Champions League mbylli ndeshjet e kthimit play-off dhe tanimë janë mësuar 36 skuadrat finaliste që do garojnë në fazën e ligës. Këtë të enjte në orën 18:00 në Monaco do hidhet edhe shorti, ku secila nga skuadrat do mësojë tetë rivalët e ndryshëm, me katër ndeshje në shtëpi dhe katër në udhëtim.
Ndeshjet e fundit play-off
Të mërkurën një biletë për në fazën finale të Champions League siguruan Qarabag, Benfica, Club Brugge dhe FC Copenhagen.
Në Baku, vendasit e Qarabag u mposhtën 2-3 nga Ferencvaros, por ekipi azer iu fal fitores 1-3 në Hungari për të marrë biletën e fazës së ligës. Leandro Andrade dhe Zoubir ishin heronjtë e vendasve, teksa për miqtë shënuan Joseph, Vargas dhe Toth.
Sfidë emocionuese në 'Da Luz'. Benfica mposhti 1-0 Fenerbahcen në një ndeshje me raste, gola të anuluar dhe shumë drithërima deri në sekondat e fundit. Para se të shënonte golin që i dha të drejtën për të kaluar më tej, Benfica pa t'i anuloheshin dy të tillë për pozicion jashtë loje dhe faull në sulm (Pavlidis dhe Barreiro). Goli që 'vulosi' sfidën u shënua nga turku Kerem Akturkoglu në minutën e 35-të. Interesant është fakti se sulmuesi nuk e festoi golin, pasi mes tij dhe Fenerbahces ka kontakte për një rikthim në vendlindje. Jose Mourinho mbetet sërish jashtë Champions League dhe do vijojë garën në Europa League me ekipin që drejton.
Në Belgjikë, Club Brugge 'shkërmoqi' 6-0 Rangers. Skocezët kishin humbur 1-3 edhe në ndeshjen e parë, andaj dueli play-off për ta ishte për t'u harruar. Tresoldi, Vanaken, Seys (2x) dhe Stankovic shënuan që në pjesën e parë, para se Tzolis të 'vuloste' gjithçka për 6-0. Nedim Bajrami te miqtë nuk ishte i grumbulluar, pasi lidhet me një rikthim në Itali te Udinese.
Në Danimarkë, FC Copenhagen fitoi 2-0 kundër Basel për të nxjerrë jashtë skuadrën e Xherdan Shaqirit. Cornelius në minutën e 46-të dhe Moukoko me penallti ishin deçiziv për vendasit.
Champions League, ndeshjet e kthimit play-off:
18:45 Qarabag 2-3 Ferencvaros (3-1)
21:00
Benfica 1-0 Fenerbahce (0-0)
Club Brugge 6-0 Rangers (3-1)
FC Copenhagen 2-0 Basel (1-1)
*Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para
Lista e plotë e 36 skuadrave që do garojnë në fazën e ligës dhe ndarja e vazove:
Në Champions League e këtij sezoni do të jenë gjashtë klube nga Premier League angleze: Liverpool, Manchester City, Chelsea, Tottenham Hotspur, Newcastle United dhe Arsenal.
Pesë ekipe spanjolle do të përfaqësojnë La Ligën: Real Madrid, Barcelona, Atletico Madrid, Athletic Club dhe Villarreal.
Italia dhe Gjermania kanë secila nga katër vende:
Nga Serie A: Napoli, Inter, Atalanta, Juventus
Nga Bundesliga: Bayern Munich, Bayer Leverkusen, Eintracht Frankfurt, Borussia Dortmund
Franca ofron tre klube, përfshirë kampionët në fuqi Paris Saint Germain, së bashku me Monacon dhe Marseille.
Nga Holanda, janë kualifikuar PSV Eindhoven dhe Ajax.
Përfaqësues të tjerë përfshijnë:
Sporting Lisbon, Benfica (Portugali)
Union Saint-Gilloise (debutues si kampion i Belgjikës), Club Brugge (Belgjikë)
Galatasaray (Turqi)
Olympiacos (Greqi)
Slavia Pragë (Çeki)
Qarabag (Azerbajxhan)
FC Copenhagen (Danimarkë)
Tre debutues nga play-off:
Kairat Almaty (Kazakistan)
Pafos FC (Qipro)
Bodo/Glimt (Norvegji)
Ndarja e skuadrave në Vazo sipas koeficientëve:
Rregullat e shortit dhe përzgjedhja e automatizuar:
36 ekipet pjesëmarrëse janë ndarë në katër vazo bazuar në renditjen e tyre individuale të koeficientëve, me fituesin e fundit të Champions League (PSG) që do të jetë i pari në Vazon 1. Duke filluar me Vazon 1, do të tërhiqet një top fizik përpara se softueri i automatizuar, që është përdorur tashmë vitin e kaluar, të tërheqë tetë kundërshtarë për to, duke marrë parasysh parimet e mëposhtme:
Dy ekipe nga secila prej katër vazove, me një ndeshje në shtëpi dhe një ndeshje jashtë fushe, të gjitha në mënyrë rastësore dhe të zgjedhura nga softueri.
Klubet nga i njëjti vend nuk mund të përballen me njëra-tjetrën dhe asnjë ekip nuk do të luajë më shumë se dy ndeshje kundër klubeve nga i njëjti komb.
E njëjta procedurë do të përsëritet për të gjitha ekipet e tjera derisa të jenë përcaktuar të gjitha çiftet.
Renditja dhe gara pas fazës së ligës:
Tetë skuadrat e para të renditura më mirë nga pikët në fazën e ligës do të kualifikohen automatikisht për raundin e 1/8-ave, ndërsa skuadrat që përfundojnë nga vendi 25 deri në 36 eliminohen dhe nuk bien në Europa League. Skuadrat që përfundojnë nga vendi i nëntë deri në të 24-tin garojnë në një fazë eliminatore me dy ndeshje, ku fituesit do të shortohen me tetë të parat në fazën e mëvonshme.
Kur dhe ku do të zhvillohet finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 2026?
“Puskas Arena” në Budapest të Hungarisë do të jetë vendi ku ndeshjet e Champions League do të arrijnë kulmin më 30 maj 2026.
Komente
