Ashtu sikurse kishin paralajmëruar ambasadorët ndërkombëtarë në Shqipëri sot ishin të shpërndarë në rrethe të ndryshme nga ku ndoqën nga afër procesin e votimit.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim dha një mesazh shumë të qartë nga të gjitha inspekeitmet që ka kryer në Shkodër, Durrës duke thënë se çdo qytetar duhet të ketë mundësinë të votojë pa frikë dhe pa ndërhyrje. Ajo i bëri thirrje prokurorisë të hetojë incidentet e raportuara dhe liderëve politikë të presin me durim rezultatin.
Ndërkohë Ambasadori i BE Luigi Soreca ishte sot në disa qendra votimit, në Tiranë por edhe në Elbasan e Durrës nga ku tha se procesi zgjedhor është në lupën e ndërkombëtarëve. Nga Durrësi ku ka monitoruar procesin e zgjedhjeve në disa qendra votimi, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Norman Duncan, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje.
Pas mbylljes së procesit të votimit, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca kanë bërë thirrje kandidatëve për deputetë dhe liderëve të partive që të mos supozojnë rezultatet, por të pranojnë gjykimin e votuesve. Diplomatët thanë se rezultati të pritet me qetësi e durim duke respektuar vendimmarrjen e zgjedhësit.
Ambasadori i BE, Luigi Soreca shprehet se delegacioni i BE, shteteve anëtare dhe Ambasada zvicerane kanë vendosur 50 ekipe në terren për të ndjekur procesin e votimit dhe numërimit të votave. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ambasadori ka postuar edhe një hartë ku paraqiten konkretisht se ku do të vendosen këto 50 ekipe. Soreca shkruan se BE do të qëndrojë pranë të gjithë qytetarëve shqiptarë në ditën e zgjedhjeve parlamentare.
Nga KZAZ te shkolla 'Vasil Shanto' ku ka filluar procesi i numërimit, ambasadorja e SHBA Yuri Kim kishte edhe një thirrje për partitë politike.
"Për ta bërë punën e tyre me integritet dhe unë besoj se do ta bëjnë. Gjithashtu mendoj se autoritetet të ndjekin të gjithë ankesat që mund të dalin në mënyrë që të ketë përmirësim i gjithë procesi. Partitë dhe kandidatët të qetësohen, të kenë durim, të presin rezultatin dhe kur rezultatet të certifikohen t'i pranojnë. SHBA si një mik i popullit shqiptar do të jetë këtu deri në fund", tha Kim.
Disa vëzhgues të Partisë Demokratike janë shfaqur në KZAZ në “Vasil Shanto” me bluzën ku ishte e shkruar numri “9”, që korrespondonte me numrin e PD-së në fletën e votimit. Ambasadorja Kim dhe kryekomisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi u ka kërkuar që të heqin bluzën ose ta kthejnë mbrapsht, pasi nuk lejohet.
Yuri Kim: Duhet të ndërroni bluzat. Ju që keni veshur bluzat me nr 9, ju të Partisë Demokratike duhet të ndërroni bluzat. Nuk lejohet. Ose të paktën t’i vishni mbrapsht. Ndërrojini tani në moment. Kush është këtu nga PD? Po nga PS? Po nga LSI? Kur nisni? Shpejt? Ok, do të jem edhe unë me ju.
Ilirjan Celibashi: Duhet t’i ndërroni në moment bluzat, është e drejtë. Dhe të nisni punën.
Gazetarja-numëruesve: A do t’i ndërroni bluzat?
Numëruesit: Prit njëherë se po trajnohemi. Do të ndërrojmë bluzat dhe pushtetin. Kemi votuar për ndryshimin.
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim e shoqëruar nga kryekomisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi, kanë shkuar në njësinë numër pesë në shkollën “Vasil Shanto” për të para nga afër procesin e numërimit.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka reaguar pas përfundimit të orarit zyrtar të votimit, ku ju ka bërë thirrje kandidatëve për deputetë që të mos supozojnë rezultatet, por të pranojnë gjykimin e votuesve.
“Votuesit në Shqipëri dolën me forcë të plotë për të shprehur vullnetin e tyre. Zgjedhjet dhe autoritetet e zbatimit të ligjit kanë për detyrë të sigurojnë integritetin e votës. Kandidatët dhe udhëheqësit, gjithashtu, kanë detyrën e tyre: të mos supozojnë rezultate, por të pranojnë gjykimin e votuesve kur përfundon numërimi.” shkruan ambasadorja Kim.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca e cilësoi një ditë të madhe për demokracinë ditën e sotme ku tha se pjesëmarrja ishte e madhe në votime. Ai tha se ekipet e BE do të ndjekin procesin e numërimit dhe se rezultati të pritet me qetësi e durim duke respektuar vendimmarrjen e zgjedhësit.
