Në foto Levian Goga, shqiptari që shpëtoi dy fëmijët nga mbytja

Kosova & Rajoni

Shqiptari në Greqi që shpëtoi dy fëmijët nga mbytja, në spital për probleme me frymëmarrjen! Do t’i jepet nënshtetësia greke

14 Qershor, 15:50| Përditesimi: 14 Qershor, 15:57

  • Share

Levian Goga, shqiptari që u hodh pa menduar dy herë në lumin Arahto për të shpëtuar dy fëmijë të mitur, është shtruar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Ai shfaqi kollë të fortë ditën e djeshme dhe u konsultua me një mjek privat, i cili i rekomandoi të bëjë kontrolle të detajuara në spital. Pasi u informua për gjendjen e tij, ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, urdhëroi që të dërgohej një ambulancë për ta transportuar në spitalin e Artës ku po i nënshtrohet analizave të plota. Gjendja e tij, sipas mjekëve, nuk paraqet shqetësim serioz.

Sipas informacioneve, për aktin e tij heroik Levian Goga do të nderohet me dhënien e nënshtetësisë greke, raportojnë mediat greke. 

Kush është “Leo i fshatit”, emigranti që u hodh në lumë për të shpëtuar dy fëmijë

Goga, ose “Leo” siç e thërrasin të gjithë në fshatin Neohori të Artës, nuk është as zjarrfikës, as ndonjë person që kërkon vëmendje mediatike. Nuk kërkoi asgjë, nuk priti as një “faleminderit”. Portali grek protothema.gr arriti ta kontaktojë me telefon të enjten e kaluar, teksa ai priste radhën në urgjencën e spitalit të Artës, i plagosur në këmbë nga përpjekja e madhe për të shpëtuar fëmijët.

Megjithatë, në telefon ai nuk foli për veten apo për plagën. Foli vetëm për ta.

“Fëmijët. Vetëm ata kam në mendje”, ishte fjalia e parë që tha.

Goga Levian është emigrant nga Berati. Ka ardhur në Greqi 24 vite më parë, kur ishte vetëm 17 vjeç. Kishte mbaruar shkollën e mesme dhe dëgjonte që “në Greqi jetohet mirë”. Pa e ditur çfarë e priste, kaloi kufirin dhe mbërriti në Athinë. Aty punoi çdo punë të mundshme pa siguri, pa qëndrueshmëri, pa u ankuar kurrë. Luftoi. U përpoq. Dhe me durimin e karakteristik të njerëzve të thjeshtë, ndërtoi jetën nga e para.

Pesë vitet e fundit jeton në Artë me bashkëshorten dhe dy fëmijët, 10 dhe 6 vjeç. Gruaja e tij është rritur në Greqi dhe janë njohur përmes një krushqie – “kunati na njohu”, thotë me buzëqeshje. Jeta e tyre është e thjeshtë, e zakonshme. Deri pasditen e së mërkurës.

“Isha në kafene. Erdhi një fëmijë me motor dhe bërtiste ‘ndihmë, po mbyten dy fëmijë në lumë!’ Pa menduar, vrapova. Mora makinën dhe shkova në vendngjarje. U futa mes kallamave, kërkova – nuk shihja gjë. Hipëm në një varkë bashkë me disa të tjerë. U hodha një herë – asgjë. Herën e dytë mora frymë thellë, u futa më poshtë, rreth tetë metra. Aty e pashë. Fëmija ishte shtrirë, i palëvizur, me fytyrë të nxirë, duar dhe këmbë të hapura. Si i vdekur. E kapa, e nxorra jashtë me zor. Pastaj dëgjova që kishin gjetur edhe të dytin. U hodha prapë, dy e tri herë. E gjeta. Ishte me shpinë në fund. Kur e nxorra, i dilte gjak nga hunda dhe goja. U tremba”, rrëfen ai me zë të ngjirur.

Nuk i njihte fëmijët. Nuk kishte asnjë detyrim të ndërhynte. Askush nuk e kishte caktuar si shpëtimtar. Por u hodh në ujë sikur të ishin fëmijët e tij. “Njëri ishte në moshën e vajzës sime. Nuk më intereson kush janë, çfarë kombësie apo feje kanë. Edhe unë jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do bënte çdo prind. Vetëm fëmijët kam në mendje”, thotë dhe ndalet.

Zëri i dridhet.

Shikimi i tij nuk kërkon vlerësim. Nuk kërkon kamera, as intervista.

“Uroj të mbijetojnë. Të zgjohen. Të bëjnë jetën e tyre. Do ishte mëkat. Tani fëmijët e mi qajnë në shtëpi. Duhet të kthehem…”, na tha pak para se të mbyllte telefonatën, ende duke pritur në radhë.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Guximtar: 14/06/2025 17:06

    E meriton nje vend Pune tek ekipi i zjarrfikses/kerkim shpetimit, djale shume i afte dhe guximtar besoj komuniteti atje do ishte me fat po te ishte zjarrfikes ose kerkim shpetim si punonjes!

    Përgjigju
  • Njeriu: 14/06/2025 17:03

    Bravo Levian ! Zoti te bekofte ! Bravo shtetit Grek ! Shtetesia e mese merituar ! Respekte !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?