Shqipëri-Turqi, në fokus ekonomia/ Zv.president i Dhomës Turke të Tregtisë në Tiranë për Report Tv: Liderët kyç për përmirësimin e marrëdhënieve, synojmë 25 mijë vende pune

11 Janar 2021, 16:53| Përditesimi: 11 Janar 2021, 17:28

  • Share

Ne një intervistë për Report TV, Zëvëndëspresidenti i Dhomës turke të tregtisë theksoi se çdo vit madhënia midis Turqisë dhe Shqipërisë përmirësohet dhe kështu do të vëzhdojë edhe në të ardhmen. Sipas Kenan Sevinc, synimi është që nga 600 firma që aktualisht zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri, të arrijmë  1000 firma, nga 15000 punonjës aktualisht synojmë 20-25 mijë .

Intervista e Plotë

Suada Mehmetaj; Ndodhemi sot këtu në Dhomën ekonomike turke dhe jemi së bashku me zëvendës drejtorin e zyrës së saj në Tiranë, Kenan Sevinç.

Suada Mehmetaj: z. Sevinc, faleminderit që pranuat të flisnit për ne.

Kenan Sevinç: Unë ju falenderoj juve. Mirëserdhët në Dhomën Tonë! Unë jam Kenan Sevinç, jam zëvendës kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Turqi- Shqipëri. Dhe në të njëjtën kohë jam edhe drejtor I përgjithshëm në kompaninë Global Logistic. Pothuajse prej 20 vitesh unë jam marrë me tregti në Shqipëri dhe Kosovë. Kam dy vajza dhe prej 8 vitesh ne jetojmë në Tiranë.

Suada Mehmetaj: Z.Sevinç si i vlerësoni marrëdhëniet ekonomike midis Turqisë dhe Shqipërisë?

Kenan Sevinç: Mes Turqisë dhe Shqipërisë ekziston një lidhje e ngushtë që në të kaluarën. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve çdo vit shkon duke u përmirësuar dhe ashtu do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke u përmirësuar vazhdimisht. Turqia, së bashku me investimet në sektorit e ndërtimeve investon 3.5 milion euro, gjë që e bën atë automatikisht edhe investuesin më të madh në vend. Në Shqipëri ne kemi të regjistruar të paktën 600 firma dhe biznese dhe me anë të këtyre 600 firmave ne kemi siguruar punësimin e rreth 15 000 personave.

Suada Mehmetaj: Sa e vështirë është për kompanitë turke të investojnë në Shqipëri?

Kenan Sevinç: Të investosh në Shqipëri nuk është shumë e vështirë, por nëse do të bëhej më shumë punë në aspektin e politikave inkurajuese, lehtësuese do të ndihmonte shumë dhe do të nxiste ardhjen e më shumë investitorëve. Qeveria shqiptare duhet tu japë më shumë mbështetje biznesmenëve turk.

Suada Mehmetaj: Në cilin sektor gjenden më së shumti bizneset turke në Shqipëri?

Kenan Sevinç: Biznesmenët turk kanë zhvilluar investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në krye qëndrojnë investimet në sektorin e energjisë, prodhimit të Hekurit dhe çelikut, minierave, bankave, telekomunikacion, tekstil dhe ushqimit. Sektorë në të cilët Turqia ka investuar tej mase.

Suada Mehmetaj: Ju vetë e theksuat se pjesa më e madhe e investimeve ndodh në sektorin e energjisë, pse ndodh një gjë e tillë? A ka politika më të lehta fiskale? 

Kenan Sevinç: Mendoj se në momentin që kur firmat turke kanë ardhur këtu, në këtë sektor kanë parë më shumë mundësi. Veçanërisht në sektorin e prodhimit dhe energjisë, mendoj se aty kanë gjetur shumë boshllëqe. Për këtë arsye kanë vendosur që të investojnë më shumë në këto sektorë. Dhe për më tepër qeveria shqiptare u ka dhënë më tepër mbështetje firmave turke. 

Suada Mehmetaj; A ka pengesa ligjore ose fiskale për firmat turke në Shqipëri?

Kenan Sevinç: Normalisht që ka disa vështirësi, por nuk mund të themi se kjo ndodh vetëm për firmat turke. Por sigurisht për shkak të burokracisë ka disa vështirësi. Në disa raste pikërisht këto vonesa burokratike, mund t’i largojnë investuesit e rinj.

Suada Mehmetaj: Çfarë duhet të ndërrojë për t’i bërë gjërat më të lehta?

Kenan Sevinç: Mendoj se duhet që të zvogëlohen burokracitë dhe të rriten lehtësitë dhe stimulimet për bizneset.

Suada Mehmetaj: Ju vetë e theksuat se prej 20 viteve e bëni këtë punë dhe gjatë viteve të fundit keni jetuar në Tiranë. Çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre 8 viteve më mirë apo më keq?

Kenan Sevinç: Mendoj se Shqipëria për çdo vit ka pasur përmirësim të vazhdueshëm dhe normalisht që ky është edhe ndikimi I qeverisë. E ka lehtësuar ndjeshëm sistemin dhe në këtë mënyrë e ka lehtësuar të gjithë procesin.

