Për tu furnizuar me ushqimet bazë, nga buka, mishi, bulmeti, perimet dhe produkte të tjera, një familje shqiptare me mesatarisht 3.7 anëtarë, duhet të shpenzojë të paktën 36 mijë lekë në muaj. Raporti i fundit i Institutit të Statistikave mbi ‘Anketën e Buxhetit të Familjeve’, tregon se afro 40% e të ardhurave shkojnë për ushqime. Ndikim në këtë peshë të lartë japin çmimet e kripura të produkteve ushqimore në vend, që janë kategoria që regjistron shtrenjtimin më të lartë çdo muaj.
Pesha më e madhe e shpenzimeve mbahet nga produktet e mishit, me 18,5% (16,959 lekë në muaj), pasi për shkak të tkurrjes së numrit të bagëtive në Shqipëri, çmimi i mishit është rritur ndjeshëm. Një kilogram mish viçi kushton 1200 lekë, dhe po në të njëjtat vlera luhatet edhe mishi i qengjit apo kecit. Në raport me vitin 2022, shpenzimet për ushqime janë rritur me 1 mijë e 222 lekë, referuar shifrave zyrtare.
Gjatë vitit të shkuar shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje vlerësohen me 91.675 lekë, nga 88.367 lekë që ishte në vitin 2022. Pas ushqimeve, shpenzimet më të mëdha të shqiptarëve janë për pagesën e ujit, dritave dhe qirave me 9.7% të totalit të shpenzimeve, për të vijuar më tej tek transporti e mobilimi i banesës. Ndërkohë kategoritë për të cilat shqiptarët shpenzojnë më pak janë arsimi me vetëm 3,208 lekë në muaj, dhe i fundit është argëtimi me 2,383 lekë shpenzime në muaj për familje.
I vetmi qark që e tejkalon nivelin mesatar të shpenzimeve është Tirana, ku një familje shpenzon në muaj mesatarisht 108.098 lekë, ndjekur nga Korça me 91.034 lekë dhe Durrësi me 89.561 lekë. Qarqet më të varfra rezultojnë Kukësi me 73.225 lekë shpenzime mujore për konsum, dhe Dibra me 74.479 lekë në muaj, për familje.