"Ishte një ditë e gjatë e filluam në orën 07:00 në Tiarën dhe e mbyllëm po sërish në Tiranë. Kemi qenë në Tiranë, Peqin, Elbasan, Kavajë, Durrës. Përveç disa problemeve që janë hasur që janë të pakta për aparatet e identifikimi elektronik, administrata zgjedhore ka funksionuar mirë. Ekipet e BE që vëzhguan zgjedhjet do të vëzhgojnë edhe procesin e mbylljes së votimit. Të gjithë informacionin që kemi mbledhur do ja kalojmë OSBE/ODIHR për të bërë raportin paraprak nesër. mbyllja e votimit dhe dërgimi i materialeve zgjedhore është vetëm fillimi i procesit. Komisioni i qendrave të votimit do të kryejnë procesin e tyre, por ne do të vijojmë me vëzhgimin e numërimit deri kur të kemi një rezultat. Personalisht mendoj se ishte një ditë e mirë për demokracinë dhe pash shumë qytetarët që kanë marrë pjesë në procesin e votimit dhe e ndjenë përgjegjshmërinë e tyre për të hedhur votën në kutitë e votimit. Është e rëndësishme që të jemi të qetë dhe të presim me durim rezultatin dhe të tregohet respekt për rezultatin e zgjedhjeve dhe të kemi këtë qetësi që kemi pasur deri tani", tha Soreca.
Ambasadorja Amerikan Yuri Kim është ndalur edhe në qytetin e Elbasanit, ku ka nënvizuar se tashme duhet të bëhet me saktësi procesi i numërimit dhe se kandidatët të pranojnë më qetësi gjykimin e popullit.
“Ky është momenti dhe detyra juaj. Shpresoj që të gjithë do të votojnë e të gjithë autoritetet do të përmbushin përgjegjësit e tyre për të numëruar votat me saktësi. Kandidatët dhe drejtuesit e tjerë do të mundet të bëjnë detyrën e tyre duke pritur me durim, duke pranuar gjykimin e popullit. Qytetarët më kanë thënë se kanë votuar dhe se ndiheshin të sigurt.”, tha ambasadorja nga Elbasani.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca vetëm pak minuta nga mbyllja e procesit të votimit ka qenë i pranishëm tek ‘Liceu’ për të shikuar procesin e votimit.
‘Kemi qenë gjithandej dhe nuk është se kemi parë probleme. Nuk ka radhe mesa duket.’- tha Soreca.
Nga Durrësi, ku është i pranishëm bashkë me ambasadoren e SHBA Yuri Kim, ambasadori i BE, Luigi Soreca i ka bërë thirrje udhëheqësve politikë që të presin me durim rezultatin e zgjedhjeve dhe ta respektojnë atë. Ai tha se ekipet ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve janë në të gjithë Shqipërinë dhe se gjërat po ndiqen nga afër.
"Është një kënaqësi sot që kemi shkuar nëpër vende të ndryshme të Shqipërisë. Komentet që kemi marrë sot kanë qenë të qarta që Shqipëria po shpreh vullnetin e saj duke votuar. Votimi ka ecur kryesisht mirë pa probleme, pavarësisht disa incidenteve që do të hetohen dhe procedohen. Po janë ende edhe 3 orë kohë ndaj thirrja jonë është për ata zgjedhës që nuk kanë votuar ende, e dimë që sot është një ditë shumë e bukur, por duhet të vini të votoni. Pas votimit ju lutem prisni me durim rezultatin dhe për udhëheqësit politikë kini durim të prisni rezultatin dhe respektojeni atë. Tashmë që po flasim kemi ekipet tona në të gjithë Shqipërinë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër", tha Soreca.
Ambasadorja Yuri Kim nga Durrësi ka folur për disa incidente të ndodhura duke thënë se këto raste duhet të ndiqen nga prokuroria dhe autoritetet dhe se liderët e partive dhe kandidatët të presin daljen e rezultatit dhe gjykimin që ka bërë populli për ta.
"Qytetarët kanë treguar përgjegjësi, administrata zgjedhore po ashtu. Koha që liderët dhe partitë të tregojnë përgjegjësi. Të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Ftese qytetareve të votojnë. Ka pasur shkallë të lartë pjesëmarrje qytetarësh. Janë raportuar disa incidente dhe është përgjegjësi e autoriteteve t'i ndjekin. Ne e kemi të qartë dhe kemi bërë thirrje prokurorëve t'i hetojnë këto çështje deri në fund. Qytetarët janë duke përmbushur detyrën e tyre, prokurorët po bëjnë punën e tyre dhe liderët e partive dhe kandidatët duhet të presin daljen e rezultatit dhe gjykimin që ka bërë populli", tha Kim.
Ambasada e SHBA ka publikuar foto nga ekipet që prej mëngjesit të ditës së sotme kanë dalë në terren për të monitoruar procesin e votimit dhe numërimit në vendin tonë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ambasada amerikane njofton se ekipet tashmë janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.
“Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri! Ne do të jemi duke vëzhguar! Sot është dita juaj!”, shkruan në postim.
Ambasadori i BE Luigi Soreca nga Elbasani ka thënë se paisja e re e identifikimit biometrik po funksionin, ndonëse ka pasur disa probleme. Këto probleme thotë Soreca janë zgjidhur menjëherë, madje ka qenë dhe vetë i pranishëm në një qendër votimi në Tiranë kur paisjet janë ndërruar. Ambasadori ka vijuar me thirrjet e tij kundrejt qytetarëve të cilëve u ka thënë që të votojnë, pasi kjo është një ditë e rëndëishme për Shqipërinë por edhe për Shqipërinë në BE.
"Shumë zgjedhës kanë votuar dhe ajo që kam parë un është një prirje që sistemi i ri po funksionin. Ka pasur probleme teknike psh kam qenë në një qendër voti mi në Tiranë por ajo arriti të zëvendësohej me një paisje tjetër shumë shpejt. Thirrja ime në fakt për të gjithë qytetarët është që sot duhte të dilni të votoni të ushtroni të drejtën dhe përgjegjësinë për të votuar. Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë por edhe për Shqipërinë në BE. Ne po i ndjekim të gjitha zhvillimet Be ka ekipet e veta jemi të pranishëm në të gjithë Shqipërinë. Ju bëj thirrje të gjithëve që të votoni. Më lejoni ti bëj një thirrje të gjithëve ju lutem shkoni të votoni për këtë ditë të rëndësishme oër Shqipërinë Europiane”, tha Soreca.
Nga Liceu Artistik në Tiranë, drejtuesja e misionit të OSBE-ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve të në Shqipëri, Ursula Gacek, ka thënë se vëzhguesit janë të shpërndarë në të gjithë vendin dhe është monitoruar gjithçka prej 5 javësh tashmë.
"Kemi vëzhguar të gjithë fushatën zgjedhore. Anëtarët, skuadra e ODIHR është e shpërndarë në të 12 qarqet e Shqipërisë që nga fundi i marsit.
Ne do të mbledhim të gjithë informacionin nga e gjithë Shqipëria dhe përgjigjet e pyetjeve tuaja do të vijnë nesër. Ne do të kemi një konferencë nesër në orën 15:00 dhe ju do të keni mundësinë që të bëni pyetjet që keni", tha ajo.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka inspektuar sot procesin e zgjedhjeve në gjimnazin 28 nëntori në Shkodër. Kim ka qenë që prej mbrëmjes së djeshme në Shkodër.
Mesazhi i Kim ishte shumë i qartë. Ajo tha se çdo qytetar të ketë mundësinë të votojë pa frikë dhe pa ndërhyrje.
"Pata një mundësi të mrekullueshme të shikoja demokracinë në veprim në Shqipëri. Gjithashtu shkëlqyeshëm pashë se funksionoi sistemi i leximit të kartave të identitetit. Gjithashtu pashë se në një rast problematike plani rezervë funksionoi mjaft mirë. Siç e kam thënë në nuk mbështesim asnjë kandidat apo parti të caktuar por ne mbështesim të drejtën e shqiptarëve për të votuar. Shpresojmë që çdo qytetar të ketë mundësinë të votojë pa frike dhe pa ndërhyrje! Kjo është dita juaj", tha Kim.
Nga Durrësi ku ka monitoruar procesin e zgjedhjeve në disa qendra votimi, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Norman Duncan, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje.
"Është shumë kënaqësi që të jem serish në Durrës. Unë mendoj se ndërkombëtarët të shihen që po monitorojnë. Dhe ka shumë ndërkombëtarë që po monitorojnë zgjedhjet këtë herë. Ne si ambasadë britanike kemi 8 ekipe të cilat po monitorojnë në të gjithë vendin dhe gjithashtu po mbështesim përmes projekteve tona rreth 600 vëzhgues të përkohshëm. Qytetarët duhet të votojnë për partinë që do të donin të votonin", tha ai.
Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca ka qenë në qendrën e votimit nr 1981 në Tiranë ku ka vëzhguar nga afër procesin e otimit si dhe u ka dhënë një mesazh komisionerëve lidhur me rëndësinë që ka ky proces. Ambasadori tha se ka shumë njerëz që po e ndjekin nga jashtë procesin ne votimit në vend, duke iu referuar këtu ndërkombëtarëve, ndaj u kërkoi komisionerëve që ta bëjnë punën sa më mirë.
“Ne do të shikojmë punën tuaj do të mbështetemi te puna që ju do të bëni dhe gjithçka ka të bëjë me procesin. Ka shumë njerëz që po i ndjekim zhvillimet në Shqipërisë jashtë Shqipërisë por nuk dua tu vë shumë në presion por pak në presion që ta dini rëndësinë në mënyrë që punën tuaj ta bëni sa më mirë”, tha Soreca nga shkolla “Dora Distra”.