Shqiptarët që ikin, ‘Komploti’ i Ben Blushit, si një paralajmërim, shkrimtari në Panair: Një thirrje letrare për të mos e braktisur vendin!

16 Nëntor 2023, 17:34| Përditesimi: 16 Nëntor 2023, 17:44

  • Share

Një vizionim ose paralajmërim letrar, i asaj që mund të bëhet Shqipëria nesër, me mendjet e vendasve që sot ‘trokin’ ikje, e të huajt që vijnë... “Komploti” i Ben Blushit është prej botimeve të reja, që po tërheq lexues gjatë këtyre ditëve të Panairit të Librit.

“Po ke të drejtë në fakt është më shumë një paralajmërim se sa parashikim. Është një thirrje letrare për të mos e braktisur Shqipërinë. Sepse Shqipëria ka humbur më shumë se një milion banorë në 30 vjet dhe me një projeksion të ngjashëm mund të humbas po aq edhe në 20 vitet e ardhshme, nëse hyjmë në Bashkimin Evropian, tendenca për tu larguar do të jetë më e lartë”, shprehet shkrimtari Ben Blushi.

Në Shqipërinë e vitit 2043 që projektohet në “Komplotin” e Blushit afganët janë mbi 200 mijë, Shëngjini madje lakohet nga personazhet si qytet afgan. Autori kërkon ndër të tjera edhe të ngacmojë “ata që mund pengojnë ngjarjet e romanit të ndodhin vërtetë”. Sa më shumë zgjatet në të ardhmen, aq më e tkurrur është Shqipëria që ai imagjinon, dhe aq më i brishtë etniciteti.

“Unë jam përpjekur të ndërtoj një Shqipëri imagjinare. Është normale që në një vend ku kaq shumë njerëz ikin, të tjerë do vijnë. Që mund të jenë afgan në rastin tim, mund të jenë afrikan, siç po duket, sirian, iranian, nga vendet më të varfëra. Në këtë rast ky është komploti!”, thotë më tej.

Një rrugëtim tredimensional, ai i Blushit, ku personazhet e së shkuarës sjellin situata potenciale të ngjashme, personazhe si ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Rauf Fico, nipi i të cilit Rauli, diç fsheh, ndërsa zgjidhet Kryeministër. Ndërkaq me afganët që vijnë në shtet e poste, Shqipëria nga vend i pushtuar nis të diskutohet edhe si pushtues. Në mes të konfliktit mes shqiptarëve vendas e të huajve, është edhe Kosova, ndërsa Amerika dhe Rusia si superfuqi, me mbështetjen që u japin Mohamed Durranit dhe Leon Trockit e ri trazojnë situatën. Panorama diplomatike e sotme, mund të përmbyset.

“Në zhvillimet që ndodhin në Shqipëri dhe kudo në botë dy superfuqitë që kanë dominuar në këtë shekull, Amerika dhe Rusia kanë influencën e vet. Dhe fakti që ne u çliruam nga komunizmi pra ikëm nga ombrella sovjetik, bëri që të kishte ndikim superfuqia tjetër, Amerika, që ka dominuar botën vitet e fundit.  Dhe përplasja e superfuqive krijon tensione në botë, këto tensione kanë kostot e tyre diku ndodh në luftë, diku në integrim etj.”, shprehet më tej.

Projekt-propozimin e kobshëm të viteve ’30, për të krijuar në Shqipëri një shtet hebre ia shpalos qëllimisht lexuesit.

“Ka qenë një projekt, në fillim të shekullit të kaluar, ku  hebrenjtë e gjithë botës që jetonin në shtete të ndryshme, nisën ‘të pjekin’ idenë për një shtet të tyre, që e krijuan, Izraelin në tokën e Palestinës. Por para se të shkonin në këtë pikë, shqyrtuan disa opsione të tjera, një prej tyre ishte që Shqipëria të bëhej shteti hebre dhe kjo ndodhi në vitin 1935 kur u propozua nga një gazetar anglez me origjinë hebreje. Kjo nuk ndodhi, por imagjino të kishte ndodhur… Sikur

të kishte ndodhur do të ishim një Izrael ndoshta. Por fati që nuk ndodhi dhe ne jemi një shtet shqiptar”, thotë më tej.

Ndërsa provon t’i shpëtojë Blushi shqiptarët, duke i asnjanësuar nga konflikti e interesat e superfuqive...

“Zgjidha e vetme e popujve është që popujt të jetojnë në paqe duke bërë çmos që superfuqitë të jetojnë në paqe sepse konflikti më i madh lind nga superfuqitë...”, thotë ai.

M.T//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Oktopidus: 17/11/2023 03:49

    As afganët nuk duan të jetojnë në Shqipëri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?