Profesorja drejton një ekip kërkimor mbi qelizat e sistemit imunitar në San Raffaele të Milanos. Në Ditën Botërore të Grave në Shkencë: "Ky vend ofron mundësi për të gjithë".
Duke parë pas, madje edhe duke kujtuar përvojën si studiuese në SHBA, imunologia Mirela Kuka është e sigurt se Italia është një vend i mrekullueshëm për të jetuar.
"Fakti që një person si unë, që erdhi ende fëmijë nga Shqipëria në një situatë jo të favorshme ekonomike, arriti të ndjekë ëndrrën e saj falë një sistemi arsimor që i jep mundësi të gjithëve, mendoj se është për t'u admiruar. Madje edhe në krahasim me vende që duken më të zhvilluara". tha ajo.
Mirela Kuka, vetëm 43 vjeç, është profesoreshë e Patologjisë në Universitetin Vita-Salute San Raffaele dhe drejton një ekip kërkimor në Divizionin e Imunologjisë, Transplanteve dhe Sëmundjeve Infektive të këtij institucioni në Milano. Ajo u rikthye në Itali nga SHBA në vitin 2013, pas tre vitesh e gjysmë në Washington, në një qendër kërkimore të National Institutes of Health.
Ajo studion universin tepër kompleks të qelizave të sistemit imunitar, ato grimca mikroskopike që kanë për detyrë të zbulojnë viruset dhe bakteret dhe të nxisin mbrojtjen e organizmit. Për shumë arsye, historia e saj është një shembull i përsosur për ngjarjen që festohet sot, 11 shkurt: Dita Botërore e Grave në Shkencë. Gratë shkencëtare ende nuk janë shumë, edhe pse numri i tyre po rritet, dhe për të arritur sukses shpesh duhet të punojnë dyfish më shumë se kolegët e tyre meshkuj.
Kuka ishte ende fëmijë kur mbërriti në Itali, në janar të vitit 1994.
"Babai im kishte ardhur dy vjet më parë për të ndjekur një kurs në Politeknikun e Torinos. Ai është inxhinier dhe ka punuar në trenat me shpejtësi të lartë, përfshirë 'Pendolino'. Shqipëria po përpiqej me vështirësi të dilte nga komunizmi, por ishte një moment i vështirë, me shumë paqëndrueshmëri, dhe prindërit e mi, edhe pse kishin karriera të suksesshme në Shqipëri, vendosën me keqardhje të shpërnguleshin në Savigliano, në provincën e Cuneo-s, ku babait iu ofrua një punë. Nuk i kisha mbushur ende 12 vjeç, u gjenda papritur në shkollë të mesme në mes të vitit. Njihja gjuhën sepse në Tiranë shikonim televizionin italian, shikoja vizatimet e Tom dhe Jerry, përktheja telenovelën 'Beautiful' për nënën time", tha ajo.
Mirela Kuka kujton edhe fëmijërinë e saj në Tiranë.
"Më duket pak si një përrallë, të gjitha shtëpitë ishin të ngjashme, veshjet po ashtu, nuk më mungonte asgjë sepse nuk e dija që kishte edhe gjëra të tjera. Si p.sh., kavanozët e kosit me fruta, që më lanë shumë përshtypje sapo mbërrita në Itali…", thotë ajo.
Shkolla e mesme ishte një periudhë magjike për të. Në vitin e katërt, mësuesit e saj e nominuan për një kurs orientimi universitar në Normale di Pisa. Dhe aty ndodhi kthesa vendimtare: dashuria me shkencën falë "një leksioni spektakolar nga profesori Edoardo Boncinelli mbi sistemin nervor dhe biologjinë molekulare".
"M'u hap një botë e re. Më pëlqente laboratori i shkencave në shkollë, por nuk dija asgjë për biologjinë molekulare gjenetike, dhe e kuptova që kjo ishte ajo që doja të studioja. Doja të njihja detajet e trupit të njeriut. Ishte e gjitha e re për mua, isha në vitin e katërt të shkollës së mesme dhe disa leksione ishin të vështira për t'u kuptuar, por atë leksion e piva nga fillimi deri në fund: ai dinte si të shpjegonte gjëra shumë komplekse me një gjuhë të thjeshtë. Si pedagoge sot, e kujtoj gjithmonë atë leksion: nuk ka rëndësi sasia e informacionit, por që ai të jetë i kuptueshëm dhe të tërheqë vëmendjen", tha ajo.
Rruga e saj tashmë ishte e qartë. Mirela Kuka, e cila e përshkruan veten si "e qetë, por kokëfortë".
"Do të merrem me kërkime shkencore". Pas përfundimit të maturës, u regjistrua në Bioteknologji. "Ishte një degë e sapokrijuar në Torino, por ishte ajo që më tërhiqte më shumë drejt atyre lëndëve". Pas diplomimit, u transferua në Siena për doktoraturën: "Një përvojë e jashtëzakonshme, falë shkëmbimit të vazhdueshëm me studiues nga e gjithë bota", tha ajo.
Vetëm një moment e bëri të mendohej për rrugën që kishte zgjedhur.
"Kisha një lidhje 6-vjeçare dhe, pas doktoraturës, kisha dy opsione: të kthehesha në Piemonte ose të provoja të shkoja në SHBA. Në të dyja rastet, rrezikoja të sakrifikoja diçka. Por ai më tha: bëj intervistat, nëse të pranojnë, do të vijmë bashkë. Më pranuan, ai la punën në bankë, brenda një muaji u martuam dhe u transferuam së bashku. Ka shumë njerëz nga kultura të ndryshme, por nuk ishte vendi ku donin të jetonim', tha ajo.
Kështu, përsëri ishte ajo që mori vendimin: Milano, Universiteti Vita-Salute San Raffaele, i katërti në botë për cilësinë e kërkimit shkencor, pas Harvardit, Stanfordit dhe MIT.
'Sot në Milano ka gjithçka thotë Kuka ndërkombëtarizim, shumë institute kërkimore dhe një botë ekonomike me shumë mundësi. Ndjejmë lirinë për të ndryshuar nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet", thotë Kuka.
Në vitin 2015, ajo fitoi financimin e saj të parë për kërkime, një moment vendimtar.
"Kjo do të thotë që ke një buxhet për të menaxhuar, njerëz për të punësuar, është një profesion tjetër që mësohet".
Puna e saj është përqendruar te infeksionet virale dhe më vonë edhe te kanceri.
"Isha në pushim pas lindjes kur shpërtheu pandemia e Covid-19. Laboratori ynë punonte pa pushim për të studiuar virusin. Dhe që nga shtatori 2020, edhe unë kam kontribuar në këtë kërkim. Leksioni i pandemisë është se kur të gjithë bashkëpunojnë, mund të arrihet një rezultat në kohë rekord", tha ajo./Corriere della Serra
Komente

Vetem 43 vjec? Pse sa duhet te jete? 70?
PërgjigjuMe ne fund dikush qe na krenon neper bote or teeeejjjjj
PërgjigjuOr tej neper bote ka shum po shum qe na krenojn dhe na kane krenu por SOT PO E THONE ME ZE TE NOLT QE JEMI SHQIPTAR se dje nuk kishte ket impakt qe ka sot te jesh shqiptar dhe ket ta konfirmoj me 100% "nji emigrant i '89