Sport

Shqiptarët 'pushtojnë' Federatën Evropiane të Peshëngritjes! Presidenti Astrit Hasani shpalos vizionin në Report TV! Elez Gjoza: Pirro Dhima punoi kundër nesh

15 Prill, 12:51| Përditesimi: 15 Prill, 13:31

  • Share

Për herë të parë në histori, një shqiptar është zgjedhur si presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Bëhet fjalë për Astrit Hasanin, shqiptarin e Kosovës që ka qenë pjesë e këtij organizmi prej 17 vitesh në të gjitha nivelet, ndërsa pas 11 prillit e sheh veten si njëshin e institucionit.

Për këtë arritje, nga Moldavia Astrit Hasani foli për Report TV me gazetarin Andi Kapxhiu. Së bashku me të në bisedë u përfshi edhe Elez Gjoza, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Të dy njerëzit e shtangës e vendosën theksin te bashkimi i shqiptarëve duke treguar edhe prapaskenat e rezultatit historik.

Astrit Hasani u ndal te vizioni dhe gjithëpërfshirja e peshëngritjes, duke treguar edhe mbështetjen e kryeministrit Edi Rama si edhe kreut të KOKSH, Fidel Ylli.

"Me përkrahjen e Elez Gjozës, të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Shqipërisë, ishte një strategji e përbashkët që për shkak të përvojës sime 17-vjeçare brenda Federatës Evropiane të Peshëngritjes, së pari si auditor dhe më pas si anëtar i bordit Ekzekutiv, menduam që të kandidoj për president dhe ia dolëm. Nuk ishte e lehtë, por me vizion, stretegji dhe bashkim arrihen të gjitha.

Tani kemi zgjedhjet për Komisionin e Sportistëve dhe shpresojmë që të kemi një shqiptar, Saimir Lagjia do të zgjidhet mes gjashtë sportistëve që do mbrojnë interesat e tyre. Dua të përshëndes edhe Fidel Yllin edhe i uroj suksese në zgjedhjet e KOKSH që vijnë pas pak ditësh.

Kush është Astrit Hasani? Familja ime vjen nga një përvojë e madhe në sport, nga gjyshi te im atë. Im atë ka qenë kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës për 25 vite dhe mban titullin e "Urdhërit Olimpik". Kam studiuar në SHBA dhe Kembrixh, si edhe në Varshavë. Kam 17 vite që jam pjesë e Federatës Evropiane të Peshëngritjes në të gjitha nivelet. I njoh shumë mirë të gjitha hallkat.

Ndryshimet që do sillni në Shqipëri dhe Kosovë? Vizioni im është që ta zhvilloj këtë sport në nivel Europian, dua të rris transparencën dhe të organizoj më shumë seminare dhe trajnime. Seminari i parë do jetë për doktorët, që janë shumë të rëndësishëm për shëndetin e atletëve. Kemi pasur një mbështetje nga Edi Rama i cili e njeh në thelb sportin, dua t'i dërgoj përshëndetjet më të sinqerta. Në Evropë do kemi një cilësi më të madhe në organizim. Ne nuk merremi me politikë, bëjmë sport. Sporti është mbi politikën dhe kemi fokus në nivel Europian", tha Astrit Hasani.

Elez Gjoza, kreu i FSHP tha se tanimë shqiptarët kanë "pushtuar" Evropën e shtangës, duke vlerësuar figurën e Hasanit. Ai tregoi se pjesë e Bordit Ekzekutiv ishte edhe një tjetër shqiptare, në rolin e sekretares. Ndërkohë Gjoza shtoi se ish-sportisti Pirro Dhima punoi kundër tyre në këto zgjedhje. Greko-shqiptari Dhima është një ish-kampion i peshëngritjes dhe mban postin e zëvendës-presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes, pozicion që synohet nga Elez Gjoza.

"Edhe ju keni punuar për këtë zgjedhje? Dua të them se nuk ishte e vështirë, por nuk ishte as rastësi marrja e këtij posti pasi kemi të bëjmë me një doktor shkencash dhe një njeri të mrekullueshëm siç është Astrit Hasani. Kishte ardhur koha që në Federatën Evropiane të bëheshin ndryshime rrënjësore. Normalisht shfrytëzuam njohjet tona edhe në Federatën Botërore. Kongresi foli shqip, suksesi ishte i përbashkët, punuam në grup edhe me ndihmën e Komiteteve tona Olimpike, ka ndikuar edhe kryeministri Edi Rama. U bënë bashkë të gjithë faktorët. Historik është ky sukses.

Veç Astrit Hasanit ne jemi përfaqësuar në Bordin Ekzekutiv me gjeneral-sekretaren zonjën Ilva, e cila ka një kontribut të madh dhe u mbështet. Kemi pretendime që në Bordin Ekzekutiv të kemi edhe një nga sportistët tanë, pasi i kemi dhënë tonin sportit me Briken Caljan apo Erkand Qerimaj. Ky është vetëm fillimi, tani e pret puna dhe vështirësitë.

Dëshira e Elez Gjozës - Së shpejti kemi zgjedhjet për Federatën Botërore të Peshëngritjes dhe unë do jem kandidat për postin e zëvendëspresidentit. Do kem edhe mbështetjen e Astrit Hasanit i cili është një faktor në këto organizma. Kemi fat që jemi të pazgjidhshëm së bashku.

Pirro Dhima, si zëvendëspresident i Federatës Botërore, ju mbështeti apo jo?

Është diçka që duhet sqaruar. Astrit Hasani ka marrë pjesë në gjithë aktivitete ndërkombëtare të Shqipërisë dhe ka qenë drejtor që zgjedhjet e Federatës Botërore u zhvilluan në Shqipëri. Sa i takon sportistit të madh shqiptar, Pirro Dhimës, është një sportist me shumë vlera. Për çudi dhe ironi të fatit, dua të jem i sinqertë me shqiptarët, ai (Pirro Dhima) vazhdimisht ka qenë jo dashamirës me mua si President i Federatës Shqiptare dhe me Astrit Hasanin. Duhet të ishte njësh me ne, por mendoi ndryshe dhe pësoi humbjen e madhe në këtë Kongres.

Çfarë e pret Peshëngritjen? Kristjan Ramadani, Briken Calja, Erkand Qerimaj synojnë medalje dhe duam të sjellim në Shqipëri disa medalje. Me kushtet e krijuara, duke pasur gradën për sportistët, kemi një ndërthurrje shumë të mirë dhe kemi sjellë një revolucion për të drejtuar Federatën Evropiane, teksa do vijë dita që të drejtojmë edhe Federatën Botërore", tha Elez Gjoza.

S.Dh/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?