Shqiptarët shpenzuan 761 euro për frymë për fruta dhe zarzavate më 2022, e dyta në Europë

7 Shkurt, 17:11| Përditesimi: 7 Shkurt, 17:15

  • Share

Shqipëria renditet ndër vendet më të varfra të Europës në të ardhurat për frymë, por kur vjen puna për konsumin e frutave, perimeve dhe zarzavateve, Shqipëria ka shpenzimet më të larta për frymë pas Zvicrës.

Sipas të dhënave të Eurostat, një shqiptar harxhoi mesatarisht 761 euro për blerjen e frutave dhe perimeve më 2022, niveli i dytë më i lartë në Europë, duke lënë pas vetëm Zvicrën me 822 euro për frymë.

Siç tregon grafiku bashkëngjitur, vendet mesdhetare harxhojnë më shumë para për konsumin e grupit të perimeve dhe frutave në raport me vendet e tjera edhe pse janë prodhuesit më të mëdhenj të tyre dhe kanë çmime më të lira.

Pas Shqipërisë, konsumin më të lartë për frymë e ka Mali i Zi me 679 euro për frymë duke u renditur i treti në Europë, më pas vjen Italia me 636 euro për frymë dhe Greqia me 625 euro për frymë.

Shpenzimet e larta në vendet e Mesdheut vijnë nga dieta e tyre bazuar në fruta dhe zarzavate, e konsideruar tashmë si nga më të shëndetshmet në botë.

Në krahun tjetër shpenzimet më të ulëta i ka Hungaria me 241 euro për frymë, Serbia me 244 euro, Bosnja 247 euro dhe Bullgaria 291 euro.

Më 2022 shpenzimet e larta frymë për fruta, perime dhe zarzavate u nxiten edhe nga rritja e çmimeve. Familjet shqiptare çojnë rreth 42% të shpenzimeve mujore për t’u ushqyer, shifër që është më e larta në Europë dhe shumë më tepër se mesatarja e Bashkimit Europian prej 13%.

Si rrjedhojë, shtrenjtimi i ushqimeve rëndon shumë më tepër në buxhetin e një familjeje shqiptare sesa në atë të një familjeje në vendet e Bashkimit Europian, apo dhe në rajon.

Shtrenjtimi më i lartë ishte për zarzavatet, përfshirë pataten. Patatja dhe qepa dy produkte bazë në kuzhinën shqiptare po shiten më çmime mesatarisht 20% më të larta më 2022. Tregu ka mungesa të rregullta në furnizime dhe për pasojë çmimi luhatet nga ditë në ditë me tendencë rritjen.

Zgjerimi i kanaleve të eksportit, rritja e numrit të turistëve dhe nga ana tjetër, kapacitetet e kufizuara për të zgjeruar prodhimin, të kombinuara me dëmet që po krijojnë ndryshimet klimatike kanë krijuar kushtet për normalitet të ri të çmimeve në produktet bujqësore dhe blegtorale.

Operatorët, që nga prodhimi, tregtia dhe eksporti pohojnë se çmimet e perimeve, zarzavateve, frutave, produkteve blegtorale të bulmetit, mishit etj., nuk do të njohin kthim pas, përkundrazi të dhënat tregojnë për një rritje të mëtejshme./ Monitor

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?