GJERMANI- Afërdita Suka, është shqiptarja që do të ulet në Bundestag me partinë e Gjelbër. Angazhimi i saj politik ka nisur prej 10 vitesh, ndërsa ky vit i solli shumë të papritura. Afërdita mundi të sigurojë një karrige në parlamentin e Gjermanisë, ndërsa në një rrëfim për ‘Report Tv’ thotë se më në fund ëndrra e saj u realizua.
“Unë merrem që 10 vite me politikë, jam shumë aktive, është pjesë e jetës sime, gjithmonë kam dashur që të ndikoj në shoqërinë që jetoj. Gjermania të jep mundësinë të jesh pjesë e parlamentit, pavarësisht origjinës, mjafton të kesh nënshtetësinë gjermane. Ky kush është, përndryshe për mua si një njeri që nuk ka lindur këtu është një fakt shumë interesant, që e kam këtë mundësi konkrete të merrem me politikën shoqërinë, të kemi influencë në një nivel shumë të lartë. Do jem deputete e parlamentit dhe do të vendosim me të tjerët për të mirën e qytetit dhe qytetarët e Berlinit. Gjithmonë e kam dashur politikën dhe tani e kam arritur qëllimin që të jem pjesë”, tha Afërdita Suka për Report TV.
Rrugëtimi politik i Afërdita Sukës në Gjermani nuk ka qenë i lehtë. Nën ndikim e emocioneve të forta pas fitores, ajo thotë se e ka pasur edhe më të vështirë kandidimin për shkak se ishte femër. Sipas saj edhe në Gjermani funksionon si në vendet e tjera, ku politika është më ‘bërryla’, pra ka një garë të ashpër mes kandidatëve dhe shpesh herë një garë jo të ndershme.
“Duhet shumë punë, ka qenë një rrugë e vështirë, si në sistemin e shkollës, si politikë. Nuk është lehtë sidomos kur nuk je nga një familje që ka përvoje me politiken apo institucionet, nuk ke njohje, duhet ta krijosh nga e para. Ka disa vështirësi për njerëzit që nuk lindin këtu dhe nuk i kanë marrëdhëniet mbështetëse. Si femër e kam pasur edhe më të vështirë, edhe këtu është një shoqëri me bërryla, në politikë ashtu vlen edhe në Gjermani, nuk është vetëm për vendet e tjera. Kalova mirë me mbështetjen e shumë njerëzve në komunitet po edhe gjermanëve, partive të ndryshme, mendoj se kam marrë vota jo vetëm nga partia ime. Jam e kënaqur shumë”, tha Suka.
Shqiptarja që do të futet në Bundestag thotë se ka korrur një fitore të jashtëzakonshme, pasi komuna ku ajo fitoi, Tempelhof ka qenë gjithmonë në dorë të social-demokratëve, por këtë vit u thye nga të gjelbrit.
“Zona ime Tempelhof tradicionalisht ka qenë në dorë te social demokratëve, kryetari i fundit i Berlinit ka qenë social-demokrat, është diçka e jashtëzakonshme, partia e gjelbër, një e huaj dhe e vetmja femër të këtë këtë sukses”, vijoi ajo.
E pyetur se çfarë çështjet do ngrejë në parlament, Suka tha se partia e saj është e fokusuar tek çështjet sociale, si shëndetësia e arsimi.
“Merrem me politikën e çështjeve sociale, merrem me shëndetësinë dhe shërbimin publik shëndetësor, Do vazhdoj të angazhohem në ketë drejtim . Kemi shumë deficite nga pandemia, do rrite personeli, buxheti. Unë jam sa i përket edhe një krize sociale, janë çmimeve larta të banesave që edhe njerëz me rroga të mira s’kanë mundësi të gjejnë banesë. Kjo është një krizë që do të zgjidhet. Merremi edhe me arsimin, përmirësimin e cilësisë së çerdheve”, përfundoi Suka.