët kaluam pranë institucioneve shtetërore të cilat edhepse veprojnë me një komunë me 95 për qind shqiptarë vazhdojnë avazin e vjetër të diskriminimit, nëpërkëmbjes e shkeljes së të drejtave elementare të shqiptarëve. Prandaj dhe ishte detyrë e jona që atyre t’u tregojmë dhe nga ta të kërkojmë realizimin e kërkesave tona. Nga policia me mesazhin ‘ma kthe adresën’ kërkuam ndërprerjen e menjëhershme të pasivizimit të adresave dhe kthimin e adresave të pasivizuara. Nga shtëpia e shëndetit kërkuam që të kthehet në rolin e saj bazë dhe të mos vazhdojë të mbetet institucioni që është shndërruar në simbolin e diskriminimit të shqiptarëve përgjatë punësimeve aty”, tha ajo.

Zonja Behluli tha se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë të vjetra dhe se ato vazhdojnë të shpërfillen nga shteti i Serbisë, duke theksuar nevojën për mbikëqyrje të situatës nga institucionet ndërkombëtare.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojmë poashtu prani më të madhe dhe efektive të mekanizmave ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së shqiptarëve në Luginë”, tha ajo.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, rreth 60 mijë shqiptarë jetojnë në Luginën e Preshevës.

Përfaqësuesit politik thonë se situata në rajonin e Luginës së Preshevës vazhdon të jetë e rëndë dhe se nuk është shënuar përparim që nga përfundimi i konfliktit në vitin 2001 ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në atë zonë./ VOA

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?