Britania e Madhe ka publikuar listën e parë të personave ndaj të cilëve ka vendosur sanksione për trafikim të paligjshëm të emigrantëve. Në mesin e 24 personave është edhe shqiptari Bledar Lala.
Avokati Naim Hasani, në një lidhje live për Report TV, theksoi se shqiptari i sanksionuar drejtonte një rrjet kontrabande që transportonte njerëz nga Belgjika drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ai tha se janë sanksionuar gjithashtu edhe persona nga Mali i Zi dhe Serbia, mes tyre policë dhe zyrtarë të korruptuar.
Është sanksionuar gjithashtu edhe një kompani me bazë në Kinë, që sipas avokatit, bënte reklamime online të varkave për dërgimin e emigrantëve drejt territorit britanik. Avokati tha se ky është raundi i parë i sanksioneve dhe pritet që në listë të përfshihen edhe emra të tjerë shqiptarë që kanë trafikuar emigrantë me gomone.
“Qeveria britanike ka kohë që po merret me studimin e gjithë aktivitetit kriminal që mundëson trafikun e paligjshëm nga Franca dhe Belgjika drejt Britanisë dhe në kuadër të masave që po ndërmerr, ka anonçuar një numër masash, për të parën herë në historinë e legjislacionit britanik që sanksionet shtrihen ndaj individëve që veprojnë në vende të ndryshme të Evropës.
Sanksionet prekin 24 individë të dyshuar për trafik nga Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut dhe një person është qytetar shqiptar Bledar Lala, që është sanksionuar në tre dimensione, ngrirja e çdo pasurie në Britani, ndalim të hyrjesh dhe ndalim të çdo personi që ka lidhje me Britaninë që të bëjë dhe krijojë aktivitete me këtë individ. Në bazë të raportit të ministrisë së jashtme, ai akuzohet për organizim të trafikut të paligjshëm të klandestinëve nga Belgjika drejt Britanisë. Ka edhe të tjerë nga Mali i Zi dhe Serbia, sidomos për organizimin e trafikut të paligjshëm duke falsifikuar pasaporta dhe mundësuar trafikun ndërkombëtar të qenieve njerëzore.
Ka sanksionuar edhe individë dhe policë, zyrtarë të korruptuar në Serbi që bashkëpunojnë me elementë kriminalë nga Lindja e Mesme, dhe individë që merren drejtpërdrejt në torturimin dhe ushtrimin e dhunës ndaj emigrantëve që nuk kanë mundësi të paguajnë udhëtimin drejt Britanisë.”, theksoi avokati.
Komente
