Një shqiptar me gati 50 dënime është lejuar të qëndrojë në Britani pasi një gjykatëse vendosi se krimet e tij nuk ishin “mjaftueshëm ekstreme”.
Zenel Beshi, i përshkruar si “kriminel i rëndë dhe i përsëritur”, ishte dënuar me gjashtë vjet burg në Itali për grabitje, vjedhje dhe privim të paligjshëm të lirisë, sipas asaj që u dëgjua në një tribunal të emigracionit.
Por ai nuk kishte deklaruar këto dënime kur mbërriti në Britani, tha Zyra e Brendshme (Home Office).
Ajo argumentoi në tribunal se Beshi përbënte një “kërcënim të vërtetë, aktual dhe mjaftueshëm serioz” për vendin dhe duhej dëbuar.
Megjithatë, gjykatësja e tribunalit të lartë, Leonie Hirst, hodhi poshtë argumentet e Zyrës së Brendshme.
Ajo vendosi se krimet e Beshit nuk ishin të natyrës “shumë ekstreme” që të shkaktonin “indinjatë të thellë publike”, dhe i lejoi atij të qëndrojë në vend.
Chris Philp, sekretari i brendshëm në hije (opozita), e akuzoi gjykatësen se është “jashtë realitetit”, duke thënë se shqiptari përbën “qartësisht një rrezik për publikun britanik”.
“Është koha që këta gjyqtarë të fillojnë të japin përparësi mbrojtjes së qytetarëve të ndershëm britanikë në vend që të mbrojnë kriminelët e huaj,” tha ai.
“Shtetasit e huaj që kanë kryer vepra penale në Britani ose diku tjetër duhet të dëbohen pa përjashtim pa ‘nëse’ e pa ‘por’.“Ka ardhur koha që të respektohen të drejtat tona për t’u mbrojtur nga kriminelët e rrezikshëm, dhe jo që të vendosen mbi të gjitha të drejtat e supozuara të kriminelëve. Nëse unë bëhem sekretar i brendshëm, kjo do të ndryshojë.”
Ky rast, i zbuluar në dokumentet gjyqësore, është shembulli më i fundit i zbuluar nga The Telegraph, ku emigrantë të paligjshëm ose kriminelë të dënuar të huaj kanë mundur të qëndrojnë në Britani ose të ndalojnë dëbimin e tyre.
Sekretarja aktuale e Brendshme, Yvette Cooper, po propozon ndryshime ligjore që ta bëjnë më të vështirë për gjyqtarët të japin të drejtën për qëndrim bazuar në pretendime për të drejta njerëzore dhe t’i detyrojë ata të marrin më shumë në konsideratë sigurinë publike.
Beshi mbërriti në Britani në gusht të vitit 2020, tre vite pasi ishte dënuar në Torino, Itali, me gjashtë vjet burg për grabitje dhe privim të paligjshëm të lirisë, si dhe për 44 raste vjedhjesh dhe hyrje me forcë në banesa.
Në shtator të atij viti, ai aplikoi për një kartë qëndrimi në kuadër të Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), si bashkëshort i një shtetasi të EEA-së.
Aplikimi i tij u refuzua fillimisht sepse nuk kishte paraqitur prova që partnerja e tij kishte të drejta të traktatit të BE-së, por pas apelimit, ai mori kartën e qëndrimit. Gjatë kohës që priste vendimin për apelin, Beshi aplikoi për leje qëndrimi në kuadër të Skemës së Vendosjes së BE-së (EU Settlement Scheme).
Megjithatë, Zyra e Brendshme tha se ai nuk kishte zbuluar dënimet e tij për vjedhje dhe për këtë arsye aplikimi i tij u refuzua në korrik 2022. Në të njëjtën kohë, u mor vendimi për dëbimin e tij me arsyetimin se ai përbënte një “kërcënim të vërtetë, aktual dhe mjaftueshëm serioz” për publikun britanik.
Ngarkesa e provës u përdor gabim
Beshi apeloi vendimin dhe u mbështet nga një tribunal i shkallës së parë, pasi një psikolog arriti në përfundimin se ai paraqiste “rrezik të ulët” për përsëritje të veprave penale dhe nuk përbënte një “kërcënim serioz” për shoqërinë.
Znj. Cooper apeloi vendimin, duke argumentuar se gjykata kishte keqinterpretuar ngarkesën e provës, kishte përdorur pragun e gabuar për mbrojtje nga dëbimi dhe nuk kishte dhënë konkluzione të qarta.
Por tani, Tribunalit i Lartë vendosi se fakti nëse Beshi kishte deklaruar apo jo dënimet e tij kishte “pak rëndësi” për vendimin përfundimtar.
Gjykatësja Hirst përfundoi gjithashtu se gjykata e shkallës së parë kishte përdorur standardet e duhura për përcaktimin e pragut për dëbim dhe rehabilitim.
“Edhe pse krimet e tij të mëparshme ishin padyshim të rënda dhe të shpeshta, provat para tribunalit të shkallës së parë nuk tregonin në asnjë mënyrë se ato përbënin një lloj ‘tepër ekstrem’ të kriminalitetit që shkakton ‘neveri të thellë publike’, gjë që do të justifikonte dëbimin,” tha ajo.
Gjykatësja Hirst gjithashtu vlerësoi “analizën e detajuar, të qartë dhe të mirëstrukturuar” të tribunalit të mëparshëm dhe nuk gjeti asnjë gabim ligjor që do të rrëzonte vendimin e mëparshëm për ta lejuar shqiptarin të qëndronte në vend.
“Ne mendojmë se kritikat e Zyrës së Brendshme ndaj arsyetimit të gjykatës së shkallës së parë nuk janë të bazuara mirë.”
Çdo vit raportohen rreth 270,000 hyrje me forcë në shtëpi në Britani, por vetëm një në 25 raste përfundon me kapjen dhe ndjekjen penale të hajdutit.
Një në tetë persona (13%) ndryshon shtëpi për shkak të traumës nga përjetimi i një krimi të tillë, ndërsa një përqindje e ngjashme thotë se nuk mund të qëndrojë më vetëm në shtëpi pas një hyrjeje me forcë.
Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha:
“Kemi bërë të qartë se nuk jemi dakord me këtë vendim dhe po shqyrtojmë opsionet për apel.
“Shtetasit e huaj që kryejnë vepra penale nuk duhet të kenë asnjë dyshim se do të bëjmë gjithçka për t’u siguruar që ata të mos jenë të lirë në rrugët e Britanisë, përfshirë dëbimin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ne mbetemi të vendosur në angazhimin tonë për të mos lejuar asnjë pengesë në dëbimin e kriminelëve të huaj, pasi është në interesin publik që këta individë të largohen pa vonesë./The Telegraph
Komente