Suada Mehmetaj: Vitet e fundit Turqia në cilët sektor ka investuar më së shumti?

Kenan Sevinç: Turqia deri tani ka investuar më së shumti në Miniera dhe Energji, por tani e tutje besoj se edhe Turizmit dhe ndërtimit do ti kushtojë një rëndësi të madhe. Gjithashtu në sektorin e shëndetësisë dhe atë të edukimit Turqia synon të investojë shumë. Frutat e këtij bashkëpunimi të gjithë ne shumë shpejt do të vazhdojmë ti shohim. Për momentin ka filluar ndërtimi i një spitali në Fier, e cila planifikohet të dorëzohet pas 3 muajsh. Sa i përket arsimit janë nënshkruar disa marrëveshje me universitetet turke. Siç e dini këtë javë kryeministri Rama ishte për vizitë zyrtare në Turqi dhePresidenti Erdogan e priti atë në një mënyrë tejet të veçantë. Shumë marrëveshje u nënshkruan atje. Siç e dini shumë ministra shqiptarë ishin në vizitë po ashtu. Dhe frytet e këtyre marrëveshjeve do t’i shohim në të ardhmen.

Suada Mehmetaj: Sa ka ndikuar politika në këtë aspekt. Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Erdogan janë tejet miqësorë. Sa ndikon kjo në biznes?

Kenan Sevinç: Mendoj se takimet e vazhdueshme dhe marrëdhëniet e tyre të mira vitet e fundit, ka bërë që fokusi I shumë bizneseve turke të kthehet në drejtyim të Shqipërisë. Mendoj se frytet e kësaj ne kemi vazhduar t’i marrim sepse ata kanë filluar të shihen më shpesh. Biznesmenët turk kanë filluar të vijnë më shpesh këtu, bëjnë më shumë vizita. Biznesmenët turk dhe ata shqiptar takohen vazhdimisht dhe shkëmbejnë mes tyre ide, në lidhje me tregtinë. Mendoj se do të ketë edh më shumë investime në të ardhme. Mendoj se marrëdhënia e mirë mes dy liderëve ka një ndikim tejet pozitiv.

Suada Mehmetaj: Në të ardhmen në cilët sektorë duhet që biznesmenët turk të investojnë në vitet e ardhshme?

Kenan Sevinç: Për momentin ato që kanë më së shumti nevojë janë punimet në turizëm dhe infrastrukturë. Sepse për të zhvilluar turizmin duhet që të përmirësohet infrastruktura, duhet të rregullohen rrugët. Nëse bëhen zhvillime të tilla, për biznesmenët do të vinin më lehtësisht dhe do ta ndienin vetëm më të sigurte.

Suada Mehmetaj: Në dijeni tuaj a ka biznese shqiptare në Turqi dhe cilat janë lehtësitë që u ofrohen?

Kenan Sevinç: Në Turqi jetojnë pothuajse 4 milionë shqiptarë dhe njëjtë si turqit atje ata bëjnë investime. Qeveria turke jep mbështetje dhe hapësira të mjaftueshme edhe për bizneset e huaja për të investuar në vend.

Suada Mehmetaj: Ju vetë e thatë se në Turqi gjenden të paktën 4 milionë shqiptarë, si e gjejnë vetën atje, a kanë arritur të përmirësohen dhe të ngrihen neë pozicione të mira, si grup etnik le të themi?

Kenan Sevinç: Nuk mendoj kurrsesi që ata ta konsiderojnë veten si pakicë etnike, sepse ne kemi ngjashmëri të mëdha në aspektin kulturor, jemi si vëllezër. Mendoj se shqiptarët në Turqi e ndiejnë veten si turq, jo si mysafir. Ata janë tejet të suksesshëm në shumë aspekte. Në aspektin ekonomik ata janë tejet të suksesshëm. Ka shumë politikanë të suksesshëm po ashtu. Në fakt në çdo sektor ka shqiptarë të suksesshëm. Të njëjtën gjë mund ta them edhe për ne. Ne këtu nuk ndihemi asnjëherë si të huaj. Në Shqipëri unë ndihem tejet I lumtur së bashku me familjen time. Unë në asnjë moment nuk e ndiej veten sit ë huaj. Unë mendoj se në të njëjtën mënyrë ndihen edhe shqiptarët në Turqi.

Suada Mehmetaj: Çfarë masash duhen ndërmarrë për tu rritur bashkëpunimi mes dy vendeve?

