TIRANË- Sipas një raporti të fundit nga INSTAT rezulton se në 10 vitet e fundit asnjë nga 10 emrat më të përdorur në vendin tonë nuk është shqiptar. Lista kryesohet nga emri Amelia për vajzat dhe Noel për djemtë. Pedagogia Elsa Skënderi thotë në Report Tv se shqiptarët kanë prirje për të ‘përqafuar’ emrat e huaj, kjo për shkak të tendencës së viteve të fundit pasi duan të nxjerrin në pah anën europiane.
“Çështja e përzgjedhjes së emrave në thelb është shumë personale. Ka pasur një prije për të përqafuar emra që nuk janë në shqip. Kjo lidhjet me prirjen e gjithë shoqërisë për ta bërë të vetë të huajën. Shohim se emrat më të përdorur në vendin tonë janë më të përdorur edhe në vendet europiane”, tha Skënderi në Report Tv.
Në ’Studio Live’ me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, pedagogia tha se vihet re një rënie e përdorimit të emrave tipik shqiptar. Sipas saj, prindërit shpesh zgjedhin emrat e gjyshërve dhe fusin në ta elementë të huaj për të sjell një emër më bashkëkohor për fëmijët e tyre.
“Ka në fakt një shqetësim që nuk e kemi vetëm në shqiptarët për emrat tanë. Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë që kemi një rënie të emrave që kanë qenë tipik. Pak mund të ketë nga ata prindër që ia venë emrin Vlora apo Saranda, edhe në Kosovë. Emrat e traditës janë në rënie dhe ka një prirje për tu përdorur emra që janë më bashkëkohor. Jemi më të orientuar për të nxjerr në pah aspektin europian.(...) Ne e shohim njëfarë rikthimi te emrat tradicional shqiptarë, mund të kemi rimarrje, të rimerren emrat e gjyshërve dhe kjo mund të reflektohet edhe tek emra që ripërsëriten dhe vijnë”, u shpreh pedagogia.
Zëvëndësdekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë thotë se kohët e fundit prindërit preferojnë të vendosin emra të shkurtër dhe që janë më të lehtë për tu shqiptuar.
“Po të shohim listën përdoren emrat që janë më të shkurtër dhe janë lehtësisht më të shqiptueshëm edhe po të shkosh në një vend jashtë, askush s’do lodhet për ta shqiptuar. Ka një prirje për të rimarrë disa emra, të shkurtër dhe jo shumë të vështirë. Ka një tendencë për t’i rimarrë disa emra që janë të traditës dhe për ti risjellë. Këta janë nga emra që tingëllojnë në mënyrë interesante dhe nuk janë konsumuar shumë”, vijoi ajo.
Sipas Skënderit media është një faktor shumë i rëndësishëm përcaktues për përzgjedhjen emrave nga prindërit. Kjo është vënë re me kohën tha Skënderi, pasi gjatë viteve kur në Shqipëri mbizotëruan telenovelat spanjolle sollën edhe një trend të emrave spanjoll në vendin tonë, si Paloma e Ana Maria. Ajo u shpreh se sot vihet re një prani e madhe e emrave turk, e influencuar sërish nga telenovelat.
“Modeli që na servir media janë përcaktues për mënyrën sesi i përzgjedhim. Në kohën e bumit të telenovelave spanjolle apo braziliane patëm vajza që e kishin emrin Paloma, Ana Maria. Sëfundmi me telenovelat turke kemi një fluks të emrave që janë në gjuhën turke. Disa vajza e kanë emrin Ajla, që është turk, tipik. Shenjë shumë e qartë e ndikimit nga ai lloj realiteti kulturor që na serviret përmes telenovelave”, tha zv.dekania e FHF-së.
Skënderi thotë se në regjistrin e gjendjes civili ka një listë me emra që ndalohen me ligj të përdoren për fëmijët pasi cenojnë integritetin e tyre.
“Nuk mund të përdorësh emrin Ekran, ose Sose, Mjaftime, Mbarime etj. Mund të jenë emra të vjetër. Ka një listë të përcaktuar që janë të ndaluar dhe nuk mund të përdoren se do cenojnë integritetin e fëmijës nesër. Ka hyrë në gjuhën shqipe, ekziston edhe në Spanjë”, tha ajo.
Referuar një studimi të realizuar nga pedagogia Elsa Skënderi mbi emrat që qytetarët zgjedhin për bizneset e tyre thekson në rastet kur qytetarët preferojnë ta përdorin shqipen e shkruajnë atë gabim duke futur elementë nga gjuha angleze.
“Studimi që kam kryer është për peizazhin linguistik të Tiranës, është gjuhë që ia venë vetë njerëzit. Nëse shihni emërtesat e bizneseve gjuha shqipe ka një pozicion thuajse të barabartë me anglishten dhe për fat të keq edhe kur emërtesat janë në gjuhën shqipe vihet re një përdorim që është në kundërshtim me drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Kjo për fat të keq është një kambanë alarmi për kulturën gjuhësore. Ka shtete që e kanë zgjidhur përmes një ligji që i shtrëngojë bizneset që kur vejnë një emër të jetë i saktë. Gjysmën shenjave e kemi në anglisht, pavarësisht se kjo nuk reflekton dijen e banorëve për gjuhën angleze. Prirje e ndikuar nga globalizmi”, tha Skënderi.