Kenan Sevinç: Për të pasur më shumë sukses duhet që të bashkohen investitorët në të dyja vendet. Duhet të bashkohen së bashku biznesmenët, të studiojnë nevojat e tregut dhe të punohet mbi to. Në këtë aspekt shumë punë bie mbi politikanët dhe drejtuesit e lartë. Duhet të organizohen sa më shumë mbledhje dhe të zbulohet se ku duhet investuar. Mendoj se Turqia ka shumë persona të cilët do të mund të investonin në shumë sektorë në Shqipëri dhe vitet e fundit ata e kanë parë më shumë kujdes Shqipërinë. Për këtë arsye mendoj se qeveria shqiptare duhet të tregohet më fleksibël dhe të krijojë politika më lehtësuese, të ketë politika më të mira fiskale. Dhe mendoj se një nga problemet më të mëdha të cilët politika shqiptare duhet t’i gjejë zgjidhje për të ndaluar emigrimin e elitës intelektuale të vendit. Duhet të krijojë politika për ta ndaluar këtë gjë sepse në të ardhme mendoj se do të jetë një problem i madh. Edhe ne tani hasim vështirësi për të gjetur profesionistë dhe në të ardhmen investitorët do të kenë edhe më shumë vështirësi.  Qeveria duhet të gjejë mënyrën për të ndaluar largimin e shqiptarëve nga vendi dhe krijimin e kushteve për të qëndruar këtu.

Suada Mehmetaj: Çfarë duhet të bëjë për të arritur këtë ?

Kenan Sevinç: Sigurisht për të arritur këtë gjë duhet të krijohet një ambient pune i tillë që u siguron atyre jetesën dhe kushtet e përshtatshme. Të krijohet një ambient ku ata e ndiejnë vetën mirë dhe të sigurte. Nëse qeveria e arrin këtë gjë normalisht që ata nuk do të donin të iknin nga vendi  I tyre dhe të emigronin. Këtu e gjithë punë bie mbi politikanët.

Suada Mehmetaj: Si i konsideroni politikat fiskale në vendin tonë, pasi ato ndryshojnë vazhdimisht? A është kjo një gjë që shkakton vështirësi për firmat turke apo është e lehtë?

Kenan Sevinç: Po sigurisht në Shqipëri çdo vit ka ndryshim të politikave fiskale, njëjtë si në çdo vend. Por ka ardhur kohë që çdo gjë kalojë në formë digjitale, tanimë është çka e pashmangshme. Si firma turke ajo që mund të them është se nuk kemi hasur shumë vështirësi dhe mundohemi të ia dalim më së miri. Nuk mund ta them që kemi pasur shumë vështirësi në këtë aspekt.

Suada Mehmetaj: Gjatë pandemisë të gjitha firmat dhe bizneset kanë pasur vështirësi të mëdha. Firmat turke a patën mundësi të investojnë në Shqipëri apo u detyruan të kthehen mbrapsht? A erdhën më shumë kompani turke në Shqipëri apo më pak?

Kenan Sevinç: Gjatë pandemisë sigurisht se të gjitha firmat janë prekur. Shumë biznese veçanërisht në ato që kanë të bëjnë me produktet ushqimore. Por fatmirësisht pavarësisht vështirësive investitorët turk nuk u tërhoqën mbrapa dhe vazhduan me punën e tyre. Edhe Global Logistics e ka bërë të njëjtën gjë. Sigurisht 2020 ishte një vit tejet I vështirë për të gjithë, por ne vazhduan të njëjtën punë, pavarësisht çdo gjëje. Shpresoj që në 2021 kjo pandemi do të marrë fund dhe të gjithë do ti kthehemi normalitetit.

Suada Mehmetaj; Në Shqipëri ka 600 firma turke, kjo do të thotë që janë krijuar shumë vende pune për shqiptarë dhe turq që janë vendosur këtu. Si ndihen ata në Shqipëri?

 Kenan Sevinç: Unë e thash që në fillim Turqia në Shqipëri është njëri nga investitorët më të mëdhenj. Turqia është një partner I rëndësishëm. Ne e konsiderojmë atë si një vend mik, shumë të afërt dhe për këtë të gjithë biznesmenët këtu mundohen të rrisin shanset dhe mundësitë për të shtuar bizneset. Dhe investimet turke. Sepse me të vërtetë ne, firmat turke në Shqipëri ndihemi shumë mirë, na bën të ndihemi mirë të punuarit këtu dhe çdo ditë e më shumë ne duam ta rrisim këtë gjë. Nga 600 firma që janë aktualisht duam të arrijmë në 1000 firma dhe nga 15000 punonjës në 20-25 mijë dhe për të arritur këtë gjë të gjitha firmat këtu në Shqipëri tregojnë një vullnet dhe përkushtim të madh.

Suada Mehmetaj; Do të doja të pyesja edhe diçka që më ngeli në mendje. Në Kosovë sa kompani turke ka dhe si punojnë ato atje?

Kenan Sevinç: Njëjtë si në Shqipëri edhe në Kosovë, ka investime në të njëjtat fusha, qoftë në industrinë ushqimore energji apo infrastrukturë. Fillimisht mund të dukej se Kosova qëndron më afër me Turqinë, por mendoj se vitet e fundit ka pasur një përafrim të dukshëm të Shqipërisë me Turqinë. Nuk mendoj se ka shumë ndryshim mes tyre, mendoj se në sytë e Turqisë të dyja qëndrojnë njësoj